Fjalimi i Blushit/ “Byroja e Hetimit po përdoret për të marrë një vizë amerikane”

Feb 11, 2016 | 15:11
SHPËRNDAJE

Deputeti i partisë Socialiste Ben Blushi ka vijuar nga foltorja e Kuvendit me akuzat e tij për qeverinë, duke ironizuar kryeministrin e vendit Edi Rama për vendet e punës që “janë më shumë se sa ka qytetarë” sipas tij, teksa ka nënvizuar se ashtu si ligji i dekriminalizimit që nuk po gjen zbatim, ashtu nuk do gjejnë zbatim as ligji për Byronë Kombëtare të Hetimit dhe Reforma në Drejtësi.

Ben Blushi
Ben Blushi

FJALIMI I BEN BLUSHIT

Ne që jemi këtu por edhe gjithë shqiptarët kanë nevojë të dinë se çfarë përfaqëson Byroja Kombëtare e Hetimit dhe si e avancon luftën kundër korrupsionit dhe luftën kundër zyrtarëve të lartë, se për këtë është bërë. Bëhet fjalë për një Byro e cila ndryshe nga Prokuroria, apo organet e hetimit në fuqi do kenë më shumë pushtet dhe më shumë mundësi për të luftuar krimin dhe korrupsionin në nivele të larta politike. Por hezitimi për ta kaluar Byronë Kombëtare të Hetimit dhe Reformën në Drejtësi nuk është fare çudi. Ky Parlament ka një tipar nga i cili nuk shpëton dot. Ka shpejtësinë për tu bërë i ngathët dhe ngathtësinë për tu bërë i shpejt për gjëra të parëndësishme. Bëhet shumë i shkathët kur nuk duhet dhe shumë i ngathët kur duhet siç është rasti i reformës në Drejtësi, e cila po shtyhet dhe po vonohet pa asnjë shkak.

Ajo që po bëjmë ne në këtë Parlament herë pas here i ngjan atij bujkut që në vend që të bëhet me korrje dhe mbjellje, i shtyn ato për vitin e ardhshëm, e mbush kazanin e tij me fara kungulli që i mjaftojnë për tu ushqyer për 10 vjet. Dua ta theksoj se Parlamenti jonë e ka këtë tipar për të shtyrë emergjencat. Kështu ndodhi edhe me ligjin e dekriminalizimit, i cili u miratua në limit kohor para 2 muajsh. Për fat të keq megjithëse ligji ka hyrë në fuqi dhe është futur në një procedurë të pakuptueshme për tu shoqëruar me disa akte nënligjore, çfarë ndodhi? Asgjë s’ka ndodhur akoma. Asnjë nga ata që presupozonte se do ishte subjekt i ligjit, nuk e la këtë Parlament dhe asnjë mandat siç parashikonte ligji nuk u ndërpre, në Kuvend, në Pushtetin Lokal apo në administratën publike për shkak të hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Edhe kush është perceptimi që kanë njerëzit? Ne në fakt bëjmë ligje por nuk i zbatojmë. Ne bëjmë një gjë në këtë Parlament, bëjmë pakte dhe gjejmë konsensus se si të mos ndëshkohemi reciprokisht. Kjo që po ndodh me ligjin e dekriminalizimit, se mesa duket do hyjë në fuqi në Parlamentin e ardhshëm, mesa duket ka për të ndodhur edhe me Reformën në Drejtësi dhe Byronë Kombëtare të Hetimit. Ligj për dekriminalizimin pati, por dekriminalizim nuk ka dhe mesa duket nuk do ketë.

Ne po bëjmë një pakt për të mos u ndëshkuar. Shqiptarët ndoshta nuk e dinë çfarë është reforma në drejtësi, nuk janë të qartë se nuk po shpjegohet se çfarë është Byroja Kombëtare e Hetimit. Por në fakt ata e dinë se çfarë nuk duhet të jenë. Nuk duhet të jenë një pakt mes të korruptuarve të dy palëve tona. Nuk duhet të jetë një vizë për të hyrë në ambasadën e SHBA se kështu po përdoret Byroja Kombëtare e Hetimit. Nuk duhet të jetë një pengesë për të hetuar korrupsionin në Shqipëri. Çështja është se shtyrja e miratimit të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe të Reformës në Drejtësi në tërësi nuk është vetëm kaq, është një pengesë për të ashtuquajturat reforma në Shqipëri. Shtyrja e kësaj reforme të reformave i dobëson deri në nul të gjitha pretendimet e Qeverisë se ka reforma në Shqipëri.

Qeveria pretendon se ka ndaluar kalimin e semaforit me të kuqe dhe mirë ka bërë në fakt, por nuk ndalon dot një deputet me kontrabandist në makinë. Qeveria pretendon se po bën shtet, por nuk ndalon dot për arsye të pakuptueshme që në fletoren zyrtare të mos botohen 220 akte ligjore dhe nënligjore dhe 180 tendera me pretendimin se nuk ka kohë dhe nuk ka letër në disa raste. E dini pse ndodh kjo? Se nuk ka drejtësi. Qeveria pretendon se janë hapur vende pune me shumicë dhe unë jam një nga njerëzit që e inkurajoj këtë gjë. por më habit ajo që pashë dy ditët e fundit. Doli kryeministri dhe i bërtiste shqiptarëve se pse nuk punojnë, se ka aq shumë vende pune sa ata nuk i marrin. Pashë kryeministrin që u thoshte shqiptarëve “ju harxhoni kohën në bixhoz, në loto, duke pirë kafe, cigare”. Po a mund të ndodhë kjo që kryeministri ti bërtasë popullit të vet se nuk punon?

Ka shumë qeveri në botë që ankohen, qajnë dhe përpiqen se nuk hapën dot vende pune aq sa duhet. Por qeveri që thotë se ka më shumë vende pune se qytetarë unë këtë nuk e kam parë. E tha kryeministri, u habita shumë. Ai tha “në Korçë është një fabrikë që kërkon kasap. Por në Korçë ka më shumë juristë se kasap dhe fabrika nuk punon dot se nuk gjen kasap”. Kam një sugjerim për ata që kanë atë fabrikë, që të mos shkojnë në faliment të presin miratimin e ligjit për dekriminalizimin sa të hyjë në fuqi pasi jam i sigurt se do të gjejnë më shumë kasapë që mund të vijnë në atë fabrikë. Pa bërë shaka për fat të keq kjo është e vërtetë. Të mos shkojmë në një pikë që shqiptarët që na shohin në televizor mendojnë se ne tallemi me ata. Se ne ia hedhim drejtësisë dhe kjo është arsyeja që ne bëjmë reforma, për ti ikur ligjit. Që ne akuzojmë shqiptarët se i japim punë, por ata nuk duan të punojmë. Se ne i tallim se ata nuk kanë aftësi të mësojnë. Se ne i japim punë të kualifikuar por ata janë të pakualifikuar dhe duhet ti fusim nëpër shkolla profesionale që të mësojnë se si të emigrojnë. Se as Gjermania nuk i pranon kur janë kasapë pa diplomë.

E fundit fare dua tu them që për fat të keq, duke shtyrë reformën në Drejtësi, hetimin për ne, Byronë Kombëtare të Hetimit, po i bindim shqiptarët se këtu ekziston një pakt dhe një konsnesus që të mos ketë hetim dhe të mos ketë ndëshkim për politikanët.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura