Fitorja e tri pikëve me Serbinë, si e pasqyruan mediat ndërkombëtare vendimin e CAS-it

Jul 10, 2015 | 18:22
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Pas zbardhjes së vendimit nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv për dhënien e tri pikëve Shqipërisë ndaj Serbisë, lidhur me ndeshjen e ndërprerë në tetor të vitit 2014, të shumta kanë qenë edhe komentet në mediat ndërkombëtare.

Foto marre nga faqja e “BBC Sport”

Lajmi i përmbysjes së vendimit të UEFA-s ka bërë jehonë në mediat e huaja, të cilat kanë pasqyruar vendimin e CAS-it, duke bërë edhe një kronologji të ngjarjeve që pas ndërprerjes së ndeshjes dhe dy vendimeve që UEFA mori më pas.

Titujt që mbizotërojnë në media fokusohen tek marrja e tri pikëve nga Shqipëria ndaj Serbisë, ndërsa shkrimet shoqërohen me pasqyrimin e vendimit të zbardhur të CAS-it.

 

Agjencia e lajmeve “Ansa”:

“Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë ka përmbysur vendimet e mëparshme të UEFA-s për ndeshjen e luajtur më 14 tetor mes Serbisë dhe Shqipërisë, e vlefshme për kampionatin ‘Euro 2016,’ duke i dhënë fitoren Kombëtares së Tiranës”. Kështu e nis shkrimin e saj agjencia italiane e lajmeve “Ansa”, e cila bën një përmbledhje të vendimeve të mëparshme të marra nga UEFA. 

“La Repubblica”

Gazeta italiane “La Repubblica” e nis lajmin e saj me titullin “Kualifikueset e ‘Euro 2016’, CAS i jep të drejtë Shqipërisë: Serbia humb në tavolinë”. Në hyrje të shkrimit thuhet se Gjykata e Arbitrazhit Sportiv ka vendosur të kthejë vendimin e UEFA-s, ndërsa citon edhe deklaratën e trajnerit të Kombëtares, de Biazi, i cili ka thënë se: “Europian është afër”. 

“BBC”:

Vendimi i CAS-it është pasqyruar edhe nga “BBC” me titullin “Serbi-Shqipëri: CAS kthen vendimin e UEFA-s për ‘dronin e ndeshjes’. “BBC”, shkruan se Shqipërisë i është dhënë një fitore 3-0 ndaj Serbisë, duke ndryshuar vendimin e UEFA-s pas braktisjes së ndeshjes kualifikuese për Kampionatitn Europian. Në shkrim thuhet se ndeshja u braktis pas futjes së dronit me një flamur pro-shqiptar, duke bërë që takimi të ndërpritej në Beograd pa përfunduar pjesa e parë.

Sipas “BBC”, UEFA për këtë takim vendosi t’i jepte tri pikë Serbisë, por CAS gjykoi që ishte reagimi i tifozëve vendas dhe organizatorët e ndeshjes që bënë të mundur braktisjen e lojës.

“The Guardian”: Shqipërisë i jepen 3 pikë pas ndeshjes së ndëprerë me Serbinë nga një dron

Prestigjozja “The Guardian”, shkruan se Shqipërisë i është dhënë një fitore ndaj Serbisë nga ana e Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv, që ka sfiduar me suksese sanksionet e vëna nga UEFA. Në shkrimin e saj, gazeta britanike bën edhe një përmbledhje të incidenteve të ndodhura më 14 tetor të 2014-ës në Beograd, si dhe të dy vendimeve të UEFA-s për ndërprerjen e kësaj ndeshjeje.

“Skysport”:

Vendimi i CAS është komentuar edhe nga “Skysport”, i cili thekson se Shqipëria fiton tri pikët ndaj Serbisë, në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, pas braktisjes së lojës në tetor të vitit të kaluar.

“Skysport” shkruan se CAS vendosi që përgjegjësi për ngritjen e dronit në Beograd ishte e Shqipërisë, ndarsa Serbisë t’i hiqen tri pikë.

“b92.net”

Një fitore e Shqipërisë ndaj Serbisë është vendosur nga CAS, shkruan “b92.net”, duke bërë një pasqyrim të shkurtër të vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv.

“Supersport.com” 

“Shqipërisë i jepet fitore ndaj Serbisë nga CAS”. Ky është titulli që “Supersport.com” ka zgjedhur për vendimin e dhënë këtë të premte nga Gjykata. “Supersport.com” shkruan se CAS vendosi se Shqipëria nuk refuzoi të luaj në një atmosferë armiqësore, por ishte përgjegjëse Serbia që ndeshja nuk u përfundua.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura