Fjalët që na çojnë prapa veprave

Apr 11, 2015 | 12:30
SHPËRNDAJE

PREÇ ZOGAJ

   Deklaratat e Kryeministrit të Shqipërisë në Ulqin, edhe pse në stofin e një muhabeti, janë pritur me shqetësim të pazakonshëm nga aleatët tanë strategjikë, Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Brukseli i konsideroi as më pak dhe as më shumë “provokuese”. Ambasada Amerikane në Tiranë kërkoi shpjegime dhe   këshilloi qëndrimin “larg gjuhës që nuk e çon përpara integrimin në  BE”. Për një vend si Shqipëria, që e ka kryeëndërr integrimin në BE,  këto reagime janë një kambanë alarmi. Duhet të jesh tepër i papërgjegjshëm për t’i injoruar.
Po cila është goditja që ka shkaktuar tallazitje në kryeqytetin politik të Europës dhe në Uashington gjithashtu? Është ajo që ka të bëjë me qasjen e Kryeministrit Rama për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën. “Pyetja është si do të ndodhë, a do të ndodhë në funksion të BE-së, si një proces i natyrshëm dhe krejt i mirëkuptuar nga të gjithë, apo do të ndodhë si një reagim ndaj një verbërie apo përtacie europiane”, ka thënë Rama në Ulqin gjatë një bashkëbisedimi në natyrë në televizionin “Klan Kosova”, ku ishte i pranishëm edhe ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi. Me fjalë të tjera, bashkimi ose do të bëhet me hir, në kuadrin e integrimit në BE të Shqipërisë dhe Kosovës, ose me pahir, me vetëvendosje, jashtë Europës së Bashkuar. Ta shohësh kështu nga jashtë, të shkëputur nga përparësitë dhe axhenda zyrtare e politikës sonë të jashtme apo nga gjeopolitika e periudhës që jetojmë, deklarata në fjalë është patriotike. E thonë, e kanë në mendje shumica dërrmuese e shqiptarëve. Mirëpo, Kryeministri dhe elitat politike nuk janë për të bërë retorikë, por politikë dhe diplomaci si profesionistë, në bazë të platformave të përpunuara e të miratuara, që kanë marrë votëbesimin e qytetarëve dhe Parlamentit. Dalja nga ky bosht kthen përmbys gjithçka. Zoti Rama e ka bërë zakon të dalë nga drejtimet e votuara, t’u jepet improvizimeve dhe protagonizmit individual. Në politikën e jashtme kjo është vetëvrasëse dhe me kosto për vendin. Prova më e qartë është vendosja e Kryeministrit të Shqipërisë në një trajektore të shmangies, të mosmarrjes seriozisht apo të paralajmërimeve nga aleatët tanë strategjikë. Nuk mbahet mend kur ka takuar për herë të fundit një zyrtar të lartë amerikan Kryeministri ynë.  
Po pse është provokuar Brukseli? E para, sepse Rama konfondon integrimin europian me bashkimin kombëtar, e padit integrimin për çfarë nuk është, dekonspiron apo ekspozon një mendim tjetër për integrimin sikur e synojmë vetëm për bashkimin kombëtar dhe jo për vlerat e tij të njohura, e vë në vështirësi Europën duke i atribuuar politikës së saj të zgjerimit qëllime që nuk i ka realisht, siç mund të ishte bashkimi i Shqipërisë me Kosovën. Në fakt, në sytë e Europës, por edhe në vetvete, integrimi i Shqipërisë dhe Kosovës në Europë nuk  nënkupton bashkimin e tyre në një shtet të vetëm. Bashkimi sigurisht do të ishte më i lehtë në realitetin dhe koniunkturën e një Europe të  bashkuar në të gjitha pjesët e saj natyrale, por nuk është automatik. Integrimi dhe bashkimi nuk janë i njëjti projekt. Bashkërenditja e tyre, -në retorikë, pasi projekt real bashkimi qeveria shqiptare nuk ka-  nuk bën gjë tjetër veçse vonon integrimin e Shqipërisë dhe Kosovës në Europë.  
E dyta, sepse nuk është etike dhe as korrekte të flitet për integrimin  me “nëse” nga Kryeministri i një vendi që s’ka shumë kohë që ka marrë  statusin e vendit kandidat dhe pret të hapë negociatat për anëtarësim të plotë. Politika e zgjerimit është zyrtarisht në fuqi. Hapja e negociatave si stacioni i parafundit drejt ëndrrës varet nga përmbushja e detyrave të shtëpisë. Qeveria nuk është kurrkund me detyrat e shtëpisë. Kjo po shihet qartë. Në vend që t’i shtrohet punës e të kapë kohën e humbur, Kryeministri sillet si një mbetës që përpiqet të na mbushë mendjen se mësuesi e ka inat. Askush nuk e ha këtë.
E gjithë deklarata e Ramës me leksionet pa sens për “Europën  strategjike” dhe “Europën taktike”, me tundjet e gishtit dhe me  kërcënimet pa hanxhinë përfaqësojnë një gjuhë që nuk e çon përpara  integrimin e vendit në Europë, siç u shpreh me elegancë Ambasada e Shteteve të Bashkuara. Përkundrazi. E ngadalëson, e vonon. “Historia  nuk i mëson askujt, asgjë”, shkruante me dëshpërim shkrimtarja e njohur italiane, Orjana Falaçi. Por historia duhet t’i mësojë   Kryeministrit të Shqipërisë dhe elitës politike të vendit se një  Tiranë megallomane në inercinë e enverizmit apo në prerjen e nacionalizimit arkaik vetëm e pengon aspiratën e shqiptarëve për integrim dhe bashkim, ndërkohë që hapja dhe bashkëpunimi i ngushtë me  aleatët strategjikë, në radhë të parë me SHBA, ishin dhe mbeten faktorët vendimtarë që kanë kthyer drejtësisht në skenë shekullin e shqiptarëve.
Integrimi në Europë është filli ynë kombëtar i arjanës për t’u kthyer përfundimisht në familjen tonë natyrale. T’i marrim punët me radhë. Le t’i kushtohemi njëqind për qind integrimit. Nga ana tjetër, ne jemi në të drejtën tonë të kemi dhe të punojmë për projektin e bashkimit. Por, ky nuk mund të jetë një katalog deklaratash populiste apo hileqare që shqetësojnë miqtë dhe armatosin me municion armiqtë, nuk mund të jetë një kartë e protagonizmit individual të Kryeministrit, nuk mund të jetë një kacek ere për të fshehur dështimet dhe mbi të gjitha, nuk mund të jetë një ndërmarrje aventureske, e pakonsultuar dhe e pakoluaduar me aleatët tanë strategjikë, me opozitën, me resurset e vendit e kështu me radhë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet mike të Europës kanë investuar shumë për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, për çështjen shqiptare në tërësi si një çështje e drejtë, zgjidhja e së cilës ka prodhuar e prodhon paqe dhe stabilitet në rajon. Ata që vijnë dhe e gjejnë shtruar sot, tregohen shumë të vegjël nëse mendojnë se mund të spekulojnë mbi këtë investim të madh me shashka patriotike pa doganë. Prudenca mbetet këshilltarja më e mirë. Çështja jonë kombëtare është në proces, është në rrugë. Bashkimi për ne ka specifikën se duhet shërbyer, duhet bërë dora-dorës në fusha që nuk cenojnë kufijtë apo vijat e kuqe që ka vënë komuniteti ndërkombëtar. Nuk ka nevojë të thuhet, të deklamohet. Aspiratës sonë për bashkim nuk i shkon zhurma, nuk i shkon show, por puna dhe urtësia. Rruga e Kombit dhe skuadra kombëtare, për shembull, janë dy prej arritjeve më të mëdha në këtë rrafsh. Ka ardhur koha që Rama të tregojë ç’ka bërë konkretisht qeveria e tij për fuzionin mes dy vendeve të një gjuhe, gjaku dhe historie. Retorika e tij, provokuese për Brukselin, shqetësuese për SHBA si dhe sterile për shqiptarët, nuk jep asgjë të mirë. Në të kundërtën, ajo rrezikon të na çojë prapa veprave që ka gjetur të bëra.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura