Fitorja e Konservatorëve, Brexit dhe disa mësime për të djathtën shqiptare

SHPËRNDAJE

AKIL KRAJA akil_kraja

Fitorja e bindshme e Partisë Konservatore Britanike si dhe debati përreth Brexit, mund të shërbejë për të nxjerrë mësime me vlerë për aktualitetin shqiptar, përtej faktit se kontekstet historikoekonomike janë të ndryshme dhe se aspiratat euro-atlantike të Shqipërisë janë të padiskutueshme.

Zgjedhjet e parakohshme britanike kanë burim tek instabiliteti i shumicës parlamentare, i cili e kishte kthyer qeverisjen e Boris Johnson dhe çuarjen deri në fund të referendumit të Brexit, një mision të pamundur. Një referendum për daljen nga BE, i cili dëshmon për kurajën dhe madhështinë e një shteti-komb që ka sensin e historisë. Pa mohuar situatat shpeshhere kaotike që kanë ndjekur negociatat mes Qeverisë e Parlamentit britanik nga njëra anë, dhe Komisionit Europian e vendeve anëtare nga ana tjetër, debati që ka ngjallur “Brexit”, referendumi dhe fitorja e jashtëzakonshme e konservatorëve britanikë në këto zgjedhje legjislative të parakohshme, dëshmojnë më së miri forcën e një kombi që arrin të marrë një vendim të vështirë, me kosto të larta, me të panjohura të rrezikshme, por që mbetet gjithmonë besnik ndaj identitetit, historisë dhe interesave të tij.

Nuk është hera e parë që “britanikët” shkëputen nga Europa. Shekuj më parë, vendimi i Mbretit Henri të 8-të e nxori ishullin nga “tutela” kontinentale e Vatikanit. Vetë integrimi britanik në BE nuk ka qenë pa peripeci. Anglia nuk e adoptoi kurrë monedhën e përbashkët dhe nuk u përfshi në hapësirën “Shengen”. Vetot dhe deklaratat e gjeneralit De Gaulle mbi anëtarësimin e Anglisë në vitet ‘60 përdoren fshehtazi në Bruksel si një kundërargument i thjeshtëzuar, kur nuk ka më hapësira për të negociuar: Londra mbase nuk duhej të ishte përfshirë fare në projektin europian.

Por Londra dhe britanikët, në një ushtrim demokratik të jashtëzakonshëm, zgjodhën të përqafojnë historinë e tyre ishullore, detin, lirinë për të lundruar në ujërat e tregtisë së lirë e të financave ndërkombëtare, ashtu siç me shekuj arritën të ndërtonin perandorinë më të madhe në historinë botërore. Referendumi i Brexit ishte një vendimmarrje demokratike e popullit britanik. Dhe ishte pikërisht respektimi i kësaj vendimmarrjeje demokratike, pavarësisht kostove të larta politike, që solli fitoren e konservatorëve britanikë në zgjedhjet e parakohshme. Kush respekton demokracinë, sado i dobët të duket në pamje të parë, ai fiton përherë.

Nga ana tjetër, nevojitet të theksohet se ndërhyrjet dhe influencat negative nga jashtë kanë ndikuar në rritjen e tensioneve sociale e politike në Britaninë e viteve të fundit. Jo vetëm gjatë fushatës së Brexit, por dhe sot e kësaj dite, interesa shtetërore jashtë BE-së investohen masivisht që ky divorc të kalojë sa më keq.

Keqinformimi, radikalizimi dhe ushqimi i panikut, po sjellin pasoja tejet negative e të pamenduara më parë. Një deputete dhe një gazetare angleze janë vrarë; dhjetëra politikanë e analistë janë sulmuar fizikisht; ofendimet, kërcënimet dhe bullizmi në rrjete sociale ka arritur nivele rekord; të shumtë janë të zgjedhurit, asistentët parlamentarë e nëpunësit civilë që janë tërhequr nga jeta publike për shkak të radikalizmit që ka ndjekur procesin e “Brexit”. Ka njerëz që shkonin deri aty sa të druheshin se në rast vendosjeje të kufirit me Irlandën e veriut, mund të kishte dhe një rikthim të akteve të terrorizmit dhe të IRAs. Protestat e dhunshme të para disa muajve ishin një paralajmërim në këtë drejtim.

Kur u votua Brexit, askush nuk i kishte marrë me mend këto pasoja. Nga ku pyetja se mos vallë “Brexit” ishte një produkt i një lufte hibride që i kanë shpallur perëndimit, e Anglisë në veçanti? Kjo pyetje nevojitet të shtrohet.

Shqipëria, gjithashtu, rezulton të jetë e shënjestruar nga këto “ndërhyrje” përçarëse. Para pak muajsh, Departamenti i Shtetit Amerikan miratoi një fond prej 1.3 milionë dollarësh, pikërisht për të identifikuar e penguar “influencat malinje të huaja”, sipas termit të përdorur nga vetë SHBA në proceset elektorale të ardhshme në Ballkanin perëndimor.

Nga çështjet globale, në ato të së përditshmes: Brexit simbolizon gjithashtu edhe ndjesinë e shumë anglezëve, të cilët nuk arritën dot të adaptoheshin ndaj deindustrializimit, hapjes ndaj konkurrencës botërore, globalizmit dhe inovacionet teknologjik të viteve të fundit në Britani. Emigrantët, ashtu si kudo në vendet e zhvilluara, shihen nganjëherë si “fajtorë” të papunësisë. Disa kërkojnë ndërprerjen e ndihmës që Anglia u jep vendeve në zhvillim. Krimi i organizuar shihet si një objekt “i huaj”. Fatmirësisht, duke refuzuar në bllok ksenofobinë, përgjigjja e Partisë Konservatore ndaj këtyre pikëpyetjeve është vetëm një: më shumë tregti, shkëmbime e bashkëpunim ndërkombëtar dhe mbi të gjitha më shumë demokraci! Fitorja në zgjedhjet e parakohshme e së djathtës angleze erdhi pikërisht se fjala e fundit iu la sërish sovranit.

Në përfundim le të nxjerrim tri mësime nga sa më sipër mbi atë që po ndodh në vendin tonë:

1) Shqipëria dhe BE-ja: Integrimi europian është një aspiratë shekullore e kombit shqiptar, për të cilën duhet të luftojmë deri në fund, sado kohë të marrë. Pa asnjë droje, i quaj “tradhtarë” ata që për disa herë radhazi kanë bërë që të marrim një “JO” në hapjen e negociatave. Por, nga ana tjetër, a jemi të qartë se cilat janë sektorët dhe interesat tona “jetike” dhe për të cilat duhet të tregojmë jo vetëm një kujdes më të madh, por duke synuar të fitojmë më shumë gjatë fazës së negociatave? A ka një faturë integrimi dhe mos vallë politikanët tanë e shohin integrimin europian si një “freelunch”? A jemi të sigurt që korrupsioni, censura e shtypit të lirë, mungesa e konkurrencës në treg… do të zhdukeshin me integrimin europian? A nuk jemi dëshmitarë që Komisioni Europian është pothuajse i “verbër” ndaj kanabizimit, kriminalizimit e autoritarizmit të qeverisë Rama? Po sikur integrimi europian të jetë shkelmi përfundimtar që do të zbrazte Shqipërinë njëherë e përgjithmonë? A do të ishim ne gati që për të zëvendësuar shqiptarët e larguar, të pranonim kuotat europiane me emigrantë nga Lampedusa?

2) Shtet-kombi sovran: Të qenurit sovranist ka një konotacion shpesh herë negativ. Por, nga ana tjetër, duhet të rikujtojmë se ekzistenca e shtetit-komb shqiptar është aseti më i madh që kemi. Janë vetëm 193 shtetet anëtare të OKB-së, vetëm 193! Ndërkohë që janë me dhjetëra mijëra grupet etnike, minoritare e kulturore, që nuk kanë arritur kurrë të “vetëvendosen”, që nuk kanë arritur të kenë shtetin e tyre, që nuk kanë ushtrinë e tyre, të drejtat ekonomike, sociale e politike, ashtu si dhe institucionet e tyre sovrane. Të mos harrojmë, që deri para pak vitesh, në ishJugosllavi, të flisje shqip, të valëvisje flamurin shqiptar, të festoje shqiptarinë tënde, mund të të kushtonte jo vetëm persekutimin apo burgun, por dhe jetën! E pra, Shqipëria është më shumë se karrigia e çdo politikani. Ata janë të gjithë të zëvendësueshëm. Kemi një fat të jashtëzakonshëm të kemi shtetin, gjuhën e tokën tonë dhe ata politikanë që abuzojnë me këtë privilegj tonin historik, meritojnë pa asnjë mëdyshje titullin e tradhtarit! Në momente historike, duhet realisht të tregojmë kurajë, vendosmëri e përgjegjshmëri kombëtare. Dhe sot, përballë autoritarizmit të instaluar prej Edi Ramës, duhet me çdo kusht t’i dalim zot shtet-kombit tonë para se të jetë tepër vonë, ky është një moment historik.

3) Partitë politike: Jam më se i ndërgjegjshëm që për shkak të krizës së thellë morale që po kalon vendi, sot nuk mund të kërkojmë në Shqipëri praktika moderne politike, nuk mund të kërkojmë të sillemi si “europianë”, nuk mund të bëjmë “teori”. Por, në fakt, besoj krejt të kundërtën. Pikërisht se Shqipëria po rrezikon ringritjen e një shteti-parti autoritar, sot, më shumë se kurrë, vendi ynë ka nevojë për dialog, ide, moral e idealizëm politik. Forcës së dhunës policore të Rilindjes duhet t’i përgjigjemi me forcën e idealit politik demokratik. Dhe ideali politik nuk kufizohet vetëm te një “program”. Ideali politik është ëndrra që i bashkon njerëzit; janë burimet e sakrificat që vendosim në tavolinë me qëllim jetësimin e këtij ideali; janë aktet personale që frymëzojnë masat; janë vlerat universale të zbatueshme në çdo situate, në çdo rajon, shtet apo gjuhë; është përkujtimi i historisë për të evituar ripërsëritjen e saj; është kauza afatgjatë që bashkon çdo forcë përtej kundërshtive të momentit; janë argumentet, mbi të cilat ndërtohet çdo propozim transparent; është shembulli që jepet dhe rreth të cilit krijohet ekipi dhe armata politike e nevojshme… E, pra, që të jetësosh një “ideal politik”, duket qartazi që nevojiten struktura, njerëz e rregulla që vetëm një parti politike e madhe mund t’i grupojë. Partia Konservatore britanike është themeluar në 1834 dhe vazhdon ende të jetojë. Fitorja e thellë në zgjedhjet e parakohshme tregon qartazi se sado e pamundur të duket një kauzë, sado i dobët të duket një lider në aparencë, sado e përçarë të duket një forcë politike, nëse kjo bëhet në respekt të qytetarit sovran, në respekt të historisë politike që përfaqëson, në respekt të interesave më të larta të kombit, në respekt të demokracisë, atëherë fitorja është gjithmonë në krahun tënd.

Në përfundim, nisur nga sa më sipër, besoj se opozita shqiptare dhe lideri Basha po ndjekin gjithashtu rrugën më të vështirë, më kontroverse e me kosto politike të jashtëzakonshme. Duke sakrifikuar çdo pushtet me qëllim ndërtimin e një ideali demokratik për mbarë vendin, e djathta shqiptare po ndjek rrugën e vetme të mbetur. Dhe pavarësisht presioneve të shumta, me të cilat është përballur, opozita nuk e ka vendosur kurrë në mëdyshje projeksionin europian të kombit shqiptar. Nuk ka ndodhur kështu me Edi Ramën, i cili shpeshherë ka bërë thirrje për “alternativën e lindjes”. Ndërkohë që ai shtetin-komb e sheh si një plaçkë ku kufijtë mund të fshihen si në vizatimet e tij, opozita kurrë nuk është larguar nga ideali i një të djathte kombëtare dhe europianë, demokratike, shtetformuese dhe mbështetëse të një ekonomie të lirë. Ajo që po ndodh me Brexit, është një mësim për mbarë Europën, por, dhe pa asnjë dyshim, edhe për forcat politike shqiptare. Ai që përqafon demokracinë, ai do të jetë gjithmonë i fituar. Dhe në këtë sens, e djathta shqiptare duhet ta çojë deri në fund betejën e saj, pavarësisht çdo kostoje.

Te lidhura


Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.