Fatmir Kazazi/ U bënë shumë vite që flitet për nivelin e lartë të informalitetit në vendin tonë. Ky problem diskutohet në Parlament, në institucionet shtetërore, në mediat e shkruara dhe elektronike, madje dhe në bisedat e përditshme. Të gjithë shqetësohemi, pasi dihen dëmet e pallogaritshme që sjell informaliteti, jo vetëm në rënien e të ardhurave dhe rritjen e pabarazisë ndërmjet tatimpaguesve, por edhe në ushqimin e korrupsionit dhe rënien e nivelit të shërbimeve publike në përgjithësi.
Të gjithë jemi dakord që informaliteti duhet të ulet sa më shumë, por të gjithë duhet të kontribuojmë duke filluar nga vetja dhe njerëzit që na rrethojnë, nga biznesi ynë, sigurisht pa mohuar rolin edukativ dhe shtrëngues të institucioneve përgjegjëse shtetërore. Praktika po tregon se, pa një dëshirë dhe bashkëpunim të të gjithë faktorëve, përfshirë institucionet publike qendrore dhe lokale (dhe jo vetëm tatimet), shoqërinë civile, bizneset, OJQ-të dhe qytetarët në përgjithësi, pavarësisht nga bindjet politike, nuk mund të arrihen suksese të rëndësishme në luftën kundra informalitetit.
Kohët e fundit po diskutohet shumë për fiskalizimin ose e thënë ndryshe lëshimin dhe pranimin e faturave online dhe marrjen e informacionit në kohë reale për të gjitha transaksionet biznesore. Diskutohet shumë për vështirësitë teknike që do të paraqesë zbatimi i këtij procesi, por përtej të gjitha vështirësive të momentit, është domosdoshmëri që t’i përshtatemi procesit, pasi fiskalizimi shënon një standard të ri operimi të ekonomisë dhe Shqipëria po e vuan shumë nevojën për formalizim. Faturimi online dhe përpunimi i informacionit në kohë reale është një mundësi efikase për rritjen e formalizimit dhe të konkurrencës së ndershme.
Për shkak të pozicionit si menaxher i një kompanie që ofron shërbime të konsulencës fiskale për shumë biznese (përfshirë banka e multinacionale, por edhe biznese të mesme dhe të vogla), unë kam qenë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet tatimore thuajse në të gjitha fazat e fiskalizimit, përfshirë konsultimet me biznesin dhe me grupet e interesit që u bënë për draft dispozitat mbi fiskalizimin. Gjithashtu, kam marrë pjesë dhe kam organizuar trajnime për shumë biznese dhe mendoj se administrata tatimore është angazhuar në një ndërveprim aktiv me të gjitha palët e përfshira për të administruar me fleksibilitet dhe përgjegjësi procesin e fiskalizimit.
VËSHTIRËSITË DHE LEHTËSIRAT E FISKALIZIMIT
Gjithsesi, ky është një proces i vazhdueshëm dhe veç trajnimeve intensive që vazhdojnë të bëhen, do të duhet një bashkëpunim efikas me tatimpaguesit, profesionistët dhe me kompaninë që ka zhvilluar platformën e fiskalizimit, për të lehtësuar procesin dhe për të zgjidhur çdo problem teknik. Pa dyshim, vështirësitë janë të shumta si për tatimpaguesit ashtu edhe për administratën tatimore. Çdo ligj i ri apo sistem i ri ka vështirësi në zbatim, por lehtësitë e mëvonshme teknike dhe biznesore që sjell ky proces janë të shumta, sepse: kursehet koha e përgatitjes manualisht të faturave tatimore dhe e dërgimit te blerësi; mundësohet në kohë reale verifikimi i statusit të blerësit dhe pranimi i faturës nga ana e blerësit; lehtësohet përgatitja e librave të shitjes së TVSHsë; mundësohet integrimi i shitjeve me sistemin e kontabilitetit, sidomos për kompanitë që kanë inventarë të konsiderueshëm; kryqëzohen dhe rakordohen informacionet ndërmjet shitësve dhe blerësve; parandalohen dhe evidentohen më lehtë abuzimet; rritet formaliteti dhe ulet konkurrenca e pandershme; rritet mundësia e kontrollit dhe saktësimit të inventarëve fiktivë; rriten mundësitë e organeve tatimore për kontrollin e zbatimit të ligjit; zgjerohet baza tatimore; rriten të ardhurat dhe përmirësohet shpërndarja e barrës tatimore; reduktimi i informalitetit ndihmon në luftimin e korrupsionit dhe përmirësimin e shërbimeve publike, etj.
E ritheksoj se zbatimi me sukses i fiskalizimit kërkon një bashkëpunim të ngushtë ndërmjet administratës tatimore dhe tatimpaguesve, me qëllimin që të adaptohen zgjidhjet e duhura teknike për çdo problem dhe të lehtësohet barra administrative për tatimpaguesit dhe për administratën tatimore. Fakti që ky proces ka qenë i suksesshëm në vende të tjera, duhet të na stimulojë që edhe ne të kemi një rezultat të tillë, sigurisht duke konsideruar veçoritë biznesore, përmasat e ekonomisë, nivelin e zhvillimit, etj. Megjithatë, pavarësisht anëve të padiskutueshme pozitive të fiskalizimit në drejtim të uljes së informalitetit, mendoj se gjatë kësaj periudhe, por edhe me fillimin e zbatimit, është i domosdoshëm evidentimi i të gjitha problemeve teknike dhe zgjidhja e tyre duke bërë ndryshimet e nevojshme në platformën IT të fiskalizimit. Sistemi IT i fiskalizimit (platforma “Self Care”) mundëson faturimin dhe pranimin e faturave, përfshirë raportimin nga ana e bankave, për rastet standarde të faturimit, por nga ana tjetër, ka shumë industri e biznese apo transaksione të veçanta, të cilat bazuar në legjislacionin aktual, kanë veçori në faturim dhe këto veçori jo të gjitha janë konsideruar gjatë zhvillimit të platformës IT të fiskalizimit.
SHQETËSIMET E BIZNESEVE PËR FISKALIZIMIN
Kompania që ka zhvilluar sistemin IT të fiskalizimit duhet të mbështesë në vazhdimësi azhurnimet e nevojshme për çdo detaj apo veçori që legjislacioni tatimor aktual ka për biznese apo transaksione të veçanta. Në vijim janë disa raste të tilla që janë ngritur si shqetësim nga ana e bizneseve, por akoma nuk janë pasqyruar në platformën e fiskalizimit: të dhënat lidhur me transportuesin në faturën e fiskalizuar duhet të jenë të plota dhe fleksibël komfor dispozitave në fuqi mbi faturën tatimore. Pra të dhënat për transportuesin duhet të jenë të editueshme, pasi transporti mund të kryhet nga shitësi, blerësi apo një palë e tretë; për notat e kreditit apo të debitit apo për faturat e saktësimit sistemi (platforma IT e fiskalizimit) duhet të ofrojë një format të editueshëm, që t’i mundësojë tatimpaguesit kryerjen e veprimeve në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi dhe me veçoritë e biznesit; udhëzimi “Për TVSH”, neni 19, pika 4 “Regjime për sektorë të veçantë”, detyron aplikimin e skemave posaçme të faturimit për kartat telefonike dhe për furnizimin e cigareve, ndryshe nga faturimet standarde, gjë që kërkon ndërhyrje në sistem për lëshimin e faturave të fiskalizuara në përputhje me këto dispozita; për lëshimin e “faturave të shoqërimit”, për “autongarkesën e TVSH” apo “faturave të përgatitura nga blerësi”, gjithashtu duhet të ketë zgjidhje teknike që të lehtësojnë lëshimin dhe pranimin e këtyre faturave komfor dispozitave specifike në fuqi. Për këto raste Platforma e Fiskalizimit duhet të përmbajë edhe një model fature fleksibël që të jetë lehtësisht i editueshëm në varësi të veçorive dhe nevojave biznesore.
Problemet e mësipërme dhe të tjera të ngjashme kërkojnë zgjidhje dhe ndërhyrje teknike në sistem që të mundësojnë dhe lehtësojnë punën e tatimpaguesve dhe të administratës. Në këto kushte kërkohet marrja e disa masave dhe lënia e një periudhe tranzitore të zbatimit, në mënyrë që të lehtësohet zbatimi i plotë i fiskalizimit, por edhe të mundësohet ushtrimi lehtësisht i çdo të drejte apo detyrimi të tatimpaguesit sipas legjislacionit aktual në fuqi. Në këtë kontekst, vlen të përmendet një akt normativ që po përgatitet dhe do të sanksionojë mosaplikimin e gjobave për fiskalizimin deri në fund të vitit 2021. Një masë e tillë, sigurisht, e lehtëson zbatimin e ligjit të fiskalizimit dhe të procedurave që kërkohen, por a është kjo e mjaftueshme? Në gjykimin dhe eksperiencën time, jo. Mendoj se, duke u nisur nga niveli i tatimpaguesve dhe inspektorëve tatimorë në mbarë vendin, por edhe nga testimi i platformës së fiskalizimit në situata të ndryshme biznesore me klientë tatimpagues të mëdhenj dhe të vegjël, importues, prodhues, tregtarë, furnizues shërbimesh, etj., duhet të shihet mundësia që të lejohet përdorimi paralel i të dyja sistemeve, pra lëshimi i faturave tatimore dhe hartimi i librave të TVSH-së me praktikën aktuale si edhe përdorimi opsional i platformës së fiskalizimit, duke stimuluar dhe mbështetur rritjen e vazhdueshme të tatimpaguesve që do të përdorin vetëm platformën e fiskalizimit.
Për këtë, në dispozitat tranzitore që po përgatiten, mund të shtohet një dispozitë që sanksionon lejimin e përdorimit të sistemit aktual deri në fund të këtij viti, me kusht që të kenë filluar procedurat dhe përgatitjet e nevojshme, si marrja dhe ngarkimi në sistem i certifikatës elektronike, plotësimi i të dhënave të detyrueshme në sistemin “self care” të fiskalizimit dhe nisja e procedurave për sigurimin e infrastrukturës së nevojshme “softwear”-ike. Lejimi i dy sistemeve paralele do të ketë një ngarkesë shtesë për administratën tatimore dhe për shumë tatimpagues, por, nga ana tjetër, do të shmangë pamundësitë e zbatimit në rrethana të ndryshme dhe do të minimizojë gabimet dhe abuzimet për shkak të vështirësive teknike.
Kjo periudhë tranzitore do të çojë në një zbatim të suksesshëm të detyrueshëm të fiskalizimit në vitin 2022, vetëm nëse nga administrata tatimore do të vazhdojë një bashkëpunim i fortë intensiv me tatimpaguesit dhe profesionistët, por edhe me kompaninë IT që ka zhvilluar sistemin e fiskalizimit dhe do të bëjë dora dorës të gjitha azhurnimet e nevojshme. Pa një bashkëpunim të tillë trepalësh nuk mund të arrihet suksesi i plotë i fiskalizimit. Mendoj se përveç platformës online të shërbimit, në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve duhet të ketë edhe një zyrë/sportel të dedikuar për fiskalizimin, me specialistë tatimorë dhe IT, që t’i shërbejë tatimpaguesve për zgjidhjen e problemeve konkrete.
Zyrat e shërbimit të tatimpaguesve në rajone, por edhe inspektorë tatimorë nga drejtoritë rajonale duhet të specializohen për t’i shërbyer gjithashtu në terren bizneseve në fazat e para të fiskalizimit. Këto ishin disa konsiderata të përgjithshme lidhur me ndikimin pozitiv të fiskalizimit në uljen e informalitetit, por edhe lidhur me vështirësitë teknike dhe masat tranzitore që mund të merren për të lehtësuar zbatimin efecient të këtij sistemi.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al