Fitorja e parë e Halim Kosovës në mes të fushatës

Jun 10, 2015 | 12:43
SHPËRNDAJE

PREÇ ZOGAJ

    Spoti i fundit elektoral i kandidatit të ASHE-së për Tiranën, Erion Veliaj, ka përfshirë në minutazhin e ngjeshur prej pak sekondash Kryeministrin Edi Rama me zë dhe më figurë ky i fundit  i thur lavdet e rastit Erjonit dhe u kërkon zgjedhësve të kryeqytetit votën për të. Kryeministri-kryetar partie ka të drejtë dhe madje ka detyrim të bëjë fushatë me të gjitha format  legale në mbështetje të kandidatëve të tij. E reja në episodin që po tregojmë, është se për herë të parë, me sa kujtoj unë, një kryeministër nuk mjaftohet të japë mbështetjen për kandidatin e Tiranës në tribunat, studiot, takimet elektorale e tjerë, por futet në spotin e tij elektoral, i merr sekondat në rolin e reklamuesit, i bëhet garant para zgjedhësve. Fakti që nuk kemi parë asnjë kryeministër ta bëjë këtë, nuk do të thotë të mos  ndodhë kurrë. Gjithnjë ka një herë të parë. Por, duke pasur  parasysh kontekstin e veçantë dhe ecurinë e deritanishme të garës për Bashkinë e Tiranës, vetvetiu të vjen të pyesësh: Çfarë e  shtyu Edi Ramën të bëjë një gjë kaq të pazakontë, të cilën  kryeministrat-kryetarë partie evitojnë ta bëjnë sidomos kur hedhin në garë delfinët e tyre politikë, pikërisht për të mos i ekspozuar hapur para zgjedhësve si kandidatë të dobët, si kandidatë kukulla apo mëkëmbës? Çfarë e detyroi Ramën të bënte me kandidatin e tij atë për të cilën akuzonte Lulzim Bashën para katër vjetësh, kur duke përdorur teknikat dixhitale të transformimit të pamjes së njeriut, e paraqiste atë si sozi të Sali Berishës, me qëllim që t’u komunikonte zgjedhësve mesazhin se nuk konkurron Basha, por Kryeministri Berisha?

Dy janë arsyet sipas mendimit tim: E para, Erioni ka humbur terren përballë fushatës së kandidatit të Partisë Demokratike, Halim Kosova. Fushata e tij plot artifica nuk ka ngjitur.  Komunikimi i tij i njëtrajtshëm prej reperi dhe truket e  përshtatura nga manualet e politikës negativiste e tregojnë më shumë artificial sesa origjinal. Ndoshta kjo nuk do të kishte rënë kaq shumë në sy (Në Shqipëri ka kohë që po troket një  profil politikanësh pa kulturë, të programuar si kiborgë, që vetëm të grijnë me llafe të parafabrikuara), po të mos ia kishte behur fushata origjinale e Halim Kosovës, plot vërtetësi dhe spontanitet, serioze deri në përpikëri në paraqitjen e premtimeve, por edhe me ngjyra të një humori të këndshëm në komunikim, që e relakson mjedisin tradicionalisht luftarak të  përballjeve elektorale. Fushata e Halim Kosovës ka sjellë një frymë krejt të re në qytet. Ajo ka nxjerrë në pah dhe ka bërë me turp, sipas meje, zakonet politike njëzetvjeçare të konfliktualitetit të kërkuar, të partishmërisë së ngurtë, të paragjykimit dhe diabolizimit pa një pa dy të kundërshtarit. Si  një histori e gjatë suksesi dhe si njeri i lirë, Halimi  kontraston me gjithë kategorinë e të suksesshmëve me procedurë të rrufeshme që, siç thoshte shkrimtari francez Mopasan, “zbresin në arenë me një damë të re për krahu dhe me një ide të vjetër në kokë”. Kryeministri Rama, njeri i lexuar dhe i shëtitur, siç e dimë, i ka pikasur pa dyshim risitë e fushatës se Halimit, për të mos thënë se edhe i ka pëlqyer. Paradoksalisht për të, Halim Kosova është shfaqur si një kandidat ideal përtej së majtës dhe së djathtës, që kryesocialisti predikonte para pak vitesh. E ka  ndier, për të mos thënë e ka matur rritjen e përditshme të mbështetjes popullore për këtë kandidat, ndaj ka vendosur të futet mu në spotin e Erionit për të vënë fytyrën e vet si një gur kufiri midis të majtës dhe së djathtës. Pra, për të ndaluar rrjedhjen elektorale në drejtim të Halim Kosovës. Është tjetër gjë funksionon apo jo. Por kjo duket të jetë arsyeja e parë.

Arsyeja e dytë lidhet me zërat shumë të përhapur në Tiranë, sipas të cilëve socialistët e kryeqytetit kanë pretenduar një procedurë  të hapur dhe gjithëpërfshirëse për nxjerrjen e kandidatit të tyre për Bashkinë e Tiranës dhe nuk janë të bashkuar rreth kandidatit  Veliaj. Gjesti i Ramës në fakt e konfirmon këtë pakënaqësi.   Duke hyrë në spotin e kandidatit, ai kërkon të bashkojë radhët, t’u thotë socialistëve dhe jo vetëm socialistëve “jam unë këtu”, “është suksesi im në lojë”. Në fakt, është një gjë që të gjithë e dinë, madje është vetë burimi i pakënaqësive që kanë lindur. Veprimi duket nul në këtë aspekt.
Por Rama ka bërë llogaritë e tij. Duke parë përparimin e Halim Kosovës, ai ka vendosur të ndryshojë krejtësisht qasjen e tij për zgjedhjet në Tiranë. T’i trajtojë si zgjedhje politike. Po rrezikon, sigurisht. Por, me sa duket, ndihet më pak i rrezikuar me një bilanc negativ si kryeministër sesa me një garë vendore, ku kandidati i opozitës, Halim Kosova, po rrit çdo ditë mbështetjen popullore me një fushatë të panjohur deri më sot në këtë vend. Përpjekja e Kryeministrit Rama për t’i bërë sa më politike zgjedhjet vendore në Tiranë, është fitorja e parë në mes të fushatës e Halim Kosovës, është tregues i qartë i faktit se gara është realisht e hapur dhe do të vijë e tillë në ditët në vazhdim (pse duhej të futej Rama në spotin e kandidatit Veliaj  nëse gara do të ishte e mbyllur), është rruga që ka menduar Rama për t’ia bërë Tiranës kandidatin e tij, siç themi për lidhjet me mblesëri. Por jemi në vitin 2015. Jo vetëm kryeqyteti që është qendra jonë e civilizimit, por edhe qytetet më të largëta e duan me dashuri lidhjen.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura