Fiter Bajrami, politikanët urojnë drejtuesit e Komunitetit Mysliman

Aug 20, 2012 | 13:51
SHPËRNDAJE
Nga falja e Namazit ne Tirane, Bulevardi "Deshmoret e Kombit"

Në orën 6:15 të mëngjesit, bulevardi “Dëshmorët e Kombit” ishte mbushur me besimtarë myslimanë, që sipas traditës fetare kanë falur namazin e Bajramit të Madh. Dita e Fiter Bajramit festohet pas 30 ditësh agjërim të muajit Ramazan, ku besimtarët myslimanë ushqehen vetëm në vaktet syfyr (në mëngjes) e iftar (në darkë), si një sakrificë për të pastruar shpirtin nga mëkatet e bëra gjatë vitit. Pas 30 ditësh agjërim, besimtarët i falen Zotit për më shumë paqe dhe mirësi ndërmjet tyre.

Krerët e lartë të shtetit dhe të politikës, ambasadorë të akredituar në Tiranë kanë uruar dje të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Fiter Bajramit. Urimet e politikanëve u përcollën fillimisht në vizitën tradicionale në Komunitetin Mysliman, ku u pritën nga kreu i saj, Haxhi Selim Muça. Urimin e parë si President, Bujar Nishani e ka bërë dje për festën e Fiter Bajramit. Në një deklaratë drejtuar qytetarëve, Nishani u shpreh: “Ky është një rast për të festuar, kur myslimanët bashkohen për të reflektuar vlerat e rëndësishme të familjes, bamirësisë dhe komunitetit. Me rastin e kësaj feste të madhërishme, uroj për më shumë paqe, tolerancë, begati, harmoni dhe shëndet!”. Nga ana tjetër edhe kreu i qeverisë, Sali Berisha, uroi ditën e Bajramit, duke shprehur vlerësimin për të gjithë ata që agjëruan, si dëshmi e gatishmërisë së tyre për sakrificën në emër të Zotit dhe të shndërrimit të saj në një mirësi për veten, familjen dhe shoqërinë shqiptare. “Nuk ka përkushtim më epror dhe më të parë, se përkushtimi i njeriut ndaj Zotit. Le të urojmë sot të gjithë besimtarët e Zotit gëzuar këtë ditë, ditët e nderimit të sakrificës. Gjithçka ndërton njeriu nga vitet më të hershme të fëmijërisë dhe në vazhdim të gjitha mirësitë, të gjitha ëndrrat që ai realizon, kanë në themel sakrificën e tij, sakrificën e familjes së tij, sakrificën e njerëzve të tij. Ndaj dhe nderimi për sakrificën është nderimi për arritjen, është nderimi për ndryshimin, është nderimi për të mirën dhe mirësinë”. Edhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, uroi besimtarët myslimanë për festën e Fiter Bajramit. “Edhe një herë, me zemër ju uroj gëzuar, besimtarëve në Shqipëri dhe emigracion, atyre që janë në Kosovë, Maqedoni e trojet shqiptare kudo, duke besuar se gëzime më të mëdha, një jetë më të mirë, më mirë ekonomikisht e më të lumtur me njëri-tjetrin do të jemi në të ardhmen”, uroi Topalli. Ndryshe nga vitet e tjera, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, nuk mori pjesë në shkëmbimin e urimeve për festën e Fiter Bajramit. Socialistët u përfaqësuan në Komunitetin Mysliman nga sekretari Organizativ Blendi Klosi, i cili në emër të kryetarit Rama tha se nga të mirat e festës, të gjithë së bashku duhet t’i japin vendit një rilindje të re. “Të marrin nga e mira e kësaj feste, të marrin nga bukuria e kësaj feste dhe të gjithë së bashku të kemi mundësinë t’i japim këtij vendi një rilindje të re”, theksoi Klosi.

EDI RAMA

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, nuk ishte dje i pranishëm në shkëmbimin e urimeve në selinë e Komunitetit Mysliman Shqiptar për festën e Fiter Bajramit. Kryesocialisti Rama urimin e tij, përveç përfaqësuesve të PS-së, Blendi Klosi, Lindita Nikolli dhe Krenar Cenollari, e ka përcjellë dhe në rrjetin e social “Twitter”. “Gëzuar të gjithë besimtarëve myslimanë!”, ka uruar Rama në faqen e tij të internetit.

SALI BERISHA

Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, zonja Liri Berisha, vizitoi dje në mesditë selinë e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, me rastin e festës së Fiter Bajramit. Dy ditë pasi shtroi iftarin me të gjithë krerët e komuniteteve fetare, Berisha ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Fiter Bajramit, për sakrificën, që sipas tij është nderimi për ndryshimin, është nderimi për të mirën dhe mirësinë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura