Fijet prej ari të Mid’hat Frashërit

Nov 13, 2018 | 12:05
SHPËRNDAJE

VISAR ZHITI/ visar zhiti1- Tani një nga bijtë e Rilindjes së vërtetë shqiptare, rilindas dhe vetë, kthehet në atdhe, Mid’hat Frashëri. Në fakt, kthehen eshtrat e tij… në dheun amë nga përtej oqeanit, nga SHBA, pikërisht nga një metropol i madh i botës, nga Nju-Jorku, ku ai mbylli sytë përgjithmonë, në rrethana të dyshimta, për t’u prehur që nga nesër e në amëshim në Tiranën e vogël, edhe të tij. Në vend të ndezjes së një qiriri metaforik, shpirtëror e të brendshëm, të një përshpirtje kolektive, janë ndezur polemika si në dy llogore lufte si dikur, në duhej apo nuk duhej të sillej “sipas amanetit” të tij ky veprimtar i historisë sonë të re, aq sa të bën të besohet që dhe në çështjet e pasvdekjes dhe të përjetësisë ndër shqiptarë, më shumë se sa Zoti, vepron djalli.

Vdekja i barazon të gjitha, thoshin latinët, por siç duket jo ndër shqiptarë. Të bëjmë paqe me historinë, na arrin një postulatë, por jo aq e vlefshme për në Shqipëri. Historia jemi ne, është një thënie tjetër, por mes nesh historia copëzohet, rrëmbehet, privatizohet, “blihet”, shpiket dhe bëhet si do të donin ky dhe ai, punë klani, si të thuash, pa një “ne” të përbashkët, ndërkaq ajo që thoshte aq paradoksalisht George Orwell, që ne dimë si ta bëjmë të ardhmen, por nuk dimë si ta bëjmë të shkuarën, është më e vërtetë se asgjëkundi, ja, këtu, tani.

Mid'had Frasheri, Visar Zhiti

Historia është kudo, edhe në të voglat, edhe në ato vetanaket. Se e vogla është te e madhja dhe e madhja te e vogla. Çdo shqiptar mbart Shqipëri…

2- Ndërkaq, teksa mendoj, më vjen para një Flamur, në fakt shkoj unë përballë tij, e kam në shtëpi, të vogël, të qëndisur nga ime më, kur sapo ishte fejuar, për t’ia dhënë bashkëshortit të saj të ardhshëm, tim eti. Është punë e vitit 1941, pra, e treçerek shekulli më parë. Pra, ia shton vlerën dhe koha, por dhe fijet e arta, me të cilat është punuar, kanë një historizë, që sikur lidhen me historinë e madhe. Fusha e kuqe gjak e flamurit si një perëndim i përgjakur dielli mbi një fushë beteje, sepse dhe bota e gjithë atëherë ishte përfshirë në Luftën e saj të Dytë, që qoftë e fundit! Dhe shqiponja e zezë dykrenore, ashtu e hershme siç ka qenë në heraldikën arbërore, me flatrat e nderura dhe poshtë kthetrat, të tendosura si për vetëmbrojtje. E gjithë ka një harmoni kryeneçe. Të gjithën e vizatoi im atë, madje vuri dhe katër vargje të tij për t’u qëndisur poshtë shqiponjës nga nëna:

Flamur kuq e zi,
Dritë e vërtetë.
Paqe dhe liri
Na jep ti në jetë.

Pa asnjë shenjë pikësimi, si modernistët, ndërsa shkronjat janë të stilizuara, si në një lloj valleje jugu.

Nëna na tregonte ne, fëmijëve të saj, vonë, shumë vonë, se duke qenë kohë lufte, mungesash të mëdha e krizë gjithandej, afërmendsh që nuk gjendeshin as penjtë e duhur për të qëndisur, muline, i thoshte ajo.

Që t’i bie shkurt, ato i gjeti dhe ia dha Mid’hat Frashëri, mik i babait. Ndoshta i porositi jashtë. Ishin në Berat të dy në atë kohë dhe bashkëpunonin. Por Mid’hati vuri dhe një kusht të bukur, që të qëndiseshin dy flamurë, edhe një për atë. Dhe ashtu u bë.

Dhe mua figura e Mid’hat Frashërit m’u përzi me fije prej ari. Ai është i lidhur si me to gjithandej, në zanafillë e familje, në portën e madhe të saj, në edukatën kombëtare, në bëmat patriotike, në ëndrrat, në…

Mid'had Frasheri, Visar Zhiti2

Ishte shumë i kulturuar Mid’hati, na tregonte babai, fisnik, i lartë, patriot, i biri i Abdylit. Trashëgonte trimërinë e tij, po atë diplomaci, kurse nga xhaxhallarët, nga Samiu kishte dijet e gjëra enciklopedike e nga Naimi – shpirtin, poezinë e tij. Ai institucionalizoi librin, e kërkonte gjithandej gjithçka që i duhej albanologjisë.

Ishte elegant, i hijshëm, i sjellshëm, – shtonte nëna, – kur vinte për vizita, gjatë përshëndetjeve përkulej, zonjave u puthte dorën…

Atdheu fillon te dera e shtëpisë. Europa është dhe sjellje. Të dish të puthësh dorën… Dhe ishte kohë e egër, kohë lufte. Historinë si vazhdon, e dimë.

Flamurin me fijet e arit të Mid’hat Frashërit, koleksionistja pasionante, doktoreshë Linda Spahiu, e përpunoi, e futi në një kornizë potente, me targëza ari e imazhe të nënës e babait e të Beratit, ia nxori në pah dhe si estetikë vlerat Flamurit, madje dhe e ekspozoi me rastin e 100- vjetorit të Pavarësisë së vendit…

3- Me nismë të studiuesit dhe veprimtarit të shquar të ditëve tona, Uran Butka, pinjoll rilindasi, drejtor i Institutit të Studimeve Historike “Lumo Skëndo”, pseudonimi letrar i Mid’hat Frashërit, si me fije ari dhe ky, Lumo = i lumë, po edhe lumë, edhe dritë nga latinishtja e Skëndo = Skënder + beu, që në turqisht u mbiquajt Gjergj Kastrioti, në nderim të Aleksandrit të madh, pra, pas këtij propozimi strategjik të Institutit, qeveria shqiptare vendosi kthimin në atdhe të eshtrave të kreut pacifist të Ballit Kombëtar

Pa dashur të bëj atë që s’jam, historianin, pra, nuk do të rendis fakte dhe arsye, megjithëse ato janë me shumicë dhe bindëse, por si qytetar i vendit tim unë i bashkohem dhembshurisht bëmave shpirtërore, ceremonisë së përshpirtshme për Frashërlliun e fundmë Rilindas dhe e vlerësoj si të duhur këtë kthim, edhe pse me vonesë. Gjithsesi ai ka vezullimet e fijeve të arit.

Lidhja e të vdekurit me tokën e tij është një pajtim i shenjtë, rit i lashtë sa vetë njeriu. Ndërkaq nuk e di se sa gati ishte ndërgjegjja e shqiptarëve këtu tani për ta pritur një bir të vetin, me probleme që i kanë hapur vetë shqiptarët. A e meriton e sotmja e tanishme rilindasin e fundit Frashërlli?

Akti është tejet i mençur dhe përbashkues. Që mrekullisht e tejkalon testamentin e europianit, shqiptarit të madh Mid’hat Frashëri, që të vijë në atdhe kur qeverisin kundërshtarët e tij, të guxojmë të themi “armiqtë” e tij, sipas kundërshtarëve dhe “armiqve” të kësaj bëme. Megjithëse Frashërlliu ynë ishte brumosur kësisoj, që ndër shqiptarë nuk shikonte armiq, por vëllezër. Armiqtë e tij ishin armiqtë e Shqipërisë.

Shumëkush mund të nxitojë të kundërshtojë me zell, edhe me egërsi siç kanë bërë, duke këmbëngulur se ai dhe jo vetëm ishte kolaboracionist, bashkëpunoi me pushtuesin, ja faktet, etj., etj.. Madje, parashikoj se edhe mund t’ia thyejnë mermerin e varrit herë pas here, siç bëhej me Faik Konicën, kritikun e doktrinës së Rilindjes, “enciklopedinë që ecte”, sipas Apolinerit.

Po, kolaboracionizmi është, ndonjëherë a shpesh, a përherë i pashmangshëm, por çështja dhe çelësi është ky, sipas meje: a ishin kolaboracionistët me të huajin në dëm të atdheut apo në dobi të atdheut?

Mid’hat Frashëri të gjithë jetën e tij, bëmat dhe veprën si intelektual dhe diplomat, si gazetar dhe lider, si librar dhe albanalog e antropolog e shkrimtar dhe i arratisur politik, kreu i “Shqipërisë së lirë në mërgim”, asgjë dhe asgjëkundi nuk e ka në dëm të vendit të tij e të popullit të tij, pavarësisht realiteteve e dukjeve, e shfaqjeve, që impononte koha, sidomos ajo e acaruara, kritikja, pushtimi dhe lufta, që të detyrojnë të bësh dhe atë që nuk do.

Shqipëria është ndër ato vende fatlume se të gjithë ata që akuzoheshin për kolaboracionizëm dhe bënë, asgjë nuk e kanë kundër atdheut. Përkundrazi. Ndërkaq ata u mundën. Humbëm betejën, por jo luftën, thoshte Mid’hat Frashëri, teksa largohej nga Shqipëria. Moralisht, së brendshmi, ishin të qetë, që e ardhmja do t’u jepte të drejtë, madje jo shumë vonë do të ishin triumfatorë moralë ndaj përndjekjes së padrejtë dhe terrorit të thashethemeve të zyrtarizuara.

Po kështu dhe mbas Luftës së Dytë Botërore, në kohë paqeje ndërkaq, fitimtarët ishin kolaboracionistë. E pamundur të mos ishin, vendi ishte radhitur në anën e drejtë të historisë. Sundimtarët e rinj kishin udhëhequr çlirimin e Shqipërisë, por jo të shqiptarëve, që s’është e njëjta gjë. Ishte bërë një luftë e madhe, heroike, popullore kundër pushtuesit, por dhe kundër vetvetes, ndaj nacionalistëve, dua të them dhe s’u gjet rruga e bashkimit kombëtar, munguan fijet e arta për të qepur plagët tona, madje u mashtruam nga internacionalizmi, nga interesat e vendeve të tjera të tjerëve, të mbështjella me ideologji e ideale, aq sa u mbajt gjallë deri në fund lufta e klasave si motor i historisë, kur ajo s’është gjë tjetër, veçse vazhdim i luftës civile në kohë paqeje.

Sundimtarët e rinj kolaboruan me jugosllavët, sup më sup, me sovjetikët ende më shumë dhe pas Bashkimit Sovjetik me Kinën Popullore të Mao Ce Dunit. Në të gjitha këto vende të perandorisë komuniste populli shtypej. Në Shqipëri, që ishte dhe më hermetikisht e mbyllur, më shumë se kudo. Ajo që kam thënë dikur, ne ishim një burg i madh me burgje të vegjël brenda, më të tmerrshëm se ferri.

Nëse pyes që kolaboracionizmi i diktatorit Enver Hoxha dhe i bashkëpunëtorëve të tij, në kohë paqeje apo të luftës së ftohtë, ishte në dobi të vendit? Gjasat dokumentojnë se kolaboracionizmi i Enver Hoxhës ishte në dobi të makinerisë së sundimit të tij barbar, që e rrënoi vendit dhe pjesë e këtij mekanizmi ishte dhe lufta që i bëhej Mid’hat Frashërit, asaj që ai përfaqëson, etj..

Shpresojmë që kthimi i tij, tashmë një grusht dheu me fosfor përndritës, që të kujtojnë vezullimet e fijeve të arit, t’i shërbejë bashkimit kombëtar, paqes sociale ashtu siç dhe ai ëndërronte. Pjekurisë tonë sociale, por dhe si njerëz, që guxojmë të prishim tjetrin, pa bërë vetveten.

Mid’hat Frashëri, duke qenë dhe profet, rivjen dhe të na vërë në provë. S’e dimë ç’ka profetizuar…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura