Financimi i borxhit/ Zbardhet vendimi, si Qeveria po kërkon të marrë euro nga bankat

Apr 9, 2020 | 13:13
SHPËRNDAJE

Rama bankieret biznesiQeveria do të kërkojë të marrë sa më shumë euro nga bankat e nivelit të dytë, për të financuar borxhin. Dy vendimet e fundit të Bankës së Shqipërisë lehtësojnë bankat e nivelit të dytë, në mënyrë që të blejnë sa më shumë bono në euro të emetuara nga qeveria.

Ndryshe nga borxhi në lekë, për bonot në euro, bankat e nivelit të dytë kishin disa kufizime. Banka e Shqipërisë kishte vendosur të vështirësonte blerjen e borxhit në valutë të qeverisë shqiptare nga bankat vendase. Kjo, sipas strategjisë që valuta që qeveria do të përdorte do të ishte më mirë të vinte nga burime të tjera, mundësisht të huaja. Por kjo strategji ka ndryshuar.

Në rregulloren e parë, “Ekspozimet ndaj qeverive qendrore ose bankave qendrore”, ishte parashikuar që “Bankat ponderojnë me 0% ekspozimet ndaj qeverisë shqiptare, të emetuara dhe të financuara në monedhë kombëtare dhe me 50% titujt e borxhit të qeverisë shqiptare në monedhë të huaj”. Me ndryshimin e ri, kjo peshë bëhet zero. Neni bëhet: “Përjashtimisht nga përcaktimi i nenit 12, pika 4 e kësaj rregulloreje, bankat ponderojnë me 0% titujt e borxhit të qeverisë shqiptare në monedhë të huaj që do të emetohen gjatë vitit 2020”.

Kjo dispozitë do të zbatohet deri në maturimin e këtyre titujve. Një tjetër ndryshim është rregulloren për administrimin e riskut ku parashikohej që “Bankat, në llogaritjen e ekspozimeve maksimale të lejueshme përjashtojnë, tërësisht ose pjesërisht: p) ekspozimet, me jo më shumë se 50% të vlerës së tyre, në titujt e borxhit të qeverisë shqiptare në monedhë të huaj”. Edhe këtu është bërë një tjetër lehtësim.

“Përjashtimisht nga përcaktimi i nenit 9, pika 2, shkronja ‘p’, të kësaj rregulloreje, ekspozimet në titujt e borxhit të qeverisë shqiptare në monedhë të huaj, që do të emetohen gjatë vitit 2020, nuk përfshihen në ekspozimin maksimal të lejueshëm. Kjo dispozitë do të zbatohet deri në maturimin e këtyre titujve”. Qeveria po kërkon edhe rreth 600 milionë euro për të financuar borxhin me anë të emetimit të një eurobondi të ri.

Lehtësimi i bankave në përdorimin e depozitave në euro për të financuar borxhin e qeverisë, do të thotë më pak euro për të financuar biznesin dhe individët. Në kohë krizash, kur borxhi i qeverisë njihet si 100 për qind i sigurt, financimi nga bankat është zgjidhja më e mirë. Por kjo nuk i shërben injektimit të parave në ekonomi. Edhe pse interesi i kredive është më i lartë se sa i bonove, risku që ka biznesi në kohë krize është shumë më i madh se sa garancia e kthimit nga qeveria./ PANORAMA.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura