Fitorja e radhës për cigaren

Dec 8, 2014 | 15:13
SHPËRNDAJE

Gjatë të gjitha minutave që të duhen për të mbërritur në vendin e takimit, mendon se si do të mund ta shtysh bisedën e paparashikueshme, pa tematikë, me të panjohurin, pa pirë një cigare?! Nuk ke as si i thua po dal pak jashtë e kthehem përsëri sepse nuk njiheni. Shpresa e vetme është të jetë edhe bashkëfolësi duhanpirës e kështu mund ta transferoni bisedën nga brenda jashtë e të riktheheni sërish. Bukur! Kështu le të ndodhë! Ndërkaq duhet të kesh mbërritur në zonën e vendit të takimit. Hedh sytë përreth, por nuk njeh më asgjë. Trotuari nuk është më aty. Grumbuj njerëzish marrin e japin me njëri-tjetrin, sepse shyqyr, është hapur temë bisede. Bari ku kishe lënë takimin nuk është më. “Alo, duhet të takohemi diku tjetër, sepse aty ku e kishim lënë po bëhen punime. Ok, po pres këtu te rrota e pasme e fadromës e pastaj shohim ku mund të shkojmë tjetër”. Kafeneja tjetër, ishte zgjedhje e rastësishme, por e sigurt, sepse nuk kishte përreth asnjë shtesë, kështu që nuk rrezikonim të na ngrinin me gjithë karrige. Me të hyrë brenda, kuptoje gjithashtu që gjithë dilemat për atë punën e cigares që kishe pasur më parë, u zgjidhën. Nga që, je mësuar prej pak kohësh që në ambiente të brendshme të ndihesh e pastër, pa re tymi mbi kokë, e kupton menjëherë që aty ku ke shkelur, ka diçka familjare. Cigarja lejohej haptazi. Nuk kishe nevojë ta mbaje gjysmë të fshehur ose të rrije gjithë kohës me dorë poshtë tryezës.
Jo, jo mund ta pije lirshëm sa dhe si të doje. Po të mos kishe çakmak, ta sillte kamerieri. U duk pak e çuditshme, prandaj edhe biseda e parë me tavolinëndarësin u vërtitën pikërisht rreth kësaj teme. Paskësh ca kohë që nëpër baret e kryeqytetit (nëpër ato të rretheve, afërmend, ca më shumë) u konsumokërka cigare. Pas fushatës intensive të fillimit, baret janë më të qetë, i lejojnë klientët të veprojnë lirshëm. Natyrisht, deri sa, shumë prej këtyre të fundit të nisin të gjobiten, nuk kanë për t’u frikësuar nga asgjë. Vetëm nëse nxjerrin para nga xhepi, nisin të sillen ndryshe në gjithçka. Siç duket, nuk do ta kenë provuar ende. Biseda solli bisedën e u mësua sakaq se përvoja të ngjashme, tashmë kishte shpesh e më shpesh. Sigurisht që, më të favorizuara vazhdojnë të jenë kafenetë më pak të ekspozuara që gjenden nëpër lagje. Zonat e dyndura vazhdojnë të ruajnë ca norma ligjore, por që duke parë nga shoku, do të bëjnë të njëjtën gjë, sepse edhe klientët do të çojnë përvojat e vendeve ku i kanë lejuar të tymosin. Sidomos tani që shpresa për mot të mirë, nuk ka më. Sa po prisnim të viheshin batanijet nëpër dyert e bareve, mësuam lajmin “e mirë”. Në fakt, duhet thënë që këtë herë, fushata zgjati më shumë nga çdo herë tjetër. U duk sikur edhe duhanpirësit më të thekur u bindën se ishte zgjidhja e duhur. Por përvoja po tregon sërish se vesi është më i fortë. Jeni ende në kohë për ta kontrolluar… P.S: Ky shkrim ishte parashikuar përpara se dje të publikohej neper rrjetet sociale, fotografia e një politikani duke tymosur në ambientet e brendshme të një bari në Tiranë. Nejse, kjo puna e tyre nuk është se ka ndalur ndonjëherë…

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura