Fjala që ndaloi dje Gramoz Ruçi në Parlament

Oct 6, 2017 | 11:45
SHPËRNDAJE

gurakuqiROMEO GURAKUQI

Ndryshimi i sistemit zgjedhor kërkon përzgjedhjen e një modeli sa më të përshtatshëm për të përputhur vullnetin e zgjedhësve (atdheun real) me përfaqësinë (atdheun legal). Korrigjimi i sistemit në rastin tonë synon po ashtu, gjetjen e mekanizmave, që ndalin komandën qendrore, e cila urdhëron, porosit, kontrollon dhe zbaton blerjen me qesim të votës në një fasho shoqërore, para procesit zgjedhor. Ky ndryshim do shërbejë si reforma e parë nga do të duhet të fillojë puna e këtij Parlamenti.

Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm, pavarësisht bindjeve politike, se zgjedhjet e 25 qershorit, në vend që të prodhonin qëndrueshmëri politike dhe një pushtet të ri të pranueshëm nga të gjitha palët konkurruese, komform legjislacionit zgjedhor, kanë sendërtuar një supershumicë, duke sjellë një krizë të rendit publik dhe trazirë politike të re në horizont. Këto zgjedhje shënuan ndërtimin e një strukture të përsosur të kontrollimit të votës, në një territor dhe hapësirë të pakontrollueshme nga organet ligjzbatuese, përmes mëkëmbësve krahinorë të kandidatëve të qeverisë, të shndërndarë me një saktësi matematikore të mirëstudiuar, për çdo qendër votimi të luhatshme.

Por këto zgjedhje shpalosën edhe gjithë përçudninë e një sistemi të sajuar zgjedhor, proporcional regjional në një vend me strukturë administrative unitare, mbasi sërish lanë në fuqi kontrollin nga skutat e errëta të pushtetit, të ekonomisë dhe investimeve, të reformës në drejtësi, mekanizmave të rendit publik. Zgjedhjet u zhvilluan mbi hartën e ndarjeve qarkore disproporcionale, të zhbalancuara edhe më shumë nga reforma asimetrike territoriale dhe administrative.

D.m.th., përsëri do të kemi vërtet një vijim të qeverisjes socialiste, por edhe një krizë të sistemit demokratik, që ndodhet në rënie të lirë. Kjo për shkak se ardhja e pushtetit të ri nuk është e shoqëruar me një njohje deklarative të fitores, por vetëm nga spontaniteti i mbledhjes së këtij institucioni. Për katër javë seanca parlamentare, “fitimtarëve” u është mbushur mendja, se pas 25 qershorit ata kanë në dorë begatinë, fuqinë, të gjitha gëzimet e jetës në këtë vend.

Në fakt, fitorja e arritur është produkt i shpërdorimit të pushtetit dhe i ndërhyrjes në xhepat e mjerimit të Shqipërisë, një rezultat logjik i një dëshpërimi të pashpresë që mbizotëron në shpirtin e shumë njerëzve të thjeshtë. Shenjat tregojnë se vetë “fitimtarët” nuk ndihen komodë me rezultatin, dhe po kërkojnë të bëjnë një “Aleancë për Bashkëqeverisje”. Është veç një lëmsh kundërshtish grumbulluar në mendimin dhe sjelljen e një udhëheqësie me pushtet të pakufizuar. Përfytyroni të jetoni brenda mendjes, që sajon gjepura të tilla: Si koncepton kjo mendje qeverisjen, administratën, zgjedhjet, opozitën, demokracinë, lirinë, ndërtimin e përfaqësisë ndërshqiptare dhe kursimin e parave publike.

Janë të gjitha në një përkufizim të turbullt, herë populist dhe herë mospërfillës deri në arrogancë. Por a nuk e shohin dot se janë përpara një balance, ku në njërën anë është pushteti i fituar në mënyrën e sipërpërmendur, dhe në tjetrën është përgjegjësia e aktorëve dirigjues për dërrmimin e demokracisë, të standardeve të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, kontrolli i procesit elektoral përmes gangsterëve që arritën të kërcënojnë edhe asistentët e mi, diplomantë të shkëlqyer të ardhur nga perëndimi, me shpresën e një dite më të mirë për vendin?

Dhe kjo ka ndodhur pikërisht në ditën e votimit, në një zonë në qendër të qytetit të Shkodrës, ndërkohë që policia ishte inekzistente. Mos harroni se e tmerrshme nuk është vetëm dhuna në emër të ligjit, por edhe arbitrariteti, dhe ju e latë atë të rridhte, pavarësisht ndë- rhyrjes me garanci të faktorit ndërkombëtar. Dhe sot, ka ardhur dita të bëhet llogaria e parë: këtu në Kuvendin e Shqipërisë. Dita e votimit në heshtje, nuk fsheh dot katrahurën deformative të vullnetit të kontrolluar të popullit, me plan të menduar hollësisht me kohë.

Raporti i OSBE\ODHIR nxori në pah atë që e kam deklaruar që të nesërmen e votimit, se shitblerja e votës dhe financimet kriminale të zgjedhjeve ndikuan direkt në rezultatin e zgjedhjeve. Delegacioni i Asamblesë së Këshillit të Europës po ashtu konstatoi përpjekje për të ndikuar në votuesit në masën 5% të rasteve nga persona të paautorizuar. Mua në fakt kjo shifër, sipas përllogaritjeve të arsyeshme, më shkon mbi 15%; prania e një numri grupesh të paautorizuara “aktivistësh” jashtë qendrave të votimit: ishin qesimtarët, mbajtësit dhe kontrolluesit e listave të parave të shpenzuara nga mëkëmbësit paraprakisht.

Kjo është pamja që kanë arritur të fotografojnë vëzhguesit perëndimorë dhe çdo njeri i vëmendshëm në terren. Dhe cili ishte produkti? Zgjedhjet e lira dhe të ndershme dështuan, një superpushtet rrëshqiti nga frerët dhe po derdhet në kapjen e institucioneve kryesore të shtetit, mbi sistemin e drejtësisë. Jeni ju që po e çoni reformën në drejtësi drejt falimentit, me deformimin parimor të saj; jeni ju që po rimodeloni administratën në mënyrë rastësore, për arsye të synimit të zbrazjes së pjesës së mbetur të profesionistëve dhe popullit opozitar sërish në ikje, për të punësuar militantët me diploma false, apo të diplomuar në “universitetet” që vetë kjo qeveri i mbylli.

Jemi në rrethanat e prodhimit nga zgjedhjet, të një pushteti formalisht legjitim, por në thelbi moral dhe material, të deformuar. Dhe unë i mbetëm serish qëndrimit se ky pushtet i prodhuar në këtë formë, do të duhet të kufizohet me arsye dhe me një marrëveshje të ndërmjetë- suar reformash. Institucioneve të dobësuara ju po u përshtatni “ndërtesa” gjysmë të rrënuara, por kjo do të thotë njëkohësisht që Shqipëria të ecë institucionalisht e pareformuar, me kushtetutën e saj të arnuar në mënyrë inkoherente, me ndarjen tuaj administrative përçarëse, me kodin zgjedhor irracional, klientelist dhe përjashtimor, me Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit të pandara nga njëra-tjetra dhe me Reformën në Drejtësi të kontrolluar tashmë nga një dorë e vetme.

Jemi në një fazë të pluralizmit jo funksional, në një vend të kontrolluar nga një qeveri, në të cilën është “martuar” enverizmi i “paharruem”, me gangsterizimin politik. Parlamenti priret të shndërrohet në një institucion vendimmarrës unilateral pa shpirt të pluralizmit, siç e pamë javën e kaluar, dhe sot, drejtuar me bilbil policor të mbajtur në gojën e snajperistit vrastar të vitit 1991. Pse ende Shqipëria duhet të ecë nën hijen e punizmit, edhe 26 vite pas rënies së fasadës së kësaj ideologjie e politike në këtë vend?

E ndiej për detyrë ta theksoj, që prej tre javësh Publiku po sheh një drejtim të ekzekutivit me dy pamje: a. të trimëruar, ironizues, tallës e poshtërues me opozitën dhe me këdo që bën pjesë në popullin asnjanës; dhe së dyti, një ekzekutiv “indiferent” në dukje ndaj çdo zëri të pavarur publik e mediatik, injorues dhe moskokëçarës ndaj ekspertizës. Më duhet t’jua bëj me dije, i nderuar zoti Kryeministër, se po arnoni parimet e reformës në drejtësi, të paanshmërisë së sistemit, dhe qeverisjes së balancuar, pasi keni shtrembëruar frymën e parlamentarizmit përmes policimit të fjalës së deputetëve dhe shpirtit tradicional, që kësaj salle ia kanë dhënë themelonjësit e parë.

Ju nuk doni ta kuptoni, se nuk mund të ndërhyni në sistemin e drejtësisë. Prania e njerëzve tuaj të fushatave dhe spastrimeve në administratë, brenda qelizave fillestare bazë të organizmit të ri, është e papranueshme. Ju nuk mund të bëni veting nga institucionet, që varen nga ju, as nuk mund të bëni përmes tyre hetime paraprake, sikurse ka ndodhur muajt e fundit pa mandat.

Më lejoni t’ju them, zoti Kryeministër, se metoda që keni zgjedhur veç do shtrembërojë marrëveshjen kushtetuese të korrikut 2016. Është krijuar përshtypja në vend se qeveria komandohet nga interesa ekonomike e financiare obscure, që shkojnë përkundër ndërtimit të një tregu të lirë të rregulluar, përkundër interesave të një shoqërie të hapur të europianizueme dhe të një mjedisi pluralist nacional. Në qoftë se shoqëria shqiptare nuk arrin të bëjë një verifikim e korrigjim të kësaj situate, atëherë historia e lirisë në këtë vend është e ndërprerë, zhvillimi i vendit është i dëmtuar radikalisht, demokracia pluraliste tërësisht e zhvleftësuar, dhe kjo do të kontribuojë në përmbylljen e procesit të djegies edhe të një brezi tjetër shqiptarësh, duke e kthyer prapa tashmë procesin e integrimit të vendit.

E ardhmja e këtij vendi ka për të qenë anarkike, pa garancitë përbërëse për ndryshim, pa qartësinë e nevojshme për aspektet ku do të duhej të përqendrohet, pa projektin e detajuar dhe ekspertizën e nevojshme për korrigjimin e sistemit të institucioneve të degraduara. Ju nuk po tregoni kujdesin minimal për të ringjizur unitetin e brendshëm në popull, madje jeni duke bërë të kundërtën dhe dita e sotme është një provë faktike. I mbetëm pikëpamjes se ka ardhur koha për një sipërmarrje të madhe reformuese, që do të synojë përforcimin e gjithë Shtetit, i cili duhet të stabilizohet në liri dhe shpirtin demokratik jo policor, shekullarizmin e pastër dhe europianizimin e njëmendtë.

Hapi i parë duhet të jetë reforma zgjedhore, të cilën kemi ardhur sot ta promovojmë. Bëhet fjalë për shtetin e qytetarëve të barabartë para ligjit, ku komanduesit e zgjedhjeve të fundit të zhduken njëherë e mirë nga operativiteti antiligjor. Partia Socialiste ka përgjegjësinë dhe duhet të ndalet e mendojë: A ka ardhur koha që socialistët shqiptarë të veprojnë si forcë e mirëfilltë moderne, demokratike, tolerante politikisht dhe organizativisht, dhe ta riimpostojnë udhëheqësinë mbi bazën e arsyes dhe të së drejtës, në të mirë të shoqërisë në tërësi dhe pa dallime?

Kriza politike e fillimvitit nuk është zgjidhur, përkundrazi, mund të konsiderohet e rënduar. Nevoja për një zgjidhje politike, që do të duhet të çmontojë të gjithë sistemin korruptiv dhe ilegal, që organizon farsa të tilla elektorale pushtetmbajtëse, me përdorim masiv të gangsterëve dhe parave të drogës, trafiqeve, ndërmarrjeve private klienteliste, është vendosur në rendin e ditës. Kjo për ju fillon me zëvendësimin e burimit subjektiv të krizës, burim që gjendet në mendjen, zemrën, shpirtin e liderit tuaj.

Duhet ta lini pas krahëve. Unë u drejtohem njerëzve të ndershëm që ka mjaft në këtë sallë, njerëzve fisnikë të këtij vendi që po vuajnë peripecitë e këtij sistemi; u drejtohem prindërve, fëmijët e të cilëve ndonëse të shkolluar, po largohen çdo ditë; prindërve që kanë përcjellur në mëngjes fëmijën e tyre për në shkollë: Është koha për t’u ndalur dhe menduar thellë për të ardhmen e tyre.

Më së pari këtë duhet ta bëni ju “fitimtarët”, për liderin tuaj kaotik. Frenimi i reformimit politik vjen prej vullnetit të tij të kornizuar, shkollës ku ai ka ndërtuar formatin edukativ. Dhe kjo është pengesa e parë që duhet të kapërceni. Është mirë që të mos harrojmë njerëzit e varfër të këtij vendi që dikush priret pa dhimbje t’i shkelë me këmbë. Mendoj se është koha kur duhet të përgatiten gradualisht kushtet dhe të zgjidhen teknikisht modalitetet për të shkuar drejt një pakete reformash që do të korrigjojë Republikën e Oligarkisë dhe do ta shndërrojë atë përmes reformave, në një Republikë të Qytetarëve.

Reforma elektorale modernizuese që do t’i mundësojë çdo shtetasi shqiptar me pasaportë shqiptare dhe me të drejtë votë, të votojë kudo që ndodhet, reforma që do të krijojë simetrinë e përfaqësimit të elektoratit në organin sovran, është e para që mund ta bëjmë të gjithë bashkë me vullnet të mirë. Ka ardhur momenti për të përforcuar një sens të gjerë të përgjegjësisë, për ta vendosur inteligjencën e brezit të ri të këtij vendi, të shkolluar jashtë dhe brenda vendit, në shërbim të luajtjes së një roli të rëndësishëm në jetën kombëtare.

Duhet të ishim në një epokë ku populli ynë të arrinte gjithçka me anën e zhvillimit të ligjshëm të lirisë së vet dhe me anën e veprimit paqësor të instituteve kushtetuese. Por për fat të keq, ndodhemi në kohën kur Kasta që drejton vendin, po i shkatërron këto institute dhe mbi të gjithë institutin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, përmes veprimit të elementëve më të errët të shoqërisë.

Ky grupim, mëkuar me kujdes në shkollën e dredhive dhe të zellit për të përforcuar një rreth të ngushtë të njerëzve të ish-Bllokut dhe ish-Ministrisë së Punëve të Brendshme të diktaturës, i ka vendosur jetës sonë disa kufij që nuk ekzistonin deri para ardhjes së tyre në krye të punëve të vendit. Vendi shkon drejt shtrëngimeve të mëtejshme, ndërkohë që shoqëria është e paaftë të reagojë, për shkak të ikjes së pjesës së vetëdijshme të saj, llogorizimit dhe kontrollit të pilotuar politik të elektoratit të mësuar historikisht më pasë vetëm një busull për arsye nga më të ndryshmet, frikës nga heqja e mundësisë për mbijetesë.

Duhet bërë një dallim i qartë midis mirëqenies së një vendi dhe mirëqenies së një grupi njerëzish rreth e qark institucioneve kryesore të administruara nga qeveria. Vendimmarrja politike e Shqipërisë aktuale është vendosur në një “sallë”, brenda së cilës pakkush e din se çfarë do të thotë vetëpërmbajtje dhe grykësi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura