Filmat e komunizmit/ Timo Flloko: Falje publikut për “krimet” artistike që kemi bërë

Apr 13, 2017 | 10:25
SHPËRNDAJE

Në një kohë që në Shqipëri nuk është kërkuar ende falje për krimet e komunizmit, aktori Timo Flloko ka aq qytetari sa të kërkojë falje publike për ato role që ka luajtur gjatë viteve të diktaturës dhe kanë cenuar sensibilitetin e shtresave të ndryshme të shoqërisë.

Timo Flloko, në rolin e Martin Dysart
Timo Flloko, në rolin e Martin Dysart

“Publiku duhet ta dijë se për atë ‘faj’ apo ‘krim’ në aspektin krijues që ne kemi bërë, kërkojmë falje”, u shpreh Timo Flloko në një intervistë dhënë për gazetaren Fatmira Nikolli, në “News 24”. Flloko ka folur për rolin e tij të fundit në Teatrin Kombëtar, atë të Martin Dysartit në dramën “Equus”, me regji të Dino Mustafiç, për kritikën, por edhe për debatin në lidhje me “ndalimin” e disa prej filmave të realizuar përpara viteve ’90.

Flloko e pranon se në disa syresh, sidomos në filmat me partizanë, ka elementë qesharakë dhe se Balli Kombëtar dhe kleri është trajtuar në mënyrë tendencioze e tallëse, por, sipas tij, ka edhe filma që nuk përbëjnë asnjë problem.

“Po ç’të keqe ka filmi me Ismail Qemalin, po qoftë edhe ata filma me partizanë, si te ‘Malet me blerim mbuluar’, me atë dasmën, që për mua është një film i mirë. A ka pasur tendencë skematike, keqtrajtuese? Në disa drejtime, sigurisht që po. Jemi tallur e stërtallur me ballistët. Ata kanë qenë kundërshtarë politikë, ne i kemi bërë qesharakë. Kjo është për mua një gabim, sepse nuk i kemi evidentuar si kundërshtarë të denjë politikë, sepse ashtu kanë qenë, madje në krye të tyre kanë qenë edhe personalitete të kulturës shqiptare. Por edhe qëndrimi ndaj kulteve fetare, priftit, hoxhës, kanë qenë ekstremisht tendencioze dhe të gabuara. Po të kujtoj rolet e mia si partizan, te Meço, për shembull, mbaj mend që hidhja një bombë dhe i vrisja të gjithë gjermanët. Kjo është qesharake”, tha Flloko.

Duke iu referuar pretendimeve se filmat e asaj kohe ndikojnë negativisht te të rinjtë, duke u shfaqur një imazh të rrejshëm të Shqipërisë komuniste, Flloko thotë se “rinia nuk prishet” nga ndjekja e atyre filmave.

“Ka shumë gjëra qesharake, por edhe të pranueshme. Nuk mund të hedhim gjithçka poshtë. Unë jam i mendimit që nuk prishet rinia nga vështrimi i filmave që koha i ka gjykuar dhe i vë gjithmonë në provë. Çfarë mund të themi për një film të jashtëzakonshëm si ‘Koncert në vitin 1936’? Ajo është Shqipëria e atëhershme, një Shqipëri anadollake, ku kthehen dy vajza të reja, plot ëndrra, që kanë mbaruar shkollat jashtë, në Itali, siç ishte Tefta Tashko Koço. Nuk besoj se mund të krijojnë iluzionin e një jete ideale. Dhe publiku duhet ta dijë se për atë ‘faj’ apo ‘krim’ në aspektin krijues që ne kemi bërë, kërkojmë falje”, tha ai.

SI U RIKTHYE ME “EQUUS”

Flloko mban ende emocionet e rolit të fundit, të psikiatrit Martin Dysart në dramën e Petter Schafferit, “Equus”. Një vepër që, me sa kuptojmë, ka qenë ai që ia ka propozuar regjisorit boshnjak Dino Mustafiç, madje ka qenë pikërisht ai që e ka zgjedhur atë. Ishte pikërisht kjo vepër që e ktheu në skenën e Teatrit Kombëtar, pas 6 vitesh. “Më intrigoi. Një djalosh që qëron gjashtë kuaj. Por mesazhi i veprës është liria, sakrifica ndaj lirisë, rebelimi për të qenë i lirë dhe mbi lirinë e individit nuk ka asgjë më të shenjtë. Drejtori i teatrit më kishte thënë, profesor e ke derën e hapur, gjej veprën, regjisorin. E marr veprën, ia çoj Verës, ajo e lexon rrufeshëm dhe më thotë: vepër interesante, por mendoje, ajo është gjithmonë frymëzuese”, tregon Flloko. Po ashtu ai tregon dhe se përse u zgjodh një regjisor i huaj, e më konkretisht Mustafiç.

“Mendova për një regjisor të huaj, sepse ishte një nga veprat më të vështira që kam lexuar ndonjëherë dhe me regjisorin njihesha, ka një koncept të veçantë vizual unik skenik, me mizanskenat, me të gjithë komponentët e ndriçimit, muzikës. Bashkëkohor, alternativ, por edhe klasik”. Thotë se roli i Dysart e ka lodhur më shumë se gjithë të tjerët, sepse nuk mbështetej në histori si rolet e mëparshme. Ai vlerëson kolegët e tij, dikur ish-studentët e tij, dhe në veçanti të riun Igli Zarka, që luajti rolin e Alan Strang.

“Në fillim nuk isha për Igli Zarkën, por ai ka bërë një rol të shkëlqyer. Ai theu tabutë dhe publiku tregoi se është i përgatitur për të pritur një vepër arti të tillë”, tha ai për “News 24”. Shfaqja e një vepre të guximshme si “Equus”, sigurisht pati reagime të ndryshme. Edhe pse Flloko thotë se kushdo është i lirë të japë mendimin e tij, mendimet e kritikëve ndonjëherë, sipas tij, duken qesharake.

“Është shumë mirë që veprat të kenë debate, që ndonjë shtesë, ndonjë aktualizim, ndonjë prurje, dikush mundet edhe të mos i ketë pranuar, ndërkohë që një masë e madhe njerëzish i kanë pëlqyer, siç ishte rasti i vetingut. Vijnë kritikët shohin premierën dhe nxitojnë të shkruajnë dhe gjëra që bëjnë ndonjëherë të qeshin edhe pulat. Por çdokush ka të drejtë të thotë mendimin e vet, më pëlqen, s’më pëlqen. Arti nuk gjykohet. Shijet nuk diskutohen, dijet diskutohen”, tha Flloko, i cili do të rikthehet me këtë vepër në muajin qershor. Por ndërkaq ai vazhdon përditshmërinë e tij mes përkthimeve dhe poezive.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura