Flakë në Cetinje, i këndohet kthimit të Ushtrisë serbe në Kosovë/ Situata përplas Gjukanoviç me Vuçiç. Presidenti e kërcënon se do…

Sep 6, 2021 | 9:16
SHPËRNDAJE

Policia malazeze hodhi të dielën gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit kundër shugurimit të kreut të Kishës Ortodokse Serbe në Malin e Zi, në një ceremoni që nxori në pah ndasi të thella në vendin fqinj rreth lidhjeve të tij me Serbinë.

Protest against enthronement of Bishop Joanikije in Cetinje

Ceremonia e shugurimit të kreut të Kishës Ortodokse Serbe, Joanikije II, në Manastirin e Cetinës u mbajt mes tensionesh dhe u zhvillua në praninë e patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe, Porfirio, të cilët në Cetinë mbërritën me helikopter.

Gjatë natës dhe në mëngjesin e së dielës, grupe qytetarësh bllokuan rrugën kryesore që çon nga Podgorica në Cetinë si dhe ngritën barrikada në hyrje të Cetinës.

Policia malazeze ka ndërhyrë për t’i hequr barrikadat duke përdorur buldozerë. Rreth barrikadave kishte flakë. Thirrja e ministrit të Brendshëm malazez, Sergej Sekuloviq, për uljen e tensioneve nuk ka kryer punë.

Policia malazeze tha se janë arrestuar 14 protestues si dhe këshilltari për Siguri i Presidentit, Milo Gjukanoviç, dhe ish-drejtori i Drejtorisë së Policisë, Veselin Veloviç, që ishte në mesin e protestuesve. Dhjetëra persona janë plagosur në protesta. Policia përdori gaz lotsjellës, ndërsa disa protestues hodhën gurë, shishe dhe fishekzjarrë në drejtim të Policisë.

Disa protestues dogjën goma dhe u ulën në rrugë. Zëvendësdrejtori i Policisë në Mal të Zi, Dragan Goroviç, tha për televizionin shtetëror se 20 pjesëtarë të Policisë janë plagosur, ndërsa një klinikë shtetërore në Cetinje tha se rreth 30 civilë kërkuan ndihmë mjekësore. Ambasadat e Gjermanisë, Italisë, Francës, Britanisë, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian dënuan dhunën.

Pavarësisht tentimeve për ta ndaluar, shugurimi është mbajtur në Manastirin Metropolitan Joanikije. Gjatë shugurimit nga Cetinje, janë dëgjuar edhe rreshtat e këngës nacionaliste të Kishës Ortodokse Serbe: “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”. Kjo këngë është kënduar nga klerikët e Kishës Ortodokse Serbe në ceremoninë inauguruese në Mal të Zi.

EVAKUIMI

Forcat Antiterror të Malit të Zi kanë nxjerrë nga Manastiri i Cetinës, metropolitin e ri të Kishës Ortodokse Serbe, Joanikije, pas ceremonisë së shugurimit. Ai është shoqëruar nga dalja e manastirit dhe është nisur me helikopter për në Podgoricë.

“TERRORIZËM”

Kryeministri malazez, Zdravko Krivokapiq, i cilësoi sulmet ndaj Policisë si terrorizëm. Ai fajësoi Partinë Demokratike të Socialistëve të Presidentit Millo Gjukanoviq për organizimin e protestave. Krivokapiq vjen nga Fronti Demokratik pro-serb, parti kjo që udhëheq me qeverinë malazeze, pasi vitin e kaluar rrëzoi Partinë Demokratike të Socialistëve, pas 30 vjetësh në pushtet. Gjukanoviq, i cili kundërshtoi ceremoninë, akuzoi Policinë për forcë të tepruar.

Në Mal të Zi ka ndasi të thella sa u takon lidhjeve të vendit të tyre me Serbinë dhe Kishën Ortodokse Serbe.

Rreth 30 për qind e popullsisë prej 600,000 banorësh të vendit identifikohen si serbë dhe e përkrahin Kishën Ortodokse Serbe. Malazezët e tjerë dëshirojnë një kishë ortodokse të ndarë nga ajo serbe.

Kundërshtuesit e ceremonisë së zhvilluar në Cetinje e shohin atë si një simbol të “pushtimit” të Malit të Zi. Ata kërkuan që ajo të mbahet në çdo qytet tjetër malazez, përveç Cetinjës. Ky qytet nga malazezët konsiderohet si qendër kulturore dhe historike.

KONFLIKTI PËR LIGJIN E KISHËS

Mali i Zi u pavarësua në vitin 2006, por kisha e tij nuk u bë autonome dhe mbeti nën Kishën Ortodokse Serbe, që për shumëkënd është një simbol i ndikimit serb. Çështja e pronësisë së Kishës Ortodokse Serbe ka shkaktuar tensione të shumta gjatë viteve të fundit në Mal të Zi.

Ligji për liritë fetare, i miratuar në kohën kur në pushtet ishte Partia Demokrate e Socialistëve e Presidentit Gjukanoviç, kërkonte nga Kisha Ortodokse Serbe të dëshmojë për pronat përgjatë viteve të kaluara. Qeveria e re e dalë nga zgjedhjet e gushtit të vitit 2020 e ndryshoi ligjinm duke ia njohur të drejtën e pronës Kishës Serbe, e cila selinë e ka në Beograd. Mali i Zi është anëtar i NATO-s dhe aspiron që të bëhet anëtar i Bashkimit Europian.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura