Filmi kosovar “Babai” shfaqet në Berlinale

Feb 4, 2016 | 15:00
SHPËRNDAJE

Filmi “Babai”, i regjisorit Visar Morina, do të shfaqet në edicionin e 66-të të Festivalit të Filmit “Berlinale”, që do të mbahet nga 11 deri më 21 shkurt të këtij viti. Filmi mbi Kosovën e viteve ‘90 do të shfaqet jashtë konkurrimit, si pjesë e programit “Lola”.

Posteri i filmit
Posteri i filmit

Filmi “Babai”, në rolet kryesore të të cilit luajnë Astrit Kabashi dhe Val Maloku, ka qenë propozimi i Kosovës në kategorinë “Filmi më i mirë i huaj” në “Oscars” për vitin 2015. Kabashi, që luan rolin e Gëzimit dhe Maloku që luan rolin e Norit, sjellin rrëfimin për Kosovën e viteve ’90, ku njerëzit luftojnë për mbijetesë dhe shpresojnë të gjejnë shpëtimin duke emigruar nëpër Europë.

Gëzimi, i cili dëshiron të gjejë një mënyrë për të emigruar në Gjermani, përballet me të birin Norin, i cili bën çdo gjë për të qenë me të. Në këto rrethana, të zënë mes dëshirës për të qenë së bashku dhe nevojës për t’u ballafaquar me realitetin e vështirë, marrëdhënia bababir zhvillohet deri në pikën ku asgjë mes tyre nuk është më ashtu si ka qenë. Krahas Astrit Kabashit dhe Val Malokut, në film luajnë edhe aktorët Enver Petrovci, Adriana Matoshi, Aurita Agushi, Armend Ismajli, Alban Ukaj e Xhevdet Jashari.

“Tërheqja e gjithë kësaj vëmendjeje për filmin tim të parë është një sukses i jashtëzakonshëm. Berlinalja është festivali numër 5 i kategorisë A, në të cilën po shfaqet ‘Babai’, u shpreh për “Zëri.info” regjisori Visar Morina, i cili tashmë rendit disa çmime ndërkombëtare, mes të cilave edhe atë si regjisori më i mirë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit “Karlovy Vari” më 2015-n.

Astrit Kabashi që luan rolin e Gëzimit në film, shprehet se pjesëmarrja në festivalin “Berlinale” është një arritje shumë e madhe. “Filmi është në seksionin Lola në Berlinale, si një film i zgjedhur për filmin më të mirë për çmimin ‘Lola’, që është çmimi më i madh që jep Akademia Gjermane e Filmit brenda vitit”, është shprehur Kabashi, sipas të cilit “Babai” është njëri ndër filmat e selektuar dhe pritet të nominohet për atë çmim. Arben Zharku, drejtor i Qendrës Kinematografike të Kosovës, e cila ka dhënë mbështetje për filmin, ka thënë se shfaqja e “Babait” në Berlinale vulos sukseset e filmit.

“Gjithashtu e fut Kosovën edhe këtë vit në shtetet që përfaqësohen me filma në Berlinale”, është shprehur Zharku, sipas të cilit filmi “Babai” i ka sjellë Kosovës çmime të shumta ndërkombëtare. “Duke filluar nga sukseset që pati në FilmFest Munchen dhe në Karlovy Vary ka vazhduar shfaqjen në festivale të mëdha nëpër botë”, është shprehur Zharku, duke cekur edhe çmimi i fundit për aktorin më të mirë, protagonistin Astrit Kabashi, në festivalin “Angers Film Festival”.

“Ndërsa vitin e kaluar pjesë e konkurrencës zyrtare në festivalin e madh Berlinale ka qenë filmi ‘Burrnesha’, bashkëprodhim Kosovë-Shqipëri- Itali”, tha drejtori i QKK-së, Arben Zharku. Një vit më parë, “Babai” u shpall si filmi më i mirë i Tirana International Film Festival.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura