Filmimi i rrallë/ Delegacioni shqiptar që i dorëzoi kurorën Princ Vidit, biseda e Esat Pashës me perandorin Franc Jozef

Jul 31, 2018 | 12:49
SHPËRNDAJE

Gazetari dhe studiuesi Ilir Ikonomi ka publikuar ne faqen e tij ne Facebook nje filmim te rralle, sipas tij, ndoshta i vetmi i njohur deri më sot i delegacionit shqiptar që shkoi në Neuwied të Gjermanisë, për t’i dorëzuar Princ Vidit kurorën e Shqipërisë.

1

ILIR IKONOMI

DËRGATA SHQIPTARE QË TAKOI PRINC VIDIN

Ky është një filmim i rrallë dhe ndoshta i vetmi i njohur deri më sot i delegacionit shqiptar që shkoi në Neuwied të Gjermanisë, për t’i dorëzuar Princ Vidit kurorën e Shqipërisë.

Videoja tregon arritjen e dërgatës në Vjenë më 24 shkurt 1914, tre ditë pas takimit me Vidin. Vjena ishte destinacioni i fundit i vizitave të këtij grupi të larmishëm shqiptar në disa qytete të Evropës.

Kryeqyteti austriak ishte përfshirë nga kërshëria për të parë delegacionin shqiptar dhe kreun e tij, Esat pashën, sepse prej muajsh gazetat nuk pushonin së foluri për shtetin e ri, për mundimet dhe krizat që ishin dashur të kapërceheshin deri në arritjen e pavarësisë dhe sidomos, sepse mu për këtë shkak, Austro-Hungaria ishte gjendur dy herë në prag të luftës, me ultimatumet që i kishte drejtuar Malit të Zi dhe Serbisë.

Në video duket qartë Esat pasha me kallpak në kokë. Njeriu që i pret në stacion dhe shtrëngon duart me ta duket të jetë Gjergj Pekmezi, profesori i nderuar i Universitetit të Vjenës që do të shërbente si përkthyes dhe shoqërues i delegacionit.

Shqiptarët vizituan muzeun ku ishte ekspozuar shpata dhe përkrenarja e Skënderbeut. Një ditë tjetër shkuan në një fabrikë, që merrej me prodhimin e telefonave dhe aparateve të telegrafisë pa tel. Gjatë vizitës, Esatit i bënë një surprizë. Në fabrikë arriti për demonstrim një telegram në frëngjisht ku shkruhej: “Rroftë Shqipëria! Rroftë gjenerali i shquar Esat pasha!”

Në fund të vizitës, më 28 shkurt, Esati dhe më pas e gjithë dërgata u pritën nga Perandori i Austro-Hungarisë Franz Joseph. Esati i tregoi Perandorit përshtypjet nga stërvitja që kishte parë në një akademi ushtarake afër Vjenës.

Vijoi kjo bisedë:

ESAT PASHA: Unë jam vetë ushtarak, Madhëri, por atë që pashë dje nuk e kisha parë kurrë në jetën time. U entuziazmuam të gjithë dhe dua ta uroj Madhërinë Tuaj për ushtarët e shkëlqyer. Do të donim që, në një të ardhme jo të largët, të kishim vetëm një miniaturë të asaj që pamë në akademi.

PERANDORI FRANC JOZEF: (Me të qeshur) Shpresoj të gjeni një ministër financash, i cili me shkop magjik t’ju sjellë milionat që ju nevojiten për këto plane.

Princ Vidi, ose “Mreti” siç e quanin shqiptarët, arriti në Shqipëri më 7 mars 1914, por mbretërimi i tij zgjati vetëm gjashtë muaj, sepse vendi u përfshi shpejt nga trazirat.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura