Fjolla Morina fiton lirinë në Prishtinë/ Si dështoi ekstradimi në Shqipëri pas dënimit me 6 vite burg nga Gjykata e Kukësit

Sep 16, 2021 | 8:19
SHPËRNDAJE

Autoritetet shqiptare duket se kanë dështuar të ekstradojnë drejt Shqipërisë një nga emrat më të njohur të showbizit, këngëtaren Fjolla Morina, e cila është dënuar me 6 vite burg nga Gjykata e Kukësit.

fjolla-morina-1

Më shumë se 40 ditë pas arrestimit, Gjykata në Prishtinë ka refuzuar kërkesën e ekstradimit për Morinën, ndërsa gjatë ditës së djeshme, siç ka konfirmuar edhe avokati i saj, këngëtarja ka fituar lirinë.

Përpos skadimit të afatit 40-ditor, për të cilin Morina u vendos në paraburgim, duket se organet e drejtësisë së Kukësit nuk kanë arritur të përpilojnë dosjen e plotë për të kryer procedurat e ekstradimit.

Gjykata në Prishtinë pretendon se nuk mund të ekstradojë këngëtaren për sa kohë ajo nuk është dënuar me vendim të formës së prerë.

DËNIMI

Fjolla Morina, e shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare, u arrestua në një lokal në Prishtinë më 19 korrik 2021 për llogari të Interpol Tirana. Mediat në Kosovë publikuan edhe pamje nga momenti i arrestimit teksa këngëtarja ishte në lokal në praninë e disa personave.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Kukës bëri kërkesë për shpallje në kërkim ndërkombëtar të këngëtares më 20 prill të këtij viti, pasi u dënua me 6 vjet burgim për “Trafik të armëve dhe municionit”.

Morina, e cila u arratis në fillim të këtij viti nga banesa në Kukës ku qëndronte në arrest shtëpie, ka qenë në kërkim vetëm brenda vendit tonë. Kërkesa për shpalljen në kërkim ndërkombëtar të Morinës u firmos nga prokurori Edmond Karriqi, i cili ndryshoi fillimisht edhe akuzën ndaj këngëtares.

Morina u dënua në 25 mars nga Gjykata e Kukësit me 9 vjet burgim dhe me zbritjen e 1/ 3-ës së dënimit, ajo do të kryejë 6 vite burgim. Gjykata më herët ndryshoi edhe klasifikimin e veprës penale nga “Armëmbajtje pa leje” në “Trafikim ndërkombëtar të armëve”, që e rëndoi pozitën e këngëtares.

ARRESTIMI PËR TRAFIK ARMËSH

Këngëtarja Fjolla Morina u arrestua më 19 shtator 2019 menjëherë sapo kaloi pikën e kalimit kufitar të Morinës drejt Kukësit, e shoqëruar nga i fejuari i saj, Fisnik Syla dhe shoferi, Fitim Muji.

Sipas dëshmive të dhëna nga Morina, Syla dhe Muji po udhëtonin drejt Tiranës sepse “e pandehura kishte për të bërë një klip”. Policia ushtroi kontroll në makinë mbi dyshime që nuk bëhen të ditura në vendimin e Gjykatës së Kukësit.

“Gjatë kontrollit, në çantën personale të së pandehurës Fjolla Morina është zbuluar një send i dyshuar si armë zjarri”, thekson Gjykata, ndërsa shton se në çantë ishin edhe tre fishekë, ndërsa 32 fishekë të tjerë u gjetën në mbajtësen e krahut të automjetit.

Ekspertiza e Policisë provoi se arma që iu bllokua këngëtares, e tipit “Zoraki M906-T”, ishte një pistoletë jostandarde “që përdor municion fishekë standardë luftarakë”.

Tri ditë pas arrestimit, në 22 shtator 2020, dy bashkudhëtaret e Morinës u lanë në burg nga gjykata për 30 ditë, por në fillim të tetorit u liruan me masë “Detyrim paraqitje”, pasi në dëshmi Morina mori përsipër pronësinë e armës dhe municionit.

Ajo bëri edhe një kërkesë në Gjykatë për lirimin nga qelitë me pretendimin se ishte shtatzënë, kërkesë e cila u pranua nga Gjykata dhe u vendos në “Arrest shtëpie” në një banesë përpara Komisariatit të Policisë së Kukësit.

Përplasja midis Gjykatës dhe Prokurorisë Pas arrestimit të Morinës, një emër i njohur i showbizit shqiptar, prokurori Edmond Karriqi ngriti akuzën e “Armëmbajtjes pa leje ndaj saj”, për të cilën Kodi Penal parashikon 3 deri në 7 vjet burg. Por, gjykatësi i Kukësit Florin Demollari ndryshoi akuzën ndaj këngëtares, duke e akuzuar për “Trafik armësh dhe municionesh”, e cila parashikon dënim më të rëndë.

Në vendimin e Gjykatës së Kukësit, ndërsa i kthehet dosja prokurorit për “plotësim hetimi”, thuhet se akuza nuk ishte e formuluar qartë dhe se Morina u kap me armën në kufirin midis dy shtetesh.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura