Fieri e Vlora të zhytur në ujë e llucë, vazhdon ankthi i banorëve

Oct 13, 2015 | 8:10
SHPËRNDAJE

Shirat u qetësuan ditën e djeshme, duke ua lënë vendin llucës e baltës. Edhe pse institucionet vendore u angazhuan dje për të normalizuar situatën, kjo nuk është arritur dot. Banorët janë munduar me forcat e tyre të mund të largojnë ujin e baltën e krijuar.

Qendra e Fierit
Qendra e Fierit

FIER
Qysh në orët e para të mëngjesit, pronarë biznesesh dhe familjarë janë duke punuar për të larguar mbeturinat, dherat, llumrat që lanë pas ujërat e Gjanicës. Ndërkohë dhjetëra automjete të bashkisë janë vënë në punë për të hapur rrugët, por edhe për zhbllokimin e pusetave të bllokuara. Vetë banorët, edhe pse u janë kthyer shtëpive, shprehen se kanë mbetur vetëm me muret e shtëpisë, çka u ka sjellë mungesën e mundësisë për t’iu rikthyer jetës normale.

Besnik Kanani shprehet se i është bërë një dëm kolosal nga përmbytjet, dëm që kap shifrën e 50 mijë eurove, ndërsa shprehet se nuk beson te dëmshpërblimet për shkak se çdo vit janë përmbytur dhe shteti veç i ka gënjyer.

lluca“Siç e shihni më janë përmbytur tri makinat që i kisha të parkuara para shtëpisë dhe i gjithë kati i parë. Dëmet janë marramendëse. Gjithë puna ime e këtyre viteve në Greqi më iku nga Gjanica. Kujt t’i kërkojmë ndihmë, kujt t’i drejtohemi? Çdo vit që përmbytemi vijnë shënojnë emrin e dëmet dhe nuk na kanë dhënë lekë. Qysh në vitin 2008, këtë situatë mbaj mend”, thotë ai.

Ndërkohë Keli Goga tregon se vërshimi i ujërave ishte kaq shumë i rrëmbyeshëm, saqë nuk kishin pasur mundësi të largonin asgjë nga mobiliet dhe elektroshtëpiaket.

“Ishte e frikshme rrjedha e ujit. I mblidhte çfarë të gjente përpara me rrëmbim të madh. Mori gjithë komodinat, raftet, bufenë, ndërsa uji mbuloi gjithë katet e para. Siç e shihni, situata është katastrofike. Nuk ka shpëtuar asgjë. Tre metra të katit të parë i mbuloi uji. Ishte e tmerrshme. Shteti duhet të marrë masa se këtu janë qindra familje pa një batanije të flenë, jo më të tjera”, ka thënë Goga.

Ndërkohë, përfaqësues të emergjencave civile sqarojnë se kanë vënë në dispozicion të gjitha grupet e punës për të bërë pastrimin e shtëpive dhe tharjen e rrugëve. Më të dëmtuara janë lagjet “Sheq i Madh” dhe “1 Maji”. Ndërkohë, përmbytja e pompave të ujit ka lënë pa ujë gjithë qytetin e Fierit dhe bashkia ka furnizuar me bote.

VLORË
Qyteti ka qenë i mbuluar nga uji në disa zona, ashtu si dhe rrugët lidhëse të tij me komunat. Vetëm dje ka nisur funksionimin normal hidrovori, i cili një ditë më parë nuk ka punuar, duke krijuar rëndimin e situatës.

Si asnjëherë më parë qyteti i Vlorës ka parë kaq përmbytje, madje edhe në rrugët kryesore të tij. Po ashtu, edhe kisha e qytetit është rrethuar nga uji, edhe pse nuk kishte ndodhur kurrë më parë. Më problematike gjendja është në lagjet “24 Maji”, “Pavarësia”, “15 Tetori”, rruga “10 Korriku”, “Kushtrimi”, si dhe për herë të parë në zonën e Ujit të Ftohtë.

Nën ujë numërohen rreth 260 banesa dhe 150 biznese. Në Vlorë u shënua dhe viktima e parë e këtyre përmbytjeve, kur ujërat e një përroi morën me vete trupin e Luan Qarrit, në afërsi të Radhimës. Problematike mbetet jo vetëm tërheqja e ujit nga banesat e bizneset, por edhe furnizimi me energji elektrike. Gjatë pasdites në Vlorë ishte dhe zëvendëskryeministri Niko Peleshi, i cili premtoi akordimin e 6 milionë eurove për emergjencat civile, ndër këto 4 milionë do të investohen në Qarkun e Vlorës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura