Filmi i Alimanit e Minarollit, më i miri në Festivalin e Varshavës

Oct 22, 2018 | 9:19
SHPËRNDAJE

ALMA MILE/ “Delegacioni”, filmi me regji të Bujar Alimanit u shpall filmi më i mirë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Varshavë, i cili u mbajt nga data 12-21 tetor.

Regjisori Bujar Alimani, me trofeun e Festivalit
Regjisori Bujar Alimani,
me trofeun e Festivalit

Prodhime kinematografike nga 15 shtete të ndryshme të botës u vunë në garë për trofeun e festivalit dhe qëlloi të ishte pikërisht ai shqiptar. Një moment i rëndësishëm për kinematografinë shqiptare, e cila prej vitesh vërtitet mes vështirësive financiare, një përsëritshmëri të pakuptimtë tematikash, pa gjetur vendin e saj, qoftë edhe në një areal më të ngushtë se ai botëror, në atë ballkanik.

“Është nga çmimet më të rëndësishme që kinematografia shqiptare ka fituar në historinë e saj. ‘Delegacioni’ është fryt i bashkëpunimit Shqipëri, Kosovë, Greqi, Francë, i financuar nga Creative Europe dhe Eurimages”, thotë kryetari i QKK-së, Ilir Butka. Sipas tij, “Pas Varshavës filmi vazhdon rrugëtimin në Festivalin e Cottbus, Gjermani dhe më pas në Festivalin e Selanikut në Greqi”.

Përveçse një ogur i mirë në kinemanë shqiptare, aq më emocionuese e bën fitoren e këtij çmimi fakti që ai u nis vite më parë nga regjisori i ndjerë Artan Minarolli. Minarolli u nda nga jeta në mënyrë të papritur, vetëm pak javë pasi projekti i tij ishte miratuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë.

Ishte bashkëshortja e tij Etleva Turkeshi Minarolli, që ka kompozuar edhe kolonën zanore të filmit dhe producentja Mira Turkeshi Gramo, të cilat këmbëngulën që ky projekt i Minarollit të shkonte deri në fund, duke ia besuar regjisorit Bujar Alimani, i cili mundi ta përfundojë me sukses.

HISTORIA

Filmi vendoset në vitet e fundit të diktaturës, atëherë kur ajo ishte në grahmat e saj dhe po frynin erërat e para të hapjes së vendit. Ajo tregon për një nga farsat e shumta të pushtetit, i cili të shpallte hero dhe armik brenda ditës.

I gjithë filmi ndërtohet përgjatë një udhëtimi me një nga makinat famëkeqe të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ARO, ku një zyrtar i lartë i MPB dhe një polic burgu, mbi të cilin rëndojnë sa e sa histori dhune, shoqërojnë drejt kryeqytetit një të dënuar. Një njeri të shkolluar jashtë shtetit, që po udhëton me urgjencë drejt Tiranës për të takuar një ish-shokun e shkollës, sot pjesëtar i një delegacioni të huaj, i cili ka shprehur dëshirën që ta shohë. Por i huaji nuk di asgjë mbi atë çfarë ndodh realisht në Shqipëri.

Ai udhëtim nuk do të përfundojë dot në Tiranë. Skenaristi Minarolli dhe regjisori Alimani e mbajnë rrëfimin në linja realiste, por edhe simbolika që e mbështjell atë është e fuqishme. Përmes një udhëtimi vjen gjithë absurdi i një regjimi diktatorial të dhunshëm, aq sa edhe të gënjeshtërt.

Sipas “Cineuropa”, përmes këtij filmi Alimani lë të kuptojë se regjimet bëhen të dhunshme kur shfrytëzohen nga njerëzit për të shfryrë urrejtjen dhe frustracionet e tyre mbi të tjerët. Këta tri personazhe interpretohen nga Viktor Zhusti, Ndriçim Xhepa dhe Xhevdet Feri. Të tjerë aktorë janë Kasem Hoxha, Rovena Lule, Mirela Naska, Bislim Muça, Richard Sammel, Lulzim Zeqja, Armend Smajli etj..

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura