Fitorja me Kamzën, Hidi: Ishim të tensionuar, ja çfarë na motivon te Teuta

Sep 3, 2018 | 18:15
SHPËRNDAJE

Isli Hidi ia ka vendosur “kyçin” portës së Teutës. Asnjë gol në 270 minuta mund të konsiderohen një sukses më vete për portierin e durrsakëve. Edhe dje ai ishte një ndër protagonistët e ndeshjes, pasi në disa raste shpëtoi kuadratin me pritjet e tij. 37-vjeçari ndihet i kënaqur me fitoren që mori ekipi, megjithatë me modestinë që e karakterizon për “Panorama Sport” theksoi se bëri vetëm detyrën.

isli hidi

Pritjet vendimtare edhe në këtë 90-minutësh…

Detyra e portierit kjo është: të mbrojë portën. Ishte një fitore tepër e rëndësishme, pasi kishim bërë dy ndeshje të mira, por nuk fituam. Kjo fitore do të na ndihmojë edhe më shumë për t’u rritur si ekip. Kamza bëri një lojë të mirë, na vuri në vështirësi, por në fund rëndësi kanë 3 pikët dhe ne jemi të kënaqur që i morëm. T

euta vuajti së tepërmi, mos ishit disi nën presion pas dy ndeshjeve pa shënuar?

Kamza nuk pati shumë raste, por ndoshta ne ishim pak më të tensionuar sepse fitorja na duhej me patjetër. Ky fakt beri që të hasnim në vështirësi, por ditëm të shfrytëzonim rastet. Sa i përket golit, nuk besoj se ka pasur ndikim, pasi ne kemi bërë shtylla, kemi pasur shumë raste, por na ka munguar fati. Sot (dje) patëm më pak raste, por ishim më efikas dhe kjo ka rëndësi. Fati është tepër i rëndësishëm dhe duhet ta kesh me vete.

Pasi janë luajtur 3 javët e para dhe kundërshtarët i njihni më mirë, a mund të na thoni që konsideroheni si pretendentë?

Në këtë sezon nuk ka shumë diferenca mes ekipeve. Ajo skuadër që tregon më tepër karakter dhe shpirt gare do të bëjë një kampionat më të mirë. Besoj se po të japësh maksimumin në fushë, mund të bësh mirë në këtë kampionat.

Ku duhet të përmirësohet kjo Teutë?

Teuta është një ekip i riformuar. Kemi disa prurje të reja, si Progni që erdhi vetëm pak ditë më parë. Jemi në rrugën e mbarë, por kemi akoma punë për të bërë. Nuk duhet të kënaqemi me pak dhe gjithmonë duhet të japim maksimumin. Kjo fitore është vetëm një 3-pikësh, nuk ka vend për eufori. Duhet të punojmë shumë për të arritur aty ku duam.

Shkëmbi i qetë në stol, por i ashpër në stërvitje. A është ky çelësi i suksesit?

Stërvitja ndryshon nga ndeshja, aty duhet të mësosh dhe më pas direktivat që merr t’i zbatosh. Në ndeshje duhet t’i japësh lojtarit besim, kurse në stërvitje është normale edhe të gërthasësh. Besoj edhe qetësia e trajnerit tonë na jep edhe neve mundësinë që të motivohemi edhe më shumë, ndaj dua ta përgëzoj Shkëmbin.

Drilon Xhepollari

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura