Firma e Beharit për të huajt, reagon Idrizi: Kapriço momentale

Aug 10, 2018 | 15:41
SHPËRNDAJE

Sinan Idrizi e cilëson tallje rritjen e pritshme të numrit të të huajve. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, Idrizi tha se gjithçka vjen si pasojë e kapriçove të presidentëve të klubeve dhe nevojave të momentit që ata kanë. “Kjo që po bëhet është tallje. Do një javë që të nisë kampionati dhe ne komentojmë akoma se sa do jetë numri i lojtarëve të huaj. Nuk vendoset kjo çështje në bazë të kapriçove të presidentëve apo nevojave të momentit.

Idrizi

Kjo çështje duhet që të diskutohej dhe miratohej qysh një vit më përpara dhe jo tani. Ne si klub jemi të parët që kemi kërkuar dhe duam që të shtojmë të huajt, por e përsëris jo në bazë të kapriçove të presidenteve dhe nevojave të momentit. Lëreni pa limit numrin e të huajve. Do të isha dakord me kushte, si nën 18 vjeç ose nën 20 vjeç, por jo me limit të numrit. Kjo është tallje! Strategjia e klubit për sezonin pasardhës fillon një vit para dhe jo një javë para nisjes. Klubet duhet që të shkojnë drejt privatizimit, kjo është zgjidhja e vetme”, tha Idrizi.

Behari Ardi, drejtori teknik ne Turqi

FIRMA E BEHARIT
 – Sinan Idrizi deklaroi pak ditë më parë për “Panorama Sport” se nuk ka firmosur letrën për rritjen e numrit të lojtarëve të huaj. Por, në fakt rezulton e kundërta, pasi për Flamurtarin ka firmosur drejtori Ardi Behari. “Nuk e di çfarë ka bërë Behari, por edhe nëse e ka firmosur, e ka bërë ngaqë ne kemi qenë në një linjë që duhet të shtohet numri i lojtarëve të rinj. Madje, për ne si klub, të liberalizohet fare dhe të lihet i lirë se në fund të fundit jemi në kapitalizëm. Ne kemi dy vjet që e kërkojmë, por këtë vit që kanë mbetur keq këta thonë na duhen lojtarë. Të mos bëjmë lojën e kungulleshkave tani, firmosi apo jo Behari. Një javë para nisjes së kampionatit nuk e dimë akoma që sa të huaj do të jenë, rregullat e lojës ende nuk janë caktuar. Këtë vit e duan me pesë, por vitin tjetër mos e kërkojnë me tre ose katër. Kjo, nuk na pëlqen”, vijoi Idrizi.

PROBLEMATIKA – Administratori Sinan Idrizi deklaron se tregu i lojtarëve duhet të liberalizohet. “Në Shqipëri qarkullojnë të njëjtët lojtarë, i njëjti standard. Këta lojtarë janë dhe një herë shkojnë te njëri ekip, e një herë te tjetri. Nuk dimë se çfarë të marrim, pasi në vendin tonë nuk ka lojtarë. Ndaj, ne kërkojmë që të liberalizohet numri i lojtarëve të huaj”, përfundon Idrizi.

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura