Filmoi Shukri Xhelilin, vajzës i ofrohet asistencë ligjore e psikologjike

May 20, 2016 | 8:36
SHPËRNDAJE

Vajza, e cila denoncoi kryetarin e Bashkisë së Peshkopisë, nuk është e pambrojtur. Anisa A., 20 vjeçe, ka marrë asistencë ligjore dhe psikologjike nga Prokuroria e Përgjithshme. Ditët e fundit ajo është ftuar në zyrën e mbrojtjes së viktimave të abuzimit seksual, të krijuar së fundi në Prokurorinë e Përgjithshme.

shukri

Pas asistencës psikologjike dhe ligjore që i është dhënë aty, vajza që denoncoi skandalin seksual në Dibër, është larguar nga organi i akuzës. Ajo ka thënë se do të kthehet në Dibër, ndërsa Prokuroria është interesuar dhe ka siguruar mundësinë që një Shoqatë për Mbrojtjen e Grave të kujdeset për 20-vjeçaren në Dibër.

Vajza, e cila denoncoi skandalin e kërkimit të favoreve seksuale nga kryebashkiaku i Dibrës Shukri Xhelili, ka thënë se pas publikimit të filmimeve është kërcënuar në mënyrë të përsëritur ajo dhe familja e saj.

Nga ana tjetër, filmimi i publikuar nga vajza dhe dëshmia e dhënë më pas në Prokurorinë e Dibrës dhe te Krimet e Rënda kanë qenë prova kryesore me të cilën Prokuroria kërkoi masën arrest me burg për kryebashkiakun pas shkarkimit të tij.

Në dëshminë e saj, vajza ka thënë para hetuesve se i ka shkruar nga fundi i muajit shkurt 2016 Shukri Xhelilit. “I kam shkruar pak a shumë këto fjalë: “Përshëndetje zoti kryetar. Jam Anisa, jam me arsim të mesëm. Di edhe gjuhë të huaja anglisht, spanjisht, italisht dhe jam e aftë që të ambientohem në çdo lloj pozicioni pune që mund t’ju duket juve e arsyeshme që të më ofroni. Unë jam e gatshme që të pranoj çfarëdolloj pune që më ofroni ju, sepse kam me të vërtetë nevojë”, ka dëshmuar 20-vjeçarja. Ajo më pas ka shkuar në Bashki dhe një ditë e ka takuar Shukri Xhelilin.

“Pasi prezantohem, kryetari i Bashkisë, Shkuri Xhelili, më pyeti nëse isha beqare apo e martuar. Ju përgjigja që jam beqare. Pastaj më tha: pse nuk martoheni ju të rinjtë, apo keni frikë nga martesa? Për punën time fliste shumë pak, vetëm kur ia përmendja unë. Në pjesën më të madhe të bisedës fliste për mua personalisht. Gjithashtu, Shukriu më tha se kush nuk do ta merrte në punë një vajzë si unë. Në lidhje me punën, më tha që nuk kishte vende bosh dhe se kur të lirohen, do të të lajmëroj. Në momentin që po dilja nga zyra, kryetari i Bashkisë Dibër, Shukri Xhelili, më tha që do të flisnin në Facebook ose në telefon. Dy ditë pasi kisha takuar Shukriun, i kam shkruar në Facebook dhe i thashë nëse ishte liruar ndonjë vend pune. Shukriu më shkruante që të duroja edhe pak se nuk ishin liruar vende. Qe nga ajo ditë, komunikimet me Shukriun ishin të shpeshta si në Facebook, ashtu edhe në telefon.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura