Fjala e fundit si ministër, kandidati i PS-së për Tiranën, Veliaj: Si aktivist i MJAFT-it kemi kritikuar qeveritë që s’kanë pasur plan për rininë

Apr 21, 2015 | 16:34
SHPËRNDAJE

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, prej pak ditësh edhe kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës, zhvilloi një takim me disa të rinj pranë rrugës së “Kavajës”. Në fjalën e tij, Veliaj tha se kanë ngelur shumë pak parqe dhe hapsira publike dhe vend dhe për këtë, të rinjtë duhet t’i kërkojnë llogari të zgjedhurve vendor për zgjedhjet e 21 qershorit.

Erion Veliaj takim me te rinjte prane rruges se “Kavajes”

“Një pronë publike duhet t’i kthehet publikut dhe rinisë. Ndaj dhe insistoj edhe për debatin e 61 bashkive, do të doja prej secilit prej jush që të kërkoni garanci për hapësirat publike. Imagjinoni, një i ri që ende nuk ka punën e vet, çfarë fuqie ka në publik në momentin që të gjithë ndërtesat janë në dorë të atyre që ndikojnë tek politikanët”,-deklaroi Veliaj.

Duke thënë se flet për herë të fundit si ministër i Mirëqenies Sociale me të rinjtë, Veliaj tha se Këshilli i Ministrave pritet të miratojë së shpejti Planin Kombëtar të Veprimit për të Rinjtë.

“Doja që takimi i fundit si ministër i Mirëqenies Sociale, ta mbyllnim me një produkt konkret. Unë kam qenë aktivist me Mjaftin dhe gjithmonë kemi kritikuar ato qeveri që kurrë s’kanë pasur plan për rininë. Dhe gjithmonë e kam pasur neveri politikën që thotë se rinia është e ardhmja e jo e tashmja. Doja që ta mbyllnim këtë rrugëtim duke botuar planin kombëtar të veprimit për rininë, i cili është një manual jo vetëm për këtë qeveri, por edhe për ato që do të vijnë për sa duhet të buxhetojmë për praktikat mësimore, për qendra rinore dhe hapsira të tilla; dhe për herë të parë kemi një plan. Ndaj edhe ky dokument kalon si një detyrë në Këshillin e Ministrave”,-tha Veliaj. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura