Fillon kërkimi i të zhdukurve të komunizmit, raportohen vendvarrimet

Sep 3, 2018 | 21:52
SHPËRNDAJE

ALMA MILE/ Në ditë përvjetorësh apo të kremtesh, dhimbja është edhe më e madhe dhe humbja dyfishe. Ata nuk kanë një gur varri dhe të afërmit, një shenjë ku të derdhin lot e të vendosin një tufë me lule. Edhe pas gati 3 dekadash nga rënia e diktaturës, janë ende shumë ato familje, që kërkojnë të afërmit e tyre të vdekur apo të zhdukur nëpër burgje, kampe internimi e pune, gjatë viteve të diktaturës.

Kryetarja e AIDSSH-së, Gentiana Sula me familjen Kazazi
Kryetarja e AIDSSH-së, Gentiana Sula me familjen Kazazi

Ata janë të zhdukur dhe deri më sot, nëse ka ndodhur ndonjë rast fatlum, kjo ka ndodhur në mënyrë rastësore, falë dashamirësisë së ndonjë dëshmitari okular apo të penduari të kohës. Mendohet të jenë 6 mijë të tillë. Sot hidhet një hap konkret për t’u ardhur në ndihmë familjarëve, që kërkojnë të zhdukurit e tyre.

Në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, në prani të familjarëve të të zhdukurve, shoqatave për të drejtat e njeriut, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në bashkëpunim me Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) dhe Institutin e ish-të Përndjekurve Politikë prezantuan dy aplikacione online, të cilat do të ndihmojnë procesin e gjetjes dhe identifikimit të personave të zhdukur gjatë periudhës së komunizmit në Shqipëri.

Hamza Kazazi, duke dhënë informacione rreth të afërmve të zhdukur
Hamza Kazazi, duke dhënë informacione rreth të afërmve të zhdukur

“Është njerëzore që çdo person të ketë një varr dhe është detyrë e familjarëve të personave të zhdukur të mos humbin shpresën dhe të mos pushojnë përpjekjet për të gjetur të dashurit e tyre të munguar”, tha Gentiana Sula, kryetare e AIDSSH.

I pranishëm ishte edhe drejtori i Projektit të ICMP për Ballkanin, Matthew Holliday, i cili prezantoi Qendrën e Kërkimit Online të ICMP dhe treguesin e vendvarrimeve, si dy mundësi për të ndihmuar familjarët e personave të zhdukur të raportojnë rastet dhe të marrin informacion në lidhje me statusin e rasteve individuale të personave të zhdukur. Më 18 korrik të këtij viti u nënshkrua edhe marrëveshja mes ICMP dhe qeverisë shqiptare për ta vënë në baza institucionale punën për kërkimin dhe gjetjen e të zhdukurve. AIDSSH dhe IIPP janë të angazhuar në këtë proces.

INFORMACIONET

Procesi i ofrimit të informacionit nisi që gjatë prezantimit, kur disa prej të afërmve të të zhdukurve, ofruan informacionet e tyre mbi vendvarrimet e mundshme të të afërmve të tyre. Një ndër ta ishte edhe Hamza Kazazi, i biri i kryengritësit të Postribës e Reçit, Jup Kastratit, i cili raportoi një vendvarrim të fshehtë, ku mendohet se janë mbi 20 persona, përfshirë edhe familjarë të tij. Një tjetër i pranishëm raportoi vendvarrimin në Krastë të Elbasanit, të 32 të pushkatuarve për tentativë arratisjeje në vitin 1945, mes të cilëve mendohet të jenë edhe familjarët e tij.

Por informacion mund të ofrojnë edhe njerëz të tjerë, të cilët mund të kenë qenë dëshmitarë apo kanë informacione mbi raste të caktuara, për vendndodhjen e varreve masive. Në rast të gjetjes së këtyre varreve, atëherë identifikimi mund të bëhet përmes analizave të ADN-së, që do të ofrojnë familjarët e të zhdukurve dhe të mbetjeve kockore, që do të gjenden në këto varre. QENDRA Qendra e Kërkimit Online e ICMP-së (OIC) (https:// oic.icmp.int/ index.php?w=intro&l=al) është një mjet për të siguruar informacion për një person të zhdukur. Ky burim online mund të përdoret nga familjet e të zhdukurve dhe të tjerët. Zhvilluar mbi bazën e përvojën afatgjatë të ICMP për të ndihmuar qeveritë, familjet e të zhdukurve etj., OIC është një vend ku informacioni konkret dhe i përdorshëm mblidhet e ruhet në mënyrë që të mund të përdoret kur është e nevojshme në kërkimin e personave të zhdukur.

Aplikacioni mundëson paraqitjen e rasteve të personave të zhdukur, duke dhënë detaje, si emrin, datën e lindjes, vendin ku personi i zhdukur është parë së fundmi. Nëse ka informacion shtesë për një person të zhdukur, mund të paraqitet edhe ai. Aplikacioni mundëson edhe marrjen e informacioneve nga familjet e personave të zhdukur që kanë dorëzuar kampionët e ADN-së tek ICMP, për të përcjellë statusin e rastit në secilën fazë të përpunimit.

Treguesi i vendvarrimeve është aplikacion lehtësisht i përdorshëm dhe lejon raportimin e varreve masive dhe vendeve të tjera ku mund të gjenden mbetje njerëzore të personave të zhdukur. Informacioni mund të jepet në mënyrë anonime ose jo, duke u mundësuar përdoruesve që të japin informacion mbi vendndodhjen e varrezave klandestine. Të gjitha informacionet e dhëna janë konfidenciale dhe ruhen në bazën e të dhënave për t’u përdorur në procesin e gjetjes dhe identifikimit.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura