“Fisnikëria tiranase”

Oct 5, 2022 | 7:45
SHPËRNDAJE

HALIL RAMA

01-5

Drejtuesit e institucioneve shtetërore që nga Presidenti i Republikës, Kryetari i Kuvendit, Kryeministri, ministrat, këshillat bashkiakë e kryetarët e bashkive, veç të tjerash kanë si mision dhe detyrë funksionale ligjore vlerësimin me dekorata e tituj nderi të personaliteteve të shquara në rang kombëtar e vendor. Në tri dekada veprimtari intensive, këtë mision e ka përmbushur më së miri edhe Shoqata “Tirana” – Nderi i Kombit, e cila ka vlerësuar me titullin sinjifikativ “Fisnikëria Tiranase” qindra personalitete të fushave të ndryshme.

Në vazhdimësi të respektimit të vlerave të pafund që mbart metropoli shqiptar, kjo shoqatë që padyshim është më e madhja OJF në rang kombëtar, jo vetëm në moshë, por edhe në numër, produkt e cilësi veprimtarish, në një ceremoni qytetarie nderoi të shtunën me titullin “Fisnikëria Tiranase”, dy personalitete të shquara: mësuesen, shkrimtaren dhe veprimtaren humaniste Lela Gjolek Dardha – Kokona dhe publicistin, shkrimtarin e diplomatin e karrierës, Xhevat Shaban Mustafa… Vlerësimi i tyre u bë nga Këshilli Drejtues i Shoqatës “Tirana” në praninë e qindra personalitete të atit e letrave.Risi e këtij eventi qe shtrirja e diapazonit të kësaj shoqate përtej vlerësimit të tiranasve autoktonas.

Kësisoj, siç do të shprehej kryetari Arben Tafaj, Shoqata “Tirana” që deri më sot ka zhvilluar mbi 850 veprimtari të spikatura që kanë marrë jehonë në median vendase, është shndërruar në shtëpinë identitare të të gjithë atyre që kanë lindur qytetarë të këtij qyteti (Tiranës), por edhe e të gjithë atyre që ndajnë denjësisht me ta vlerat dhe parimet e një shoqërie të zhvilluar e mikpritëse, tolerante e të virtytshme, të përparuar në ide e të qëndrueshme në cilësi. Duke u bërë urë ndërlidhëse edhe me Shoqatat e tjera Kulturore Patriotike të Shqipërisë së Mesme e më gjerë, Z. Tafaj tha se këtë mision Shoqata “Tirana” do ta përmbushë si mbartëse dhe promovuese e një kulture autoktone shqiptare, të shprehur qartazi me qytetari dhe vetëbesim prej hershmërisë deri në ditët tona dhe të mishëruar në një popullatë që ka njohur rritje organike, duke luajtur një rol parësor në çdo fazë të historisë kombëtare.

“FISNIKËRIA TIRANASE”, TITULLI MË I LARTË QË JEP SHOQATA TIRANA

Në këtë ceremoni të posaçme për t’u dorëzuar titujt “Fisnikëria tiranase” shkrimtarëve dhe intelektualëve të spikatur Xhevat Mustafa dhe Lela Dardha Kokona, që është çmimi më i lartë që jep kjo shoqatë, merrnin pjesë miq, kolegë, të afërm të të dy të dekoruarve si dhe anëtarë të Këshillit Drejtues të Shoqatës Tirana. Për publicistin, shkrimtarin dhe ish-diplomatin e karrierës Xhevat Mustafa, mbajtën nga një fjalë të rastit, duke evidentuar tepër shkurt krijimtarinë, vlerat dhe kontributet e tij në fushat përkatëse poeti Josif Doja; publicisti dhe shkrimtari Halil Rama- “Mjeshtër i Madh”; poeti, studiuesi dhe botuesi i mirënjohur Dr. Muj Buçpapaj; poeti Albi Lushi si dhe publicisti dhe studiuesi Stavri Trako.

Për shkrimtaren, publicisten dhe aktivisten e mirënjohur shoqërore Lela Dardha Kokona folën shkrimtari dhe përkthyesi Nikolla Sudar, Bashkim Seiti, ish-kryetar i Bashkisë së Shijakut dhe ish-koleg pune në arsim si dhe miqtë dhe kolegët e tjerë të saj, Lefteri Gjoshe dhe Xheladin Subashi… Pas fjalëve të rastit për secilin, kryetari i Shoqatës “Tirana”, z.Arben Tafaj, u dorëzoi znj. Lela Dardha Kokona dhe z.Xhevat Mustafa dekoratat përkatëse. Dy të nderuarit me këtë titull falënderuan Këshillin Drejtues të Shoqatës “TIRANA” dhe personalisht kryetarin e saj, z.Arben Tafaj si dhe organizatorët e kësaj veprimtarie, shkrimtarët Nikolla Sudar e Bedri Alimehmeti dhe Ihsan Lezha, sekretar i kësaj shoqate.

LELA DARDHA – KOKONA, VEPRIMTARE E MIRËNJOHUR NË EDUKIMIN E BREZIT TË RI DHE EMANCIPIMIN E GRUAS

Në eventin mbresëlënës të së shtunës, Znj. Lela Gjolek Dardha (Kokona) u vlerësua nga Këshilli Drejtues i Shoqatës “Tirana” me titullin “Fisnikëria e Tiranës”, me motivacionin: “Për veprimtari të mirënjohur në edukimin brezit të ri dhe për emancipimin e gruas në Trevën e Shijakut dhe më gjerë. Për kontribut të shquar në Tiranë për “fëmijët me aftësi ndryshe’. Për krijimtari të suksesshme letrare dhe artistike”. Si një intelektuale fisnike në të gjitha drejtimet, e cila do t’i përkiste armatës së madhe të edukatorëve të brezit të ri, u vlerësua ajo dhe nga studiuesi e përkthyesi Nikolla Sudar – “Mjeshtër i Madh”. “Ndonëse kanë kaluar më se 50 vjet nga ardhja e saj në Shijak edhe sot e përmendin me dashuri e respekt vajzën e shkathtë, që braktisi kryeqytetin për hir të dashurisë për të shoqin, Tofikun dhe dëshirës për të shërbyer në fshat. Pikërisht thjeshtësia e saj dhe përkushtimi i palodhur si mësuese e bënë që të fitonte dashurinë dhe respektin e popullit të Shijakut”, tha ndër të tjera Z.Sudar.

Ai vlerësoi gjithashtu përkushtimin e Znj. Lela në organizatat shoqërore, sidomos atë të gruas, si në qytetin e Shijakut, por akoma më tepër në të gjitha fshatrat ku shërbeu me devotshmëri. Kjo, sipas tij është arsyeja që edhe pas një kohe të gjatë familjet fshatare dhe të qytetit flasin me konsideratën më të lartë për aktivisten shembullore Lela Dardha. Prof. Sudar evidentoi gjithashtu faktin se “Në vorbullën e trazuar të kohës do të dilte më në pah humanizmi i saj i sinqertë. Ajo i rikthehet mësimdhënies pa pagesë, duke u angazhuar si mësuese në shoqatën humanitare franceze “Fëmijët e Botës” (Enfants du Monde), që merrej me strehimin dhe integrimin e fëmijëve të rrugës. Aty vuri tërë forcat mendore dhe fizike, përvojën e gjatë dhe shpirtin e saj për të mësuar, për të ndihmuar fëmijët e braktisur, të harruar nga fati”.

Në të njëjtën linjë edhe Z. Bashkim Seiti, ishkryetar i Bashkisë Shijak dhe koleg pune me Znj. Dardha (Kokona), vlerësoi se ajo e meriton plotësisht të quhet një edukatore e denjë e brezit të ri pasi për më se 30 vjet ka shërbyer në fshatrat dhe qytetin e Shijakut, në atë periudhë të vështirë për të gjithë. Pas daljes më pension z. Lela prej shumë vitesh është vendosur në Tiranë, ku për një kohë të gjatë ka kontribuar në shoqatat e ndryshme humanitare. Madje, me botimin e romaneve “Dashuri rrëqethëse”, “Në telat e kitarës melankolike”, “Fate të trashëguara”, “Kujtime të trishta” e “Me sytë nga deti” ajo tashmë është bërë shkrimtare e mirënjohur. Dhënia e titullit të lartë “Fisnikëria e Tiranë”, znj. Lela Dardha, nga shoqata “TIRANA”, më e shquara në Shqipëri, është një vlerësim i lartë i punës dhe sakrificave të bëra gjatë dekadave në kryerjen e detyrës së edukatores si edhe në aktivitete shoqërore, duke nderuar veten, familjen dhe shoqërinë.

XHEVAT MUSTAFA – PUBLICISTI, SHKRIMTARI E DIPLOMATI QË VLERËSOHET NË SHQIPËRI, KOSOVË E DIASPORË

“Për kontributin e tij si intelektual i spikatur në Shqipëri, Kosovë dhe Diasporë në fushën e publicistikës, të krijimtarisë artistike dhe të diplomacisë; Për kontribut të vazhdueshëm në proceset demokratike të vendit si dhe për veprimtari të palodhur në zhvillimin dhe mbrojtjen e kulturës në qytetet e Kavajës dhe të Tiranës”, ky është motivacioni tejet sinjifikativ, me të cilin u vlerësua Xhevat Shaban Mustafa, me titullin “Fisnikëria Tiranase” nga Shoqata “Tirana”.

Xhevat Mustafa u vlerësua në këtë event si një nga shkrimtarët dhe publicistët, vepra letrare dhe publicistike e të cilit zë vend të veçantë në historinë e letërsisë shqipe. Kjo, për faktin se vepra e tij është një prurje e sinqertë publicistike dhe letrare, ku gjejnë veten edhe heronjtë, edhe viktimat, edhe artistët me emër që ka nxjerrë Tirana, edhe ata që ikën anonimë e pa u shfaqur kurrë në publik, edhe për “sofrën tiranase”, aq të dashur për publikun. Të bën për vete sinqeriteti rrëfyes i tij dhe besnikëria publicistike, sepse për Xhevat Mustafën të gjithë janë të rëndësishëm, secili ka peshën e fjalës dhe të pasionit të vet krijues.

Kjo, është edhe veçantia e letërsisë dhe publicistikës së tij, e cila pa dyshim, ka pasur dhe ka si frymëzim Tiranën, kryeqytetin tonë të dashur. Në dhjetëra artikuj, ai ofron “sofrën tiranase” si variantin e parë të “demokracisë moderne”, që mbeti për fatin tonë “brenda mureve të veta” dhe sikur u fsheh nën minderet dhe qilimat e bukurpunuar nga duart e arta të grave e vajzave tiranase. Xhevat Mustafa nuk e fsheh krenarinë kur shkruan për artistët e mëdhenj që ka nxjerrë Tirana, si: Skënder Sallaku, Reshat Arbana, Merita Halili e dhjetëra të tjerë; ai zbret me krenari në “Sofrën tiranase”, duke na sjellë aq shumë njerëz të tjerë të spikatur të kulturës dhe artit të tyre. Poeti Josif Doja, gjatë fjalës së tij, tha ndër të tjera se demokrati i orëve të para, Xhevat Mustafa, i cili, më 27 maj 2022, festoi 75-vjetorin e rrugëtimit të tij, me plot peripeci, por i bindur se arritjet, në të mirë të shoqërisë, që përbëjnë domethënien e jetës së tij. Xhevat Mustafa ka lindur në qytetin e Kavajës, më 27 maj 1947.

Në vitin 1969 kreu studimet e larta në UT, duke u diplomuar në dy degë, për mësuesi në, degën Gjuhë -Letërsi dhe për gazetari. Pas diplomimit, më 3 janar 1970, filloi punën si gazetar në RTSH, ku punoi si redaktor për emisionet historike dhe letrare deri në 1 mars 1991. Në gusht 1991 zgjidhet sekretar kolegjiumi dhe zv.kryeredaktor i gazetës “Rilindja Demokratike”, ku nga 10 marsi deri më 1 korrik 1997 ishte kryeredaktor. Në vitin 1997 për një kohë të shkurtër shërbeu si diplomat, me detyrë “sekretar i parë” e si zëvendësambasador në ambasadën e Shqipërisë në Bernë të Zvicrës. Pas kthimit nga Zvicra, nga maji 2000 deri në shtator 2002, punoi si kryeredaktor në gazetën “55” e si drejtor në Radio “Stinët”.

Pas ndërprerjes së marrëdhënieve me këto media, punoi si editorialist, analist dhe opinionist në gazetat “Panorama”, “Koha Jonë”, “Albania”, “Ballkan”, “Sot”, “Dita”, “Shekulli”, “Standard”, “Metropol”, “Tirana Observer” dhe “Bota Sot”. Që nga krijimi i Institutit të Politikave të Sigurimit Kombëtar, z. Xhevat është zëvëndësdrejtor i tij. Nga 1 korriku 2006, deri më 1 gusht 2010, ai shërbeu si diplomat në ambasadën e Shqipërisë në Kosovë, me detyrë këshilltar dhe zëvëndësambasador. Pas përfundimit të mandatit 4 vjeçar në Kosovë, punoi si sekretar i parë në MPJ, ku doli në pension më 1 korrik 2012. Pas daljes në pension z. Xhevat vazhdon të botojë si analist i pavarur analiza dhe opinione në organet kryesore të shtypit si: “Gazeta Shqiptare”, “Telegraf”, “Bota sot” (Prishtinë) etj. Ai është autori i rreth 1500 editorialeve, analizave, komenteve, opinioneve dhe recensioneve të botuara në Shqipëri dhe Kosovë.

Xhevat Mustafa e përdor fuqinë shprehëse të shqipes si “antikorp” gjuhësor ndaj çdo huazimi të huaj, që ka çibanizuar lemeritshëm shtypin, rrjetet sociale, median dhe ekranet shqiptare. Vepra letrare dhe publicistike e Xhevat Mustafës është një “mozaik”, shkruar thjesht, pa bujë dhe bërtitje, me gjuhë të thjeshtë, të kuptueshme qartë dhe rrjedhshëm. Si e tillë u vlerësua ajo edhe nga Dr. Mujë Buçpapaj, ndër poetët, publicistët e analistët më të mirë në rang kombëtar, si dhe nga poeti Josif Doja. Ato shprehën bindjen se Xhevat Mustafës, autorit të romaneve mjaft të arrirë artistikisht e të preferuar nga lexuesi: “Zë i prerë”; (1993) “Mëkatet e vetmisë” (2008), “POLAKJA” e “Dashuri diktatori”, të librit “Duke kërkuar Europën” (2012) (me analiza, komente dhe opinione), si dhe të qindra analizave, reportazheve, eseve, portreteve e artikujve problemorë të botuara në shtypin e përditshëm, ky titull që i jepet nga Shoqata prestigjioze “TIRANA” do t’i shërbejë si frymëzim dhe inkurajim, që ashtu si deri sot, edhe në të ardhmen të na dhurojë krijimtari letrare e publicistike, mjaft produktive e cilësore.

© Panorama.al

Te lidhura