Fjalët rrënqethëse të vajzës së arrestuar për trafik droge: U nisa për te varri i mamit, por…

Nov 20, 2015 | 9:35
SHPËRNDAJE

Rreth 4 vite më parë ajo po përpiqej të linte drogën, duke u trajtuar në një nga qendrat e kryeqytetit përmes terapisë mbajtëse me metadon. Sot është një prej 26 të arrestuarve si pjesë e bandës së shpërndarjes së heroinës dhe kokainës në vend.

Sonila Dinoshi
Sonila Dinoshi

Sonila Dinoshi ishte 17 vjeçe kur u përfshi për herë të parë në trafikun e drogës, sepse donte të shpëtonte nënën e saj të sëmurë, e pasi vuajti dënimin prej 3 vite e gjysmë burg, donte të largohej nga kjo rrugë.

Gjithçka, 31­ vjeçarja e ka rrëfyer për “Gazeta Shqiptare” në janar të vitit 2012, por sot duket se nuk ia ka dalë.

Një dëshmi që tregon se si ky sistem nuk ndihmon aspak njerëzit që duan të lënë drogën e, nga ana tjetër, s’bëjnë asgjë për rehabilitimin e tyre pas daljes nga burgu, duke i ekspozuar drejt së njëjtës rrugë. “GSH” risjell sot të plotë, historinë e vajzës, nënë e një fëmije të braktisur nga i shoqi.

Rrëfimi

Ishte vetëm 17 vjeçe kur mori vesh se nëna e saj ishte e sëmurë me kancer. Mes jetës në varfëri vendos të kërkojë punë për të përballuar sadopak shpenzimet për kurimin e njeriut më të shtrenjtë për të. Por realiteti i hidhur e përplasi për katër herë radhazi me pronarë biznesesh të etur për të bërë pronë të vetën edhe vajzën e mitur.

E edukuar me frymën se një femër nuk mund të shesë trupin e vet, në çfarëdo vështirësie që të ndodhet, Soni D. vendos të merret me shitjen e drogës, duke e parë si të vetmen alternativë që mund ta nxirrte familjen e saj nga hendeku ku ishte fundosur.

“Arrita të shisja drogë për dy vjet rresht. Atëherë u transformova. Nga një vajzë me një trup shumë të bukur, që mund të vishej bukur e të ekspozohej, fillova të vishesha si çun, sepse, duke marrë parasysh punën që po bëja, të mos i lija asnjeriu përshtypjen se unë isha një vajzë e lehtë për t’u përdorur”, – rrëfen 26­vjeçarja, duke ndezur një cigare.

“E bëja vetëm për mamin. Të paktën ato që i kishin munguar gjatë gjithë viteve t’i kishte në ato pak ditë jetë që i kishin ngelur. U mundova të mos i mungonte asgjë, dhe thjesht nga ilaçet që i bleva arriti të mbijetonte edhe 10 muaj të tjerë”, – thotë Soni dhe sytë i mbushen me lot, ndërkohë që zëri fillon t’i dridhet.

Ajo flet qetë, ngadalë, me një zë të ulët e të ëmbël. E veshur në tuta sportive dhe atlete, me një kordele te koka, Soni ngjan me një fëmijë të pafajshëm e të papërballur ndonjëherë me sfidat e jetës, por është krejtësisht e kundërta.

“Kur fillova të shisja drogë, fillova edhe të pija. Kur e kam parë mamin tim pas operacionit, u shokova dhe nuk dua ta kujtoj tani. Atëherë kam pirë për herë të parë. Kam pirë shtatë muaj rresht, e lashë, u kurova me metadon më pak se një vit. Kur dola nga burgu e fillova prapë, por u bëra pishman shumë shpejt. E kuptova që ishte diçka që nuk ia vlente të vazhdohej më tej…”

Burgu

Duke ditur që nënës i ngeleshin edhe pak kohë nga vdekja, vajza vendos të shkëputet nga shitja e drogës, por nuk mundi t’i shpëtonte dot policisë. “Mami vdiq më 5 tetor, unë jam arrestuar në 15 tetor, vetëm 10 ditë pas vdekjes së saj. U dënova 7 vjet e gjysmë, ndërkohë që kisha 1 muaj që isha shkëputur nga shitja e drogës dhe ditën që më kanë kapur rastisa në kohën e gabuar, në vendin e gabuar”, – rrëfen Soni.

Ishte nisur për te varri i së ëmës, por nuk mbërriti kurrë atje. Rruga iu ndërpre nga “spiunët e policë”, siç i quan ajo, dhe që pas kësaj do të qëndronte për 3 vjet e gjysmë në burg për të vuajtur dënimin e saj.

“Kur rashë në burg, nuk kishte kaluar shumë kohë nga vdekja e mamit dhe ende nuk isha mësuar me idenë që mami kishte vdekur. Kur u ktheva në shtëpi, e gjej shtëpinë të mbushur me fotografitë e mamit, gjë që nuk më bëri mirë. Familjarët e mi ndoshta menduan që do ta ngrohnin shtëpinë po të ishte ashtu, por unë u shokova shumë. Mund të them që ishte një traumë e tretë për mua: e para ishte vdekja e mamit, e dyta ishte futja në burg, që ishte asgjë para vdekjes së mamit, dhe kjo e treta, që nuk po përjetoja dot mirë as daljen nga burgu”, – vazhdon rrëfimin 26-­vjeçarja.

Fëmija

Pavarësisht gjithçkaje, ajo sërish i gjeti forcat te vetja për të vazhduar përpara dhe jeta e deshi që të takohej dhe të dashurohej me një djalë. Vetëm pak kohë pas njohjes, Soni ngelet shtatzënë, duke e konsideruar fëmijën që mbante brenda saj një dhuratë që po i bënte e pamëshirshmja jetë. Por, babai i fëmijës nuk deshi kurrë ta ketë një të tillë, duke e detyruar që të mos e mbajë fëmijën. Në luftë me drogën, tani Soni është duke rritur e vetme djalin e saj katër muajsh, të cilin e quan dritën e syve të saj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura