Fjoralba Turku: Në tregun gjerman me muzikë shqiptare

Oct 15, 2012 | 15:50
SHPËRNDAJE

Gjatë “Tetorit Gjerman” ajo sjell për herë të parë një koncert përpara publikut shqiptar. E vendosur në Gjermani qysh në moshën 9-vjeçare, Fjoralba Turku e kuptoi se në një vend të huaj mund të çash vetëm me identitetin tënd.

Duartrokitjet pas performancës së parë përpara publikut shqiptar i ngjallën të tjera emocione, shija e të cilave nuk kish të krahasuar me asgjë të mëparshme që kish provuar në skenat e Gjermanisë apo më gjerë, edhe të Europës. Ajo emigroi bashkë me familjen që në moshën nëntëvjeçare në një vend të panjohur për të, ku i mungonin kujtimet e fëmijërisë, por ku nuk iu desh fort përpjekje për të kuptuar se aty kish shkuar për t’u bërë “dikush”, për t’iu dëgjuar emri. Qasja ndaj muzikës i erdhi natyrshëm. Prindërit dhe i vëllai ishin instrumentistë e mësues muzike në Mynih, ndërsa vetë ajo zgjodhi një zhanër tjetër muzikor siç ishte xhazi, i cili i sjellë në ndërthurje me ritmet e muzikës popullore shqiptare, e bënte edhe më unik në llojin e tij. Pas albumit të parë muzikor, i cili mban emrin e të birit “Joshua”, shumë shpejt u realizua ai i dyti, ndërsa i treti pritet të dalë në tregun e muzikës botërore në fillim të 2013-s. Në kuadër edhe të aktivitetit “Tetori Gjerman”, Fjoralba Turku gjendet këto ditë në Tiranë, për të prezantuar muzikën e saj, në ngjyrime artistike krejt të veçanta si miksim i kulturës gjermane me identitetin e origjinës, atë shqiptar.

Sfida e përshtatjes së një artisteje
Edhe për të fillimi ishte i vështirë. Nuk bënte jetën e një emigranteje, por përshtatja ishte e ngjashme me atë gurin që rrokulliset derisa gjen vend. Për Fjoralba Turkun, bazat në muzikë ishin hedhur me kohë, ngase prindërit dhe i vëllai ishin përfshirë në muzikë si instrumentistë. Por ajo do të bënte përpjekjet e saj, nuk i mjaftonte mbiemri. “Emigracioni ka qenë tërë jetën një tematikë e madhe për mua, sado që ne si familje ishim shumë të integruar në jetën dhe kulturën gjermane. Babai im, Fagu Turku, është violinist i njohur, sepse ka interpretuar me këngëtarët e mëdhenj shqiptar si Vaçe Zela. Realizimin artistik nuk e kam pasur krejt të kollajtë, sepse arti kërkon shumë mund, sakrifica. Shumë rastësisht konkurrova për Kanto në Universitetin e Arteve në Munih, thjesht për ta provuar, pa shumë dëshirë që të vazhdoja si këngëtare. Fitova konkursin dhe njëherësh vëmendjen e një kitaristi të njohur xhazi në Europë, Geoff Goodman. Shumë shpejt erdhën turnetë, studimet e njëpasnjëshme, dhe albumi im i parë muzikor, të cilit i vendosa emrin e tim biri ‘Joshua'”, thotë Turku. Në albumin e saj të parë nuk tentoi t’i shmangej origjinës, duke krijuar kësisoj një ndërthurje artistike mes xhazit klasik dhe ritmeve të folkut shqiptar. Kritika e priti mirë. Spektatorët e duartrokitën dhe suksesi këtë herë i takonte asaj… Sukses të cilin ajo e ndau edhe mbrëmjen e së enjtes, në të parin koncert xhazi të sajin, përpara publikut shqiptar.

Fama përtej Adriatikut
E pjekur artistikisht, sidomos edhe pas përfundimit të shkollës së xhazit, Fjoralba njihte pritshmëritë dhe kërkesat ndaj vetes. U përfshi në botën dhe tregun e muzikës gjermane dhe emri i saj ndihet fuqishëm atje. Revista muzikore gjermane “Jazzthing” e ka vlerësuar punën e artistes shqiptare, duke shkruar: emri i Fjoralba Turkut duhet mbajtur mend patjetër. “Një zë i zhdërvjellët, mahnitës dhe i fuqishëm. Një zë që tingëllon herë nordik i çelët, herë si nga Europa Juglindore”, cilëson gjermania “KulturSpiegel”. Ndërthurja artistike që ajo si këngëtare i bën xhazit me ritmet e folkut shqiptar, e bëjnë unike në llojin e saj, ndaj dhe shumë shpejt pas krijimit të parë muzikor artistik, erdhi albumi i dytë me titullin “Serene”, ndërsa i treti pritet të dalë në fillim të 2013-s. “Muzika shqiptare më ka ndihmuar të gjej veten. Për këtë motiv vendosa të kthehem pas shumë vitesh emigracioni përsëri në Shqipëri, për të prezantuar muzikën time, por të ndërthurur në detajet e origjinës. Është identiteti im muzikor dhe personal, është një shkrirje e asaj që kam mësuar në shkollë dhe në jetë në Gjermani. Besoj se kënga shqiptare më afron me të dyja identitetet, çka tregon se artistikisht unë ndihem mirë ndërmjet dy kulturave të ndryshme, përveç faktit se melodia shqiptare më ndihmoi të zbuloj zërin tim si këngëtare”, përfundon Fjoralba Turku.

ERMIRA ISUFAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura