Fitimet me koncesionet, ja si u përplas Olldashi me Boden në 2008

Mar 25, 2015 | 16:32
SHPËRNDAJE

Historia e koncesioneve të garantuara nis që në vitin 2008. Në atë kohë, ministri i Transporteve i propozonte qeverisë që të miratonte dhënien me koncesion të autostradës Thumanë- Rrogozhinë për një firmë kroate. Gazeta botoi në atë kohë korrespondencën e ministrit Ollashi dhe atij të Financave Bode lidhur me termat e koncesionit.

Ritvan Bode

Olldashi propozonte që koncesioni të garantohej nga qeveria. E njëjta skemë si me Rrugën e Arbrit. Firma kroate, e interesuar në vitit 2008 për rrugën Thumanë- Rrogozhinë, parashikonte të investonte rreth 600 milionë euro për ndërtimin.

Ajo do të merrte një kredi nga një bankë e rëndë- sishme gjermane. Por për këtë, firma dhe vetë ministri Olldashi propozonin që qeveria të garantonte trafikun. Pra në rast se parashikoheshin të kalonin 5 mijë makina në ditë, minimalja që investimi të ishte rentabël dhe kalonin më pak, të ishte qeveria që të paguante diferencën.

Ministri Bode e kundërshtonte këtë pjesë të vendimit. Sipas tij, nuk mundet që të garantohej trafiku nga qeveria, pasi në këtë mënyrë, do të ishte qeveria garant i investimit. Debati me shkresa mes ministrave arrinte deri te Berisha. Ishministri i Transporteve e akuzonte Boden se ishte kundër politikave të koncesioneve të Kryeministrit Berisha.

Sidoqoftë, Bode nuk u tërhoq asnjëherë nga teza e tij se qeveria nuk mund të dilte garant për fitimin e një firme private. Dhe në fakt, me logjikë ekonomike ka të drejtë. Edhe në rastin e Rrugës së Arbrit, qeveria Rama do të garantojë trafikun. Pra firma kineze do të jetë 100% e sigurte se do të dalë me fitim nga koncesioni.

Në rast se rruga nuk përdoret, paratë i paguan qeveria, në rast se përdoret i paguajnë makinat që do të kalojnë. Investimi këtë rast vjen nga banka kineze, firma e ndërtimit dhe operimit është kineze, dhe duket se vetëm kostot, pra pagesa e kalimit apo e garantimit të fitimit janë shqiptare. Me këto kushte, duket e pamundur që ndonjë firmë në ndonjë cep të globit të mos marrë përsipër një sipërmarrje të tillë, me fitim të garantuar.

Paçka se Qeveria Rama ka zgjedhur një firmë kineze, për ta pasuruar. Dhe më e habitshmja është se firma kineze nuk ka marrë pjesë as në tender. Ajo është përjashtuar me ligj nga konkurrimi dhe po zgjidhet thjesht se ka vendosur qeveria.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura