Fjalimi i Kryeministrit në panik!

Feb 22, 2019 | 19:20
SHPËRNDAJE

AGRON GJEKMARKAJ/gjekmarkaj

Edi Rama, pasi doli nga gjendja e klandestinitetit ku ishte mbyllur prej disa ditësh, duke ikur nga Tirana fshehurazi e duke iu lutur Zotit që të mos i bllokojnë rrugën qytetarët, mbrëmë u shfaq me një fjalim të gjatë! Na kishin munguar gjykimet për gjëra serioze kur ai na u shfaq me një vajtim për kërpudhën, ku me një status na lajmëroi se ajo rron në zemrat tona, pasi i këndoi elegjinë “kërpudhës ç’i panë sytë – kërpudh-o”!

Nëse kjo ligjëratë 40 minutëshe ku spikaste mundi, djersa dhe halli i një individi në panik do të mbahej në vitin 2014, shumëkush do habitej, çmeritej, emocionohej me kolazhin e metaforave, krahasimeve, aftësinë interpretative të Kryeministrit, thelbin rrëfimtar e reflektiv që luhatej mes shenjtorit dhe burrit të shtetit! Por është shumë vite më vonë ai dreq fjalimi! Mynxyra, ngjarje, fakte, ndodhi janë konsumuar në këtë Shqipërinë që duam qysh kur qeveris “rilindja”! Ndaj gjë më hipokrite se ajo ligjëratë e gjatë nuk kishte!

Një përpjekje e stërmundimshme për të ngjallur mëshirë e spostuar vëmendje ishte oratoria e tij e darkës të së enjtes në këto krizë të pazakontë! Korrupsioni, kanabisi, koncesionet, trafikimi i votave, tenderët, ikja masive e njerëzve, personat me precedentë penalë në pushtetin qendror e lokal, arroganca dhe gojështhurja nuk qenkëshin gjë tjetër veç nuanca të një parade suksesesh! Në çdo rast ai u shfaq i pagabueshëm, si pritmi i Shqipërisë, si njeriu që vullneti hyjnor na ka dërguar në pikëprerjen mes së ardhmes dhe së shkuarës! Si gjithmonë, sipas tij, në magazinën pa inventar të atij fjalimi shtriheshin mëkatet e pafundme të një opozite që urryeka Shqipërinë, që i nxika faqen, që paska një mori frikërash ndaj djegka mandatet! Asnjë fëmijë mbi 6 vjeç nuk ia pranon Kryeministrit këtë logjikë! Ai që s’e ka ndalur as gjuhën, as buzën, as stomakun për të përbaltur këdo politikan a gazetar, qytetar a fshatar që i ka dalë përpara, duke shfaqur kritika si e qeveris Shqipërinë, ai e ka përfolur e fyer! Ndaj atyre që e kanë kritikuar, u ka dërguar tatimorët në fis e gjini, u ka hequr nga puna të afërmit e shumë ledhatime të tjera! Gjithë këto ditë ai ka përmendur sa në Vlorë, sa në Tiranë prof. Mark Markun sa për të përmendur një rast të thashethemnajës kryeministrore! Cili kryeministër në një vend normal për ditë të tëra merret me një individ, duke i cenuar imazhin publik? Fatmirësisht, Marku e merr jo fort seriozisht, por një qytetar tjetër do shqetësohej nga dhuna verbale! Ai tha që kërkon faljen dhe që reflekton.

Prej katër vitesh i kontestohet ligji i arsimit te lartë nga trupa akademike dhe ai nuk pranon në emër të egos së tij të ndryshojë asgjë përkundrazi na vë ministre Arsimi një zonjë që ka lidhje me këtë fushë sa çka Gjeto Basho Muji me NASA-n në SHBA. Pa fund bëri krahasime Edi Rama, por nuk tha që në kohën e tij Shqipëria po përjeton më të rëndën dhe më të pazakontën e krizave, atë të djegies së mandateve nga Opozita! Tërheqja e opozitës nga Parlamenti ka ndodhur veç një herë në historinë e demokracive moderne! Në vitin 1924, në Italinë e kohës së Fashizmit kur vendi udhëhiqej nga Benito Mussolini! Pas pak muajsh ai vendosi diktaturën, duke përfituar nga situata dhe mungesa e partive kundërshtare në Kuvend. Pastaj fati i mëtejshëm i Italisë dhe Duçes dihet! Edhe ai qe zgjedhur me votë si kryeministër! Askush prej nesh nuk dëshiron që Edi Rama t’i ngjajë sadopak Mussolinit!

Por Rama nuk u dha përgjigje atyre mijërave që protestojnë! Nuk tha asnjë fjalë se si dilet nga ky tunel! Nuk tha sesi shmanget përballja civile mes shqiptarëve kur Parlamenti ka humbur pothuaj gjysmën e tij! Nuk bëri asgjë nga këto! Rënkoi disa herë! Psherëtiu! Na përcolli atë që mundohej të fshihte, ankthin dhe panikun në të cilin gjendet! Ai e di mirë nga njohuritë që ka mbi anatominë, se një trupi kur i pritet gjysma, ai nuk mbijeton! Kështu na paraqitet sot Parlamenti i Shqipërisë! Kryeministri e di që kësisoj vendi vrapon me galop të çmendur drejt së panjohurës! Edhe mbrëmë ai e humbi rastin për të ofruar zgjidhje! Të shpresojmë që janë manovra për të gjetur rrugëdaljen! Sa më shumë vonohet, aq më tepër ia shton koston vendit, i cili në mënyrën e tij pretendon se e do! Në fjalimin tjetër që do na mbajë së shpejti do ketë më shumë ankth e më shumë panik! Ky është një realitet që nuk shmanget dot as me hipokrizi, as me kërcënime, as me fytyrë të pikëlluar dhe as të vrerosur! Thjesht, duhet kurajë! Urojmë që fjalimi tjetër të jetë shprehje e kurajës politike e qytetare, i cili zgjidh krizën! Ai i mbrëmjes që shkoi ishte fyes për të gjithë ata që mendojnë se Kryeministri duhet të jetë njeri serioz që konsideron vendin më të rëndësishëm se karrigen e vet! Shqipëria të ka dhënë mjaft, i dashur Edi Rama! Ka njëzet vjet që të mban në pushtet! Ktheja me një ndjesë 20 minuta mundësinë e zgjedhjeve të lira e të ndershme sepse do të ndodhë gjithsesi!

*Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura