Fillojnë klasat prenatale në Spitalin Rajonal të Fierit

Apr 20, 2016 | 10:00
SHPËRNDAJE

Fondacioni Spitalor i Nënës dhe Fëmijës (FSNF) është një nismë e re për të sjellë në Shqipëri një model perëndimor në punën me spitalet publike. Në partneritet të ngushtë me spitalet publike, fondacioni punon për të plotësuar nevojat e vazhdueshme të spitaleve, si dhe për të ndihmuar në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore, kujdesin ndaj pacientit, por edhe rritjen e transparencës në shërbim.

 

729d00bd-b699-4472-ab80-842205e70dd6

Fondacioni ka rreth tre vite që punon ngushtësisht me maternitetin “Mbretëresha Geraladinë” dhe tashmë ka filluar punën e tij në lançimin e klasave prenatale në Spitalin Rajonal të Fierit. Statistikat e publikuara në raportet më të fundit të organizatave jofitimprurëse si “Save the Children” dhe Studimi Demografik dhe Shëndetësor në Shqipëri (SDSHSH) raportojnë që ka një nevojë të theksuar për përmirësimin e “mbulimin me shërbime në fushat e planifikimit familjar, kujdesit antenatal, ushqyerjes së foshnjave dhe fëmijëve të vegjël, si dhe zhvillimin në fëmijërinë e hershme1 ”, (SDSHSH, 2011).

Sipas raportit të SDSHSH-së, “Krahasimet midis niveleve të vdekshmërisë së fëmijës në Shqipëri 1996-2008 dhe me vende të tjera në rajonin e Ballkanit tregojnë se vdekshmëria e foshnjave dhe fëmijëve nën pesë vjeç, megjithëse tregon një tendencë në rënie, ishte më e lartë në Shqipëri sesa në vendet fqinje. Ndërkohë, raporti i “Save the Children” i publikuar në 2013 tregon se foshnjat në Shqipëri kanë një risk 50% më të madh për të vdekur në muajin e parë të jetës sesa ato në vendet fqinje.

Studimet mjekësore dhe akademike tregojnë se ka një lidhje të drejtpërdrejtë midis nivelit të njohurive të nënës, shkollimit si dhe statusit të mirëqenies financiare në familje dhe vdekshmërisë foshnjore.

Klasa Prenatale fier 1

“Dallimet në nivelet e vdekshmërisë referuar nivelit të edukimit të nënës tregojnë se fëmijët e nënave me arsim fillor, ose më të ulët, janë më të predispozuar të vdesin përpara datëlindjes së tyre të parë ose të pestë sesa fëmijët e nënave që kanë përfunduar gjimnazin ose një nivel më të lartë. Përllogaritjet e vdekshmërisë bazuar në gjendjen e mirëqenies së familjes tregojnë se nivelet e vdekshmërisë së foshnjave dhe fëmijëve nën pesë vjeç janë më të ulëta për fëmijët e familjeve në percentile me mirëqenie më të lartë dhe më të larta me ata në percentile me mirëqenie më të ulët”, (SDSHSH, 2011).

Statistikat e marra nga SUOGJ “Mbretëresha Geraldinë” 2013, materniteti me numrin më të madh të lindjeve në Shqipëri, tregojnë se 56% e nënave, të cilat ndiqen dhe lindin në maternitet janë të papuna dhe duke jetuar nën nivelin e varfërisë. Rreth 50% e tyre kanë jo më shumë se arsim të mesëm.

Duke ditur që “vdekjet neonatale përfaqësojnë komponentin më të madh të vdekjeve të fëmijëve në Shqipëri dhe varen jo vetëm nga cilësia e shërbimeve obstetrikale, por mbi cilësinë e kujdesit riprodhues dhe antenatal, mbi sjelljet dhe stilin e jetës”, (SDSHSH, 2011), forcimi i kujdesit antental dhe ngritjes së ekspertizës së stafit mjekësor është prioritet.

“Studimet kanë treguar që kujdesi antenatal (pre&post natal) është siguracioni më i mirë për jetën e shëndetshme të një foshnjeje2 . Për këtë arsye, ne si fondacion e shohim kyç zhvillimin e një projekti në kujdesin pre dhe postnatal që adreson problemin në tre nivele, ndërgjegjësimin e nënave, ngritjen e kapaciteteve të stafit mjekësor, si dhe këshillimin praktik të nënave”, shprehet Gerta Hagen, drejtoresha ekzekutive e Fondacionit Spitalor të Nënës dhe Fëmijës.

Njëkohësisht, sipas “Oxford Journal”, në artikullin e publikuar me titull “Care For The New Born in Developing Countries” ka shumë barriera në aksesin e shërbimi antenatal në vendet në zhvillim, sidomos në zonat rurale. Një ndër barrierat kryesore sipas studimit është dhe mentaliteti dhe mungesa e njohurive të nënave për nevojën si dhe për mënyrën e kujdesit gjatë dhe pas shtatzënisë3 .

“Ne u jemi falënderues drejtueseve dhe stafit të Spitalit të Fierit për bashkëpunimin dhe mundësinë. Duke ditur që materniteti i Fierit pret një numër të lartë lindjesh pas spitaleve universitare në Shqipëri, rreth 2258 lindje në 2014, njëkohësisht ka dhe një statistikë të lartë të vdekshmërisë foshnjore në rajone, ofrimi i një programi prenatal për nënat është një arritje”, vazhdon Hagen.

“Ne shpresojmë që nënat, sidomos nënat e reja, do ta shfrytëzojnë këtë mundësi duke u bërë pjesë e klasave prenatale, të cilat ofrohen falas nga fondacioni në bashkëpunim me Spitalin Rajonal Fier”, përfundon Hagen.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura