“FETO në institucionet fetare”, deklarata e Erdogan trazon Komunitetin Mysliman, thërret me urgjencë imamët e myftinjtë

Jan 19, 2022 | 22:23
SHPËRNDAJE

KELMENT BAÇI/ Mungesa e përfaqësuesve të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë në ceremoninë e inaugurimit të xhamisë së Et’Hem Beut, ku ishte i ftuar edhe Presidenti Turk Rexhep Tajip Erdogan, u kthye në temë debati për shkaqet e kësaj mungese.

kmsherdogan

Aludimet në media thanë se drejtues të KMSH-së, nuk ishin ftuar në këtë event, për faktin se ishin të lidhur me organizatën FETO kanë trazuar ambientin e KMSH-së, pavarësisht qetësisë me të cilën ky institucion u është përgjigjur interesit të shtuar medias.

Gazeta “Panorama” kontaktoi me përfaqësues të KMSHsë, të cilët hodhën poshtë këto aludime. Të pyetur se përse nuk ishin në një ceremoninë e inaugurimit të një xhamie nën varësi të saj, KMSH-ja e argumenton se ky institucion nuk ka pasur një ftesë nga organizatorët e këtij eventi.

“Nuk ka asgjë për t’u aluduar në lidhje me mungesën tonë në përurimin e xhamisë së Et’hem Beut. Nuk kemi qenë të pranishëm pasi nuk kishim një ftesë zyrtare nga organizatorët e eventit”, thotë KMSH-ja në përgjigjen e saj për gazetën “Panorama”.

Më herët, të pyetur nëse kanë një reagim në lidhje me akuzat për lidhje me Gulenin, KMSH-ja përgjigjet prerazi duke sqaruar se: “Nuk kemi lidhje me FETO-n. Jemi shqiptarë, kreu i Komunitetit Mysliman është shqiptar”.

Burime të gazetës “Panorama” kanë konfirmuar se dje gjatë mesditës krerët e KMSH-së kanë zhvilluar takime me drejtues të disa xhamive të Tiranës dhe drejtues të disa myftinjve të rretheve kryesore.

Të njëjtat burime kanë konfirmuar se temë e këtyre takimeve të zhvilluara në institucionin drejtues të myslimanëve shqiptarë ka qenë pikërisht mbajtja apo jo e një qëndrimi zyrtar mbi deklaratat e Presidentit turk në Kuvend.

Të pyetur nëse do të ketë një qëndrim zyrtar për këtë çështje, KMSH-ja përgjigjet prerazi duke thënë se: “Jo! Nuk kemi asnjë qëndrim momentalisht. Nuk e shohim të arsyeshme për momentin”.

Mënyra e drejtimit të dy aktiviteteve ku ishte kishte një prezencë të madhe qytetarësh, treguan se axhenda e vizitës së Erdoganit në Tiranë ishte hartuar nga pala turke. Gjatë ceremonisë së dhënies së çelësave të banesave në Laç dhe inaugurimit të restaurimit të xhamisë së Et’Hem Beut u pa qartë që drejtuesit që orientonin folësit dhe përcaktonin “lëvizjen e radhës”, flisnin turqisht.

Një ditë më parë, Presidenti Turk deklaroi në kuvend se: “Fatkeqësisht anëtarët e organizatës terroriste FETO edhe 5 vjet pas tentativës për grusht shteti në Turqi, vazhdojnë të jenë në Shqipëri, të tregojnë ekzistencën e tyre në çdo fushë, në fushën e arsimit, të shëndetësisë, në institucionet fetare, si dhe në një pjesë të konsiderueshme të sektorit privat”.

Erdogan: Anëtarë të FETO-s janë në institucionet fetare, Presidenti turk, kërkesë qeverisë: Kjo çështje të marrë formë të prerë

Presidenti i Turqisë, Recep Tajip Erdogan, i kërkoi Shqipërisë të largojë përfaqësuesit e FETO-s, nëse do që të mbajë marrëdhëniet vëllazërore me Turqinë. Në fjalën e tij në Kuvend, Erdogan foli qartë kur tha se kjo çështje duhet të jetë zgjidhur “në formë të prerë” deri në vizitën e tij të ardhshme në vendin tonë duke i kërkuar qeverisë shqiptarë të ndërhyjë në këtë zgjidhjen e saj.

“Lufta kundër organizatës terroriste FETO, e cila tentoi një grusht shteti në vendin tonë, sulmoi demokracinë, bombardoi Parlamentin dhe Kuvendin e Republikës së Turqisë, si dhe masakroi popullin tonë, është një nga ndjeshmëritë tona, së cilës i kushtojmë vëmendje të veçantë. Fatkeqësisht anëtarët e kësaj organizate edhe 5 vjet pas tentativës për grusht shteti në vendin tonë vazhdojnë të jenë në Shqipëri, të tregojnë ekzistencën e tyre në çdo fushë, në fushën e arsimit, të shëndetësisë, në institucionet fetare, si dhe në një pjesë të konsiderueshme të sektorit privat.

Një mik i vërtetë është ai që nuk heziton të thotë të vërtetën edhe nëse është e hidhur. Por, çështjen e FETO-s ne e shohim si parakusht vëllazërie, miqësie dhe partneriteti tonë strategjik që shprehim sinqerisht të vërtetën. Presim që Shqipëria të marrë masa të menjëhershme kundër strukturës së FETO-s në vend dhe të mos lejojë që marrëdhëniet tona të errësohen për këtë arsye. Shpresoj që kjo çështje në vizitat e ardhshme që do të zhvilloj në Shqipëri të ketë marrë formë të prerë”, tha Erdogan.

Sipas Presidentit turk, “Ashtu si në Turqi, edhe këtu institucionet dhe qarqet e lidhura me FETO-n kanë axhenda të fshehura, ndaj nuk duhet të keni asnjë lloj dyshimi se ata me të ardhur koha do të zbulojnë fytyrat e tyre të vërteta. Dhe atëherë të gjithë do ta kuptojnë. E njëjtë si Turqia, e njëjtë si shumë vende të tjera të botës. Sa më shpejt të shpëtoni nga kjo strukturë shumë helmuese, tradhtare, tinëzare, që përbën kërcënim për sigurinë kombëtare të Shqipërisë, aq më e sigurt do të jetë e ardhmja juaj.

Nëse nuk veproni menjëherë në kohë, është e pashmangshme që tentativat e ngjashme të kësaj strukture në vendin tonë të përsëriten edhe këtu në Shqipëri. Ne e kemi përjetuar dhe parë shumë këtë organizatë, një gjë e vërtetë, e cila realisht kemi paguar ne si shtet, si Turqi, një kosto shumë të rëndë. Ne konsiderojmë si detyrë të shprehemi, kudo që shkojmë, t’ua tregojmë vëllezërve tanë, miqve tanë, që të mos kenë të njëjtin fat që ne përjetuam më përpara”, u shpreh Erdogan përpara deputetëve të Kuvendit.

© Panorama.al

Te lidhura