Fiaskoja e pyetësorit të Ramës

Jan 24, 2022 | 8:26
SHPËRNDAJE

genc-burimi-2GENC BURIMI

Banaliteti i radhës së qeverisë Rama: një formular i ngjashëm me nismat e ish-regjimit më të honepsur të shqiptareve kur brohoritej “Çfarë do populli, bën Partia”, të bën kësaj here më shumë për të qarë se për të qeshur. Ky formular është infantilizmi i mbarë një populli, ose të paktën e asaj pjese të popullit që ende ka mbetur në Shqipëri përtej valëve të panumërta të atyre që po braktisin parajsën e Edi Ramës në emigracion. Cili është kuptimi i kësaj megafarse? Ramës në këto momente i nevojiten para, shumë para. Arka e shtetit është bosh dhe FMN-ja po ngrys vetullat. Andaj nuk janë përgjigjet e shqiptarëve që i interesojnë Edi Ramës sepse ai kurrë s’i ka pyetur. Ai s’i pyeti shqiptarët për gjëra shumë më serioze kur i vuri Kushtetutën shkollën e Rilindjes vetëm pak muaj para zgjedhjeve, pa Gjykatë Kushtetuese të plotë, pa Parlament të plotë, vetëm për ta ndryshuar librin themeltar të shtetit sipas interesit elektoral të partisë së tij. E si mund t’u marrë mendimin tani Rama shqiptarëve, që i quan vulgarisht në formular “njerëz” e jo qytetarë, kur nga ato pyetje ai nuk pret përgjigje, por një plebishit të masave që ai tashmë ka vendosur t’i marrë si një i droguar që ka konsumuar gjithçka dhe i duhet një dozë e re përtej borxhit të fundit prej 700 milionë eurosh në eurobonde. Ramës i nevojiten shuma marramendëse për t’ia dalë me atë kërkesën e vazhdueshme të FMN-se për konsolidim fiskal që do të thotë se nuk mund të harxhosh më shumë se ç’fiton. Në raportin e para një muaji, institucioni me i rëndësishëm financiar botëror nuk i kurseu asgjë Ramës nën një rrebesh e kritikash. Vetëm në harkun kohor të tre viteve, 2018- 2021, pesha e koncesioneve ka kaluar nga 33% e GDP–se në 50%. Kur dihet se Prodhimi i Brendshëm Bruto i Shqipërisë është 15 miliardë dollarë, llogaria është e thjeshtë: PPP-të e Edi Ramës gllabëronin tashme 5 miliardë dollarë më 2018, ndërsa sot 7,5 miliardë dollarë. Me këtë ritëm pas pak vitesh është e tërë pasuria e krijuar nga Shqipëria brenda një viti që do të shkojë të vadisë koncesionet e Rilindjes. Në më të mirën e rasteve, FMN-ja parashikon që borxhi publik i Shqipërisë të bjerë në nivelin e para Covidi-it (kur ishte tashmë më i larti në rajon) vetëm me 2026. Gjatë kësaj kohe, inflacioni po shtohet, që do të thotë se normat e interesit po rriten dhe do rriten edhe më tepër. Miliardat eurobonde borxh që merr Rama vazhdimisht do të kenë si pasojë norma interesa të papërballueshme për shqiptarët. Duhen gjetur para, pra. Si do t’ia bëjë qeveria, pyet FMN-ja, duke ditur se niveli i taksave ka arritur në kockë dhe s’mund të ngresh taksa të reja. Po ashtu, FMN-ja refuzon kategorikisht futje parash në ekonomi nëpërmjet amnistirash fiskale që çojnë në pastrim parash. Institucioni i famshëm financiar ia rikujtoi edhe një herë qeverisë shqiptare në raportin e dhjetorit se Shqipëria figuron që nga shkurti 2020 në listën e padenjë gri të GAFI (FATF në anglisht), Organizata Botërore e Luftës kundër Pastrimit të Parave të Pista dhe Financimit të terrorizmit me qendër ne Organizatën për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik në Paris. Mjafton të shohësh cilat janë vendet e tjera në këtë listë krahas Shqipërisë dhe një ndjenjë pakuptimi të kap ndaj administratës amerikane kur shpalli Berishën non grata dhe le të livadhisin përgjegjësit e futjes së Shqipërisë në këtë liste të pistë me këto shtete: Shqipëri, Bahamas, Barbade, Botsvana, Kamboxhe, Gana, Xhamajka, Maurice, Mongolia, Myanmar, Nikaragua, Pakistani, Panama, Siria, Uganda, Jemeni, Zimbabve.

Si i përgjigjet Rama rekomandimit të FMNsë që të mos procedojë në asnjë lloj amnistie fiskale për aq kohë sa figuron në listën gri të GAFI-t? Kryeministri i përgjigjet duke u fshehur pas “njerëzve” në Shqipëri, me pyetjen 5 të formularit, ku në fakt rekomandon që të amnistohen emigrantët që sjellin në Shqipëri të ardhurat e padeklaruara jashtë. Por nëse qenkan të ardhura të padeklaruara nga Parisi, për shembull, që Kryeministri e njeh mirë, me çfarë syri magjik e sheh ai nëse janë të ardhura të kryera nga gra shqiptare në pune shtëpie apo te Pylli i Bulonjës. Rilindësi duhet ta dijë se amnistinë fiskale FMN-ja nuk e do pikërisht për të evituar që paratë e trafiqeve të narkotikëve dhe të prostitucionit që mund të hynë në Shqipëri nuk do financojnë vetëm buxhetin e qeverisë, por edhe terrorizmin ndërkombëtar që më shumë se kurrë ushqehet nga trafiqet. Pyetja tjetër, me të cilën Kryeministri kërkon të mbushë arkën për të paguar PPP-të e miqve të qeverise duke i marrë shqiptarët për budallenj, është ajo mbi kanabisin. Është skandaloze kur kujton sesi e dëboi Rama asaj kohe “me ceremoni” një Koço Kokëdhima nga PS-ja pse guxoi të parashtronte tezën e prodhimit legal të kanabisit mjekësor. Më 2016, ende në mandatin e tij të parë, Rama s’e mendonte se një ditë jo të largët do të kishte ai vetë nevojë për paratë e kanabisit në mënyrë legale për të mbushur arkën e tij boshe.

U propozoj tani lexuesve të më lejojnë këtu më poshtë t’u përgjigjem në vend të tyre pyetjeve të Ramës, duke “i zbërthyer” ato një me një. Ftoj po ashtu lexuesin se do ta ketë me të lehtë të zëvendësojë fjalën “njerëz” me “qeveri”. Pra, kur shkruhet “njerëzit thonë apo mendojnë”, në realitet është “qeveria që e mendon”.

Përgjigje për një formular që meriton indiferencë maksimale.

1-Ka njerëz që thonë se nënat që rrisin 3 ose më shumë fëmijë të mitur, duhet të përfitojnë mbrojtje të veçantë sociale nga shteti. Të tjerët thonë se shteti nuk duhet të bëjë diferencime as në këtë rast. Si thoni ju?

Pyetje “tymuese” për të fshehur gjurmët para se të mbërrihet te tri pyetjet e vërteta, ato 5 dhe 6, për të mbushur arkën e shtetit me para të pandershme dhe pyetjen 10 për të skarcuar gjyqtarë dhe prokurorë në mënyrë të paligjshme. Përtej faktit se kjo pyetje e parë synon ta nxjerrë qeverinë si “humane” që preokupohet për nënat më shumë fëmijë, ajo është pyetje e rrezikshme. Mënyra sesi është formuluar kjo pyetje, i hap qartë mundësinë dhe grave të milionerëve shqiptarë që kanë tre, katër apo më shumë fëmijë që i rrisin si princa pa pasur nevojë që të punojnë, të marrin ndihmë sociale nga taksapaguesi shqiptar. Bravo Rama…

2- Ka njerëz që thonë se Shqipëria duhet të ashpërsojë dënimin e autorëve përsëritës në kryerjen e krimeve të rënda kundër personit, duke e dyfishuar dënimin për ta dhe duke hequr të drejtën e gjykimit të shkurtuar për autorët që kryejnë dhunë në familje dhe krime ndaj fëmijëve. Etj., etj

Qeveria i përgjigjet vetë kësaj pyetjeje në kuadratin që pason fill mbrapa ku shkruhet: “Kjo nismë garanton që autorët në fjalë të marrin dënime edhe më të ashpra…”. Djalli fshihet në detaje edhe në këtë pyetje. Rama propozon që krimit kundër personit t’i dyfishohet dënimi herën e dytë. Për shembull, një person qëllon me grusht një tjetër, i thyen hundën dhe dënohet, le ta zëmë, 6 muaj burg. Rama thotë se nëse i dënuari e përsërit të njëjtin krim një herë të dytë, s’do “hajë” me 6 muaj, por një vit burg. Dakord, po pse ky ashpërsim t’u rezervohet vetëm krimeve “kundër personit” dhe jo korrupsionit, i cili prek me shumë qeveritarët apo bizneset në ujdi me politikanët? Një kundërpyetje mund t’i bëhet këtu Ramës: Ka njerëz që thonë se Shqipëria duhet të ashpërsojë dënimin me ata që abuzojnë kur janë në pushtet dhe për këtë të hiqet nga Kodi Penal çdo parashikim kohor për krime që janë kryer nga pozita, pushteti. Si mendoni, ju zoti Kryeministër?

3- Ka njerëz që thonë se të punësuarit, që denoncojnë metoda të pagave fiktive nga punëdhënësi, duhet të mbrohen nga shteti me dëmshpërblim financiar me largim të padrejtë nga puna, kur denoncimi i tyre vërtetohet, ndërsa punëdhënia në fjalë duhet penalizuar me ashpërsim të masave në fuqi. Etj., etj. Si mendoni ju?

Si në kohën e regjimit monist, Edi Rama kërkon të rilindë refleksin e spiunllëkut ndërmjet shqiptarëve. Qëllimi final është të fusë sa më shumë para në buxhetin e shtetit. Kjo do të thotë se kur Rama premton një dëmshpërblim për kallëzuesit, ai gënjen, sepse qëllimi i qeverisë është të fitojë e jo t’ua rikthejë të punësuarve shumat që qeveria do marrë nga punëdhënësit. Rama jo vetëm që gënjen, por bën edhe një gabim juridik trashanik. Kush garanton që edhe i punësuari kallëzues s’do të përndiqet, edhe ai pasi edhe ai duke fshehur sasinë e rrogës që ka marre nën dorë, ka paguar më pak taksa mbi të ardhurat personale. Po te përndiqet vetëm punëdhënësi dhe jo i punësuari, do të ishte një diskriminim si jo të barabartë para ligjit. Rama të veprojë si në çdo vend të qytetëruar, të ekzaminojë me kontrollet e tij nivelin e jetesës së të punësuarve, ndaj të cilëve ka dyshime se konsumojnë më shumë se ç’fitojnë. Pasi të ndëshkohen ca të tillë sa për shembull, shumë të tjerë do të refuzojnë vetë të marrin para të padeklaruara nga punëdhënësi.

4- Ka njerëz që thonë se ata që kanë fituar statusin e pensionistit, por që vazhdojnë ende të punojnë, nuk duhet të paguajnë kontributet shoqërore. Të tjerë mendojnë se nuk duhet bërë një diferencim i tillë. Si mendoni ju?

Në kuadratin që pason pyetjen, qeveria përgjigjet se pensionistët sigurisht nuk duhet të paguajnë kontributet shoqërore kur punojnë. Kemi të bëjmë me një pyetje tepër teknike për t’u trajtuar në këtë formati, gjë qe i jep pyetjes një ton demagogjik për të joshur elektoratin e moshuar. Një pensionit nëse punon për shembull mes moshës 70 dhe 75 vjeç, ai shpreson po ashtu të marrë falë kësaj periudhe shtese pune një pension më të madh se ç’merrte kur doli në pension. Në këtë rast nuk është anormale që ai të paguajë me rrogën e tij kontribute shoqërore që do t’i rrisnin pensionin. Po ashtu, edhe për kontributet për shëndetin, ai duhet t’i paguajë në rrogë. Kjo sepse kur pensionisti punon, ai do lodhet më shumë dhe do të bëjë me shumë vizita te mjeku. Nuk është normale që ai të fitojë para duke punuar, por të mos kontribuojë për shëndetin e tij që do dëmtohet me shume duke punuar sesa duke u çlodhur në shtëpi si pensionist. Nga ana tjetër, pensionisti që punon nuk duhet të kontribuojë për papunësinë, pasi kur të humbasë punën ai nuk do të përfitojë nga asistenca e papunësisë. Mjaftojnë këto pak idera për të treguar sesa delikate është të bëhen kështu lloj pyetjesh teknike në formë demagogjie.

5- Ka njerëz që thonë se emigrantëve shqiptarë që duan të depozitojnë në Shqipëri kursimet e tyre, duhet t’u jepet amnisti e plotë. Të tjerë thonë se depozitimet në vendin tonë, të kursimeve të punës në emigracion, nuk duhen inkurajuar përmes amnistisë. Si mendoni ju?

Kjo është pyetja kryesore ose më mirë kleçka e gjithë këtij pyetësori. Qeverisë i duhen paratë e emigrantëve. Por po ta vini re, Rama qëndron enkas konfuz në pyetje. Ai flet për “kursime të punës në emigracion” duke heshtur për gjënë kryesore: a bëhet fjala për kursime që janë të deklaruara ose jo në vendin pritës? Nëse janë të ardhura të deklaruara në Francë, Gjermani, Italia apo edhe në Singapor, s’ka asnjë problem që emigranti t’i sjellë ato në Shqipëri edhe pa i marrë lejen Ramës siç vepron edhe sot. Pra, Rama në pyetjen e tij synon “kursimet” e padeklaruara te fisku francez, gjerman, italian etj. Pse nuk e thotë shkoqur këtë Rama në pyetje. Qeveria kësaj pyetje të cunguar që bën vetë, i përgjigjet po vetë në kuadratin që pason pyetjen duke inkurajuar që këto “kursime”, që me sa duket janë të padeklaruara, të vijnë në Shqipëri me garancinë se ato do të jenë “plotësisht të amnistuara”. Po vetëm të ardhurat ilegale kanë nevojë të amnistohen. Qeveria vë dy kushte për këtë amnisti, të dyja qesharake: 1) Të mos jenë para të pista. Por si e vërteton qeveria këtë? 2) Këto të ardhura të padeklaruara të vijnë në Shqipëri me bankë. Po kush është ai çmendur që pasi i ka fshehur shuma fiskut francez, gjerman apo italian, të shkojë në një banke si cjapi te kasapi dhe t’i dërgojë këto shuma ilegale në Shqipëri? Rama arkëboshi mund t’i amnistojë fare mirë këta emigrantë, por a do t’i amnistonte ata drejtësia franceze, gjermane, italiane apo ajo amerikane? Kur lexon kështu pyetjesh, nuk je larg së menduari që Rama është bërë si vëllai i tij, Erdogani, i cili kur ndërmerr nisma në ekonomi, nuk pranon të këshillohet me ekspertë duke e çuar ekonominë turke në greminë. Shqipëria nuk duhet të imitojë Turqinë dhe praktikat e saj anadollake në të gjitha kuptimet e fjalës.

6- Ka njerëz që thonë se Shqipëria duhet të lejojë kultivimin, përpunimin dhe eksportimin e kontrolluar nga shteti të kanabisit për qëllime mjekësore, pa e legalizuar për arsye përdorimi vetjak. Të tjerë thonë se kanabisi nuk duhet të lejohet as për qëllime mjekësore. Si mendoni ju?

Fantastike ky kthim i timonit 180 gradë nga timonieri që dikur zbriti nga anija pasagjerin e pagdhendur Kokëdhima kur ky guxoi të lëshojë idera të tilla që do të helmonin rininë sipas Ramës së asaj kohe. Por tani, midis rinisë që edhe po u drogua mendjen për të ikur e ka në emigracion nga njëra anë, dhe arkës boshe të shtetit në anën tjetër, duket qartë kepi i ri që synon në horizont “Timonieri i Lazaratit”. Para disa vitesh, ai derdhte aty kolona të blinduara me forca speciale për të çrrënjosur kanabisin, ndërsa tani është gati t’u çojë ujë “kopshtarëve” të Lazaratit që të mbjellin sa më shumë kanabis. Për të vjelë, apo për të vjellë?

7- Ka njerëz që thonë se ashtu si vendet e tjera të Europës, Shqipëria duhet të vendosë me detyrim që qytetarët të paraqesin certifikatën e vaksinimit në të gjitha hapësirat publike të mbyllura dhe në tubime të mëdha. Të tjerë thonë se kjo praktikë nuk duhet të jetë e detyrueshme pasi kufizon liritë dhe të drejtat e njeriut. Si mendoni ju?

Rama po bëhet vërtet i lodhshëm me këto pyetje enkas me realitete të cunguara. Norma në Europë nuk është vaksinimi i detyrueshëm, por pasaporta sanitare e detyrueshme. Që do të thotë se ligji në shumë vende të Europës imponon testimin dhe jo vaksinimin. Si mund të jesh kaq i pasaktë në këtë nivel kaq të lartë përgjegjësia siç është ai i Kryeministrit?

8-Ka njerëz që thonë se qeveria duhet të ashpërsojë gjobat dhe masat kundër evazionit fiskal të shoqërive të biznesit të madh. Të tjerë thonë se rregullat në fuqi janë të mjaftueshme nëse zbatohet si duhen. Si mendoi ju?

Tetë vjet Kryeministër tani kujtohet Rama se paska evazion të madh fiskal në këtë vend. Sigurisht që e dinte dhe asgjë domethënëse s’ka bere kundër kësaj gangrene, përndryshe të na japë shifra siç e bëjnë vendet e zhvilluara që publikojnë statistika sa miliarda kapen çdo vit nga evazioni fiskal. Po atëherë, përse njofton Rama një ashpërsim të legjislacionit në këtë fushë? Apo mos ndoshta synon të frikësojë ato biznese të mëdha që do guxonin të mos shërbenin në kuzhinën elektorale të partisë në fuqi dhe në emër të popullit do që t’i demaskojë për evazion fiskal? Kjo nuk quhet luftë, por shantazh. Qeveria të japë shifra mbi evazionin fiskal dhe emrat e atyre që dëfrehen në këtë sport të rrezikshëm.

9-Ka njerëz që thonë se qeveria duhet të tregohet më e ashpër, jo vetëm me subjektet, por edhe me individët që ndotin hapësirën publike. Të tjerë thonë se rregullat aktuale janë të mjaftueshme. Si mendoni ju?

Fraksioni politik i Bashës që ndoti hapësirën publike me gaz mbytës është subjekt apo janë individë? Qeveria të mendojë në radhë të parë për një legjislacion të ri që të rregullojë me ligj divorcet në parti, pasi është kjo ndotja kryesore publike për momentin.

10- Ka njerëz që thonë se gjyqtarët dhe prokurorët që nuk kanë kaluar ende vetingun, duhet të pezullohen automatikisht nga sistemi i drejtësisë nëse vendimmarrjet e tyre janë haptazi në kundërshtim me ligjin. Të tjerë thonë se pezullimi dhe përjashtimi nga sistemi duhet të kryhet sipas procedurave në fuqi. Si mendoni ju?

Nëse Rama ndërmerr këtë hap kaq antidemokratik, ku ekzekutivi ndërhyn te pavarësia e drejtësisë dhe Europa, e cila për të njëjtën gjë po dënon Poloninë, do të heshtte në rastin e Shqipërisë, atëherë ka diçka që s’do ta kuptonim. Nga rreth 800 gjyqtarë e prokurorë që ka Shqipëria vetëm gjysma janë marrë në pyetje në kuadër të vetingut, jo për faj të tyre, por të pamundësisë së organeve të vetingut të punojnë më shpejt. Dhe sipas Ramës fajin për këtë ta mbajë gjyqtari a prokurori që s’e kanë thirrur ende për veting. Enver Hoxha rrotullohet nga xhelozia në varr kur sheh se paska edhe më antidemokratë se ai. Është njësoj sikur të heqësh nga puna një të pavaksinuar, jo për faj të tij, por ngaqë s’ka vaksina. Rama thotë se “duhet të pezullohen automatikisht nga sistemi i drejtësisë nëse vendim marrjet e tyre janë haptazi në kundërshtim me ligjin”. Por kush e vlerëson se vendimi i një gjykatësi është në kundërshtim me ligjin në një kohë që është vetë gjykatësi dhe asnjë pushtet tjetër që e ka tagrin të vendosë se çfarë është apo çfarë nuk është një vendim në përputhje me ligjin? Por edhe sikur vendimi i gjykatësit të ishte sipas Ramës “në kundërshtim me ligjin”, atëherë i bie se sa herë që një shtetas fiton në apelim, gjyqtari i Shkallës së Parë duhet të pezullohet, meqenëse ai i Shkallës së Apelimit e ka lexuar ligjin ndryshe nga ai. Vetëm në sistemin e Ramës dhe nga goja e Ramës mund të dëgjosh marrëzira të tilla. Kjo tregon dhe një herë sesa i rrezikshëm dhe demagogjik është ky pyetësor ku shtrohen me dy fjali pyetje që në perëndim kanë merituar teza doktorature dhe një literaturë, që as dhjetë qeveri Rama në dhjetë dekada nuk mund ta ezaurojnë. Së fundmi, kujtuam njëfarë kohe se Rama nuk donte të implikohej në Reformën në Drejtësi dhe se këtë gjë sipas tij ai preferonte t’ua linte në dorë profesionistëve. Është më mirë të rrijë aty ku është. Rama nuk është ligjvënës, por përfaqësues i ekzekutivit. Është drejtësia që mund ta pezullojë atë dhe jo të pezullojë ai drejtësinë siç e kërkon në pyetje. Nëse Kryeministri pretendon se ushtron pushtet sipas parimit të ndarjes së pushteteve, të bëjë kujdes me drejtësinë dhe të lërë atë të pavarur nga ndërhyrjet e tij. Apo mos ndoshta Rama u infektua këto ditë, jo nga varianti afrikanojugor Omikron, por nga varianti turk Erdogan. Vështirë megjithatë për Ramën të rivalizojë me “vëllain” turk, që mban rekordin kur pas puçit arrestoi plot 20 mijë vetë. Por rekordet janë bërë për t’u thyer, ndaj forca Edi, shko dhe arresto gjykatës dhe prokurorë që nuk po thirren nga vetingu apo që japin vendime “në kundërshtim me ligjin”, siç pretendon Maliqi…

11- Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian është i lidhur me anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut. Ka njerëz që thonë se aplikimi i Shqipërisë për anëtarësim në BE duhet të ndahet nga ai i Maqedonisë së Veriut, që vendi ynë të vlerësohet për meritat e veta. Të tjerë thonë që duhet të vazhdojmë të presim Maqedoninë e Veriut. Si mendoni ju?

Çfarë ofendimi për intelektin kjo pyetje! Po kush tjetër përveç Edi Ramës vendosi vetë ta lidhë fatin europian të Shqipërisë me Maqedoninë e Veriut? A keni dëgjuar ndonjëherë Ramën që nga viti i kaluar kur u mësua se Bullgaria vuri veton kundër Maqedonisë së Veriut t’u thoshte europianëve mirëpo ç’punë kemi ne shqiptarët me këtë veto bullgare kundër maqedonasve? A i plotësojmë apo jo ne shqiptarët kushtet e Brukselit, kjo është pyetja dhe jo pse Bullgaria pengon Maqedoninë e Veriut. Nuk la derë pa trokitur Rama që të bindet Bullgaria të heqë veton ndaj Maqedonisë së Veriut. Nuk la intervistë Rama pa e njësuar Shqipërinë me Maqedoninë e Veriut, duke i tallur biles europianët me kryeveprën e Beketit “Duke pritur Godonë”, ku dy personazhet që presin pafundësisht, Vladimiri dhe Estragoni, janë për Ramën pikërisht Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, të lidhura si mishi me thoin. Dhe vjen tani ky Kryeministër me cinizmin me të plotë dhe u thotë “njerëzve”: Ore, po sikur t’i ndajmë këto dy dosje, çfarë mendimi keni ju? Jo vetëm që ato duhen ndarë se këtë dhe një fëmijë e kupton, por përse nuk e keni kërkuar që më përpara zoti Kryeministër? Në një ndërmarrje private, kjo mban emrin gabim profesional dhe do flakeshit për këtë nga puna. Mbani përgjegjësinë që ju takon dhe mos ua lini topin në derë shqiptarëve me këtë pyetje. Këta duhet të kuptojnë një gjë: fakti që BE-ja e lidhi dosjen e Shqipërisë me atë të Maqedonisë së Veriut tregon atë që dukej qartë në dritën e diellit: Shqipëria nuk i plotëson kushtet dhe i vetmi shans për të ishte Maqedonia e Veriut, në kuptimin që meqenëse po i hapeshin negociatat Maqedonisë së Veriut atëherë po bëhet një tolerancë për Shqipërinë. Ama, e kundërta nuk është e vërtetë. Po mos t’i hapen negociatat Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë nuk i hapen e vetme sepse ajo nuk i plotëson kushtet. Kjo është e vërteta:

12- Ka njerëz që besojnë se krijimi i nismës “Ballkan i Hapur” midis Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanin Perëndimor është në interes të Shqipërisë. Të tjerë thonë se kjo nismë nuk i sjell përfitime Shqipërisë. Si mendoni ju?

Sërish një pyetje enkas e cunguar për të manipuluar opinionin publik. Kur thuhet “Ka njerëz që besojnë se krijimi i nismës ‘Ballkan i Hapur’ midis Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanin Perëndimor…”, termi “vendeve të Ballkanit Perëndimor” është enkas konfuz, pasi vetëm tri vende janë të përfshira në këtë nismë: Shqipëri, Serbi, Maqedoni e Veriut. Kosova dhe dy vende të tjera nuk e duan këtë nismë. Pra, pyetja e saktë do të ishte: “Ka njerëz që besojnë se krijimi i nismës ‘Ballkan i Hapur’ midis Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut është në interes të Shqipërisë”. Afërmendsh, nëse Rama e shtronte pyetjen kështu njerëzit do të përgjigjeshin që jo vetëm nuk ka asnjë interes për Shqipërinë, por s’ka dhe asnjë kuptim, sepse midis Serbisë dhe Shqipërisë nuk ka kufi të përbashkët që të përfitohej nga heqja e doganave në kuadrin e Ballkanit të Hapur.

© Panorama.al

Te lidhura