Financat, si të përfitoni nga amnistia për taksat e makinave dhe biznesit

Jul 20, 2016 | 13:22
SHPËRNDAJE

Amnistia fal taksat e papaguara, gjobat dhe kamatëvonesat për makinat, bizneset dhe gjobat për kontributet e pensioneve. Ministria e Financave parashikon që zbatimi i amnistisë me kusht që të paguhet 70 për qind e detyrimit të këtë afat 8 deri në 9 muaj.

Drejtori i Politikave Fiskale të Ministrisë së Financave, Niko Lera
Drejtori i Politikave Fiskale të Ministrisë së Financave, Niko Lera

Drejtori i Përgjithshëm i Politikave Fiskale të Ministrisë së Financave, Niko Lera, në intervistën dhënë gazetës shpjegon se si do të falen detyrimet dhe gjobat me ligjin e ri të amnistisë. Drejtori i Politikave Fiskale shpjegon se nga amnistia do të përfitojnë të gjithë ata drejtues të makinave, që janë pajisur në 2006 me leje qarkullimi dhe kanë 10 vjet pa paguar taksën e qarkullimit.

Lera thotë se atyre do t’u çregjistrohen mjetet pa pagesë, por në rast se drejtuesi kërkon të mbajë aktiv mjetin, duhet të paguajë detyrimin. Sipas drejtorit të Politikave Fiskale, amnistia përjashton faljen e sigurimeve shoqërore për kontributet e pensioneve, por fal vetëm gjobat e papaguara për këtë tatim. Lera tha se nga falja pa kushte, biznesi përfiton 40 miliardë lekë. Për faljen me kushte, drejtori i Politikave Fiskale jep shembujt se sa përfiton biznesi, nëse paguan 70 për qind të detyrimit.

Ministria e Financave përfundoi ligjin e amnistisë fiskale, çfarë parashikon drafti final dhe cilët janë përfituesit?

Ministria e Financave ka punuar mbi 1 muaj për hartimin e projektligjit për faljen e pjesshme të detyrimeve doganore dhe tatimore. Në radhë të parë, një pjesë e ligjit flet për faljet pa kushte. Të gjithë tatimpaguesit që kanë detyrime tatimore dhe doganore, që u përkasin periudhave 31 dhjetor 2011, pra detyrime që kanë mbi 5 vjet falen pa kusht. Kjo do të thotë që detyrimet që ekzistojnë si të tilla në regjistrat e administratës tatimore dhe doganore para datës 31.12.2011 do të fshihen.

Pjesa e dytë e ligjit parashikon faljen me kusht, ku përfshihen detyrimet tatimore që u përkasin periudhave nga 1.01.2012 deri në datën e hyrjes në fuqi të ligjit. Për këtë grup dizajnimesh, ligji është dizajnuar i tillë që nëse tatimpaguesi paguan 70 për qind të tatimit dhe 70 për qind të kamatëvonesës që është pjesë e pandarë e detyrimit, atëherë biznesit i falet gjoba që është pjesë e detyrimit tatimor dhe 30 për qind e detyrimit dhe kamatëvonesës.

Si përfitojnë bizneset nga falje me kushte, në çfarë mase duhet të paguajnë ata detyrimet për të përfituar nga amnistia?

Logjika e ligjit për faljen me kushte është që të paguhen 70 për qind e tatimit dhe interesit të lidhur me të dhe të falet 30 për qindëshi i mbetur i tatimit dhe interesit të lidhur me të, dhe gjoba përkatëse, sa do qoftë vlera e saj. Po e ilustroj me shembull. Nëse detyrimi tatimor është 10 lekë, kamatëvonesa është 10 lekë dhe gjoba është 5 lekë. I gjithë detyrimi tatimor, sipas ligjit të procedurave tatimore, është 25 lekë.

Nëse tatimpaguesi paguan 70 për qind të tatimit që janë 7 lekë dhe 70 për qind të kamatëvonesës që janë 7 lekë, biznesit i falen automatikisht gjobat, ku në këtë rast janë 5 lekë, 3 lekë të mbetur nga tatimi dhe 3 lekë nga kamatëvonesat. Pra, në total sipas shembullit, ky tatimpagues paguan 7 lekë tatim + 7 lekë kamatëvonesë = 14 lekë, atij i falen 5 lekë gjoba + 3 lekë tatim + 3 lekë kamatëvonesë = 11 lekë. Pra paguan 14 lekë dhe i falen 11 lekë.

Po për taksat e papaguara të qarkullimit të makinave, si dhe gjobat dhe kamatëvonesat për këtë detyrim, si do të falen?

Pjesa e tretë e ligjit ka të bëje me çregjistrimin e mjeteve, që kanë mbi 10 vjet pa paguar taksa dhe pa u çregjistruar. Drejtuesit e mjeteve pas hyrjes në fuqi të ligjit mund të shkojnë të paraqiten në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor dhe të bëjnë çregjistrimin e mjeteve të tyre, pa paguar detyrimet e papaguara në vite.

Nëse drejtuesit nuk paraqiten për çregjistrimin e mjetit, çregjistrimi i mjeteve që kanë mbi 10 vjet pa paguar detyrimet do të bëhet nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor. Ligji i amnistisë përfshin mjetet që kanë 10 vjet pa paguar detyrimet. Pra ligji thotë shprehimisht “Çregjistrohen të gjitha mjetet e regjistruara në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor, të cilat janë të pajisura me leje qarkullimi për herë të fundit jo më pak se 10 vjet nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Le të themi nëse ligji hyn në fuqi më 31 gusht 2016, atëherë mjetet që janë pajisur me leje qarkullimi jo më pak se 10 vjet, pra llogaritet për mjetet që janë të pajisura me leje qarkullimi më 31 gusht të vitit 2006. Pra, nëse këto mjete të regjistruara për herë të fundit në atë periudhë nuk kanë kryer asnjë veprim për taksat pas periudhës të zbatimit të ligjit 10418 datë 21.04.2011 për çregjistrimin, do të kenë të drejtën të çregjistrojnë mjetet pa paguar shumat përkatëse të taksave, ose në të kundërt vetë Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor do të bëjë çregjistrimin e mjeteve.

Llogariten 5,3 miliardë detyrime të papaguara nga drejtuesit e mjeteve për periudhën 2011-2015, si do të veprohet për këtë pjesë?

Ne kemi përfshirë në ligj ato shuma, që në bazë të llogaritjeve do të falen. Pra kemi llogaritur sa është totali i borxhit, i cili është i strukturuar, borxhi tatimor, doganor dhe i mjeteve të transportit. Borxhi është i ndarë sipas tatimeve, doganave dhe mjeteve të transportit dhe viteve të krijimit. Sipas llogaritjeve të bëra, kemi një shumë të vlerësuar të efekteve.

Nëse borxhi në total në regjistrat e administratës fiskale, sot është 178 miliardë i ndarë sipas viteve për pjesën që falet pa kusht shumë është 40 miliardë. Kjo është shuma që do të fshihet nga regjistrat e administratës fiskale. Nëse për të gjitha kategoritë do të zbatohet falja me kushte llogariten të falen 82 miliardë lekë dhe për këto potencialisht do të paguhet një shumë prej 55 miliardë lekësh.

Kjo nuk mund të thuhet me siguri, pasi nuk dihet me siguri se nëse çdo tatimpagues që ka detyrime të papaguara do ta zbatojë klauzolën e faljes me kusht. Potencialisht ne ofrojmë fshirje të 82 miliardë detyrimeve kundrejt një arkëtimi të pritshëm prej 55 miliardë lekë. Sa do t’i përgjigjen kësaj amnistie, kjo mbetet për t’u parë.

Amnistia përfshin faljen e detyrimeve, cilat taksa të papaguara i falen biznesit në tatime dhe dogana?

Të gjitha llojet e detyrimeve tatimore që kanë pa paguar. Dihet që pjesa dërmuese e detyrimeve tatimore është tatimi mbi vlerën e shtuar, tatimi mbi fitimin, akciza, tatimi mbi të ardhurat personale etj.

Të gjitha këto janë objekt i ligjit të faljes. Kurse në dogana falen detyrimet që janë të regjistruara si borxh doganor, që mund të jenë rivlerësime apo gjoba. Edhe për këto detyrime, amnistia vepron me të njëjtat parime si në faljen e detyrimeve tatimore.

Si do të zbatohet amnistia për detyrimet e papaguara të sigurimeve shoqërore për kontributet e pensioneve?

Nuk falim vetëm detyrimin e kontributit të sigurimeve shoqërore, sepse ai është një kontribut që është paguar nga kontribuesi përkundrejt një përfitimi të nesërm. Pra, ato para duhet të shkojnë në fondin e pensioneve, duke paguar parimin e solidaritetit, sepse kjo është një skemë e solidaritetit, të përdoren sot nga mosha e tretë, në mënyrë që ata që kanë kontribuar të kenë mundësi të përfitojnë pension, pasi të arrijnë moshën për të dalë në pension.

Në rast se ne do t’i falim kur persona të rinj që do të mbushin moshën e daljes në pension do të kërkojnë të përfitojnë pension, nuk do të kenë pagesa për këtë periudhë, çka do të thotë që të përfitojnë më pak pension. Në këtë rast nuk është faji i kontribuesit që punëdhënësi i tij nuk ka paguar kontributet e sigurimeve shoqërore, pra nuk është logjike që të falen kontributet e sigurimeve shoqërore. Objekt i ligjit të faljes do të jenë vetëm gjobat për kontributet e sigurimeve shoqërore të papaguara.

A janë përfshirë në amnisti gjobat e vendosura automatikisht në tatime, cilat kategori do të falen?

Po, këto gjoba janë përfshirë në amnisti. Për ta shpjeguar, këto janë gjoba që nuk janë të lidhura me një tatim të caktuar. Janë gjoba për deklarim të vonuar, gjoba për mospërdorim kase apo punonjës të paregjistruar. Natyrisht kur hartohet një amnisti e këtyre përmasave, elementë të tillë nuk mund të lihen jashtë skemës së amnistisë.

Ju keni një shifër sa detyrime falen, po për bizneset që përfitojnë a ka një llogaritje nga Financat?

Është e vështirë të bësh llogaritje në numër tatimpaguesish, pasi një tatimpagues mund të ketë 1,2, 10 apo 20 vlerësime. Pra është një numër i caktuar tatimpaguesish që nuk mund ta themi me saktësi shifrën, por edhe mund të bëjmë përllogaritje të përafërta dhe numri i vlerësimeve apo i rekordeve që do të falen është më i madh. Pse?

Sepse një tatimpagues mund të ketë më shumë se një borxh, mund të jetë me detyrime të papaguara jo vetëm në një tatim, por në disa tatime. Më tepër rëndësi ka kalkulimi dhe llogaritja e efekteve në vlerë. Natyrisht, në TVSH dhe tatim mbi fitimin kur ne e dimë që kemi 22 mijë tatimpagues të regjistruar, por të gjithë këta nuk janë debitorë.

Le të themi nëse 30 për qind apo 40 për qind e tyre kanë detyrime të papaguara dhe që potencialisht do ta aplikojnë klauzolën e faljes, mund të bëjmë një përllogaritje të përafërt sa është numri i tyre, 5 mijë, 6 mijë e kështu me radhë.

Kur thoni që detyrimet falen pa kushte, si duhet të veprojë biznesi apo çfarë dokumentesh duhet të sjellë për të përfituar dhe sa është afati që përcaktohet në ligj për të përfituar nga amnistia?

Për këtë do të hartohet procedura e detajuar ligjore që do të sqarojë edhe mënyrën se si do të operohet. Në hartimin e kësaj procedure ne do të kemi parasysh që të eliminojmë burokracinë, të jetë sa më e thjeshtë, në mënyrë që tatimpaguesve të mos u nxihet jeta. Ne kemi menduar që ligji të aplikohet ose deri më 31 mars të 2017 dhe në rast se miratimi i tij do të bëhet në sesionin e ardhshëm parlamentar, afati i zbatimit do të shtyhet deri më 30 qershor 2017, në mënyrë që zbatimi i amnistisë të ketë një afat 8 deri në 9 muaj.

Kjo për shkak që ligji të njihet nga të gjithë operatorët ekonomikë t’u jepet koha e duhur të operojnë në bazë të tij. Në udhëzimin e Ministrisë së Financave do të detajohet edhe mënyra se si do të operohet me faljen, me evidentimin, rakordimin dhe me heqjen e detyrimeve nga librat kontabël, pasi gjithçka duhet të jetë e hapur dhe ligjore.

Si do të ndikojë amnistia në klimën e sipërmarrjes?

Për një sërë subjektesh, borxhet tatimore u krijojnë probleme të mëdha. Mungesa e “cash” krijon probleme të mëdha. Në këtë rast, këto subjekte mund të lehtësohen nga një barrë e madhe, në mënyrë që të vazhdojnë aktivitetin e tyre tregtar dhe të paguajnë detyrimet e ardhshme tatimore.

Nga ana tjetër, kostoja e mbledhjes së këtyre detyrimeve është e lartë, por mund të themi që një pjesë e tyre janë pa shpresa kthimi. Nëse detyrimi tatimor nuk është mbledhur për 5 vjet, 6 apo 7 vjet, është e vështirë që të mblidhet. Këtu duhen bërë edhe analizat pse nuk është mundur të mblidhet ky detyrim tatimor brenda afateve ligjore, por shkaqet janë nga më të ndryshmet.

Nga ato borxhe që edhe në rast se zbatohet masa më ekstreme e mbledhjes së tyre, pra të mblidhen me forcë, përsëri nuk mblidhen. Pra, paralelisht bëhet një pastrim i situatës dhe nga ana tjetër ndihmohen një sërë subjektesh që të heqin një barrë dhe të vazhdojnë biznesin, duke u fokusuar në detyrimet e ardhshme tatimore.

DORINA AZO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura