Finalistët/ Gara për Operan, Rama do zgjedhë mes Çelës dhe Gjipalit

Aug 26, 2016 | 11:08
SHPËRNDAJE

Prodicentja Zana Çela dhe tenori Josif Gjipali janë dy emrat finalistë në garë për kreun e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit. Emra, që i shkojnë kryeministrit Rama në tavolinë e prej të cilëve do të dalë edhe drejtori i ri i TKOB.

opera

emrat janë përzgjehdur nga komisioni, i cili vetëm dy ditë më parë dëgjoi në një seancë të posaçme kandidatët në garë dhe platformat e tyre për drejtimin e institucionit të rëndësishëm të kulturës në vend.

Platformat e finalisteve 

ZANA ÇELA

E qartë, e rrjedhshme, e para që hapi seancën dëgjimore, ishte producentja Zana Çela, themeluese e Konkursit Ndërkombëtar Operistik “Marie Kraja”, njëkohësisht edhe me një të shkuar si ish-drejtoreshë e TKOBAP, në një periudhë me shumë përplasje.

zana

Duke u mbështetur në platformën e detajuar të dorëzuar pranë MK, Çela iu përgjigj pyetjeve të komisionit. Ajo u shpreh se platformën e saj e ka hartuar pas një analize të gjendjes aktuale të TKOBAP, problemet dhe specifikat, të cilat i kanë shërbyer si guidë.

Strategjia e saj mbështetej në 6 shtylla të forta, që ishin: ekselencë në programimin dhe zbatimin e kalendarëve artistikë, thithjen e audiencave, edukimin e publikut, shfrytëzimin maksimal të marketingut dhe promocionit, menaxhimin më të mirë të burimeve financiare që ka teatri, duke identifikuar burime te reja, duke afruar donatorë e sponsorë si dhe ripozicionimin e vendeve të punës sipas aftësive.

Çela nguli këmbë në hartimin e një kalendari me një repertor të gjerë, duke përfshirë të gjitha epokat, që nga baroku te bashkëkohorja, për të thithur një audiencë të të gjitha moshave. Kalendari artistik do të mbështetej tek opera, baleti, muzikali dhe koncertet.

Sa i përket periudhës së rikonstruksionit, ajo u shpreh se do të mbështetej te koncertet dhe orkestra mund të kishte edhe dy formacione më të vogla, të cilat mund të zhvendoseshin lehtësisht. Në lidhje me edukimin, ajo u shpreh se do të donte të ngrinte një departament edukimi në TKOBAP, ndërsa në lidhje me zbatimin e reformave, Çela deklaroi se “nëse zbatohet çdo nen i rregullores së brendshme, gjithçka do të ishte e arritshme”.

 

JOSIF GJIPALI

Me timbrin kumbues të një tenori (po të mirë ama) dhe me një energji që nuk mund të mos binte në sy, Gjipali “do të zgjonte” në njëfarë mënyre anëtarët e komisionit. Me vetëbesimin që i jep një karrierë e suksesshme, por edhe origjina vlonjate, Josif Gjipali do t’u përgjigjej pyetjeve të komisionit, duke u nisur nga eksperienca personale.

Josif Gjipali

Ai do të shprehej se të menaxhoje një karrierë 13-vjeçare si e tija, nëpër Europë e jo vetëm, nuk ishte dhe aq e thjeshtë e kështu do të dinte të menaxhonte edhe TKOBAP e t’i përdorte paratë si askush tjetër, duke qenë njohës i çdo roli e çdo zëri. Gjipali premtoi se artistët do të paguheshin në varësi të niveleve që kapnin me punën e tyre.

Ata që punojnë e vlejnë, do të vlerësohen. I përballur me skena të mëdha botërore, Gjipali u shpreh se për të nuk do të ishte e vështirë të hartonte një kontratë pune, qoftë edhe duke përshtatur një nga ato të shumtat që ka në shtëpi.

Ndërsa merakut të Çulit se si do të mund t’ia dilte të hartonte dhe zbatonte një kalendar 2-vjeçar, ai iu përgjigj se kishte aq shumë njohje drejtorësh artistikë e artistësh, saqë në moment po t’u telefononte e ta vinte në citofon, do t’u përgjigjeshin shumë syresh.

Gjipali parashtroi idetë e tij për thithjen e fondeve nga “miq të operës” apo duke shfrytëzuar njohjet me teatrot italianë, që do të donin “të zbraznin magazinat e tyre nga dekoret dhe kostumet” dhe një kamion këtu e pak naftë atje e zgjidhte punën.

Gjipali është vlonjat praktik, duket se nuk e tremb asgjë, por nga ana tjetër, ai shprehet se nuk do të donte që të krijonte probleme sociale përmes lidhjes së kontratave, që ai i mendon 2 apo 3-vjeçare në bazë të planit të punës. Gjipali ka menduar t’ua gjejë vendin të gjithëve…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura