Festivali i Xhazit, Shqipëria me numër rekord muzikantësh

Jul 19, 2016 | 19:00
SHPËRNDAJE

Thuhet se xhazi është muzika më demokratike në botë dhe në një vend si Shqipëria, gjithnjë e etur për demokraci, pak muzikë xhaz, nuk do të bënte keq në këtë verë të nxehtë politike.

JAlbaniaZZ Society, në një nga performancat e tij në Tiranë
JAlbaniaZZ Society, në një nga performancat e tij në Tiranë

Për të pestin vit me radhë në Shqipëri do të zhvillohet Festivali Ndërkombëtar i Xhazit, i organizuar nga shoqata kulturore “Syri blu-Anna Cenerini Bova”, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe bashkive, ku ky festival do të udhëtojë.

Përveç Tiranës, ku mbështetet nga bashkia e kryeqytetit, artistët e ardhur nga vende të ndryshme të botës do të ngjiten në skenat e Fierit, Sarandës e Shkodrës. Festivali merr udhë sot, për të vijuar deri më 23 korrik, me pjesëmarrjen e një numri rekord artistësh shqiptarë. Vetëm njëri prej grupeve përbëhet nga 12 muzikantë.

FESTIVALI

Sipas menaxherit të festivalit, Valmir Xoxa, ky edicion i pestë sjell vlera muzikore nga vende të ndryshme të botës. Përmes gjuhës së saj universale, kjo muzikë përçon mesazhe paqeje dhe lirie. Gjatë katër ditëve të festivalit, muzikantë të ardhur nga Australia, Izraeli, Turqia, Zvicra, Holanda, Italia e Spanja, do të sjellin pak nga aroma e vendeve të tyre. Sipas drejtorit artistik të festivalit, Genti Rushi, muzika xhaz nuk njeh kombësi.

Grupi izraelit SHALOSH TRIO
Grupi izraelit SHALOSH TRIO

Grupe pjesëmarrëse përbëhen nga muzikantë nga kombësi të ndryshme, pavarësisht shtetit që përfaqësojnë. Këtë mund ta bëjë vetëm muzika më demokratike në botë që, sipas Rushit, në thelb ka improvizimin dhe të jep mundësi të shprehesh lirshëm. Një shembull të tillë sjellë grupi nga Spanja, i cili quhet pikërisht “Gani Jakupi Connections” dhe ka si lider të tij një muzikant nga Kosova.

Ky “migrim” artistësh vihet re edhe në grupe të tjera. Ky edicion është konceptuar në mënyrë të tillë, që përgjatë çdo mbrëmjeje të ketë 2-3 koncerte me grupe të ndryshme që marrin pjesë në festival.

Artisti Eugjen Gargjola
Artisti Eugjen Gargjola

“Është shumë e rëndësishme qe muzika të shkojë afër njerëzve”, thotë Rushi, duke iu referuar skenave dhe qyteteve ku do të udhëtojë festivali i xhazit. Përpara çdo aktiviteti, pyetja që ngrihet rëndom lidhet me risitë e edicionit. Dhe ky i pesti duket se do të ketë me shumicë. Kjo jo thjesht se grupet pjesëmarrëse interpretojnë për herë të parë në këtë aktivitet, por edhe për shkak të muzikës që do të interpretohet. Sipas Valmir Xoxës, rreth 95% e muzikës që do të luhet përgjatë 4 netëve është krijuar posaçërisht për këtë festival, pra publiku do të ketë fatin të dëgjojë kompozime të reja, stërpikur me ngjyrime të vendeve nga vijnë artistët.

GRUPET SHQIPTARE

Një tjetër e veçantë e këtij edicioni është pjesëmarrja e artistëve shqiptarë. Janë tre grupe që bëjnë bashkë një numër të madh muzikantësh. Sipas drejtorit artistik Gent Rushi, ky është numri më i madh i muzikantëve shqiptarë që marrin pjesë në këtë aktivitet. Pa dyshim që për të kjo është një shenjë e mirë, që në Shqipëri disa gjëra po ndryshojnë për mirë.

Gani Jakupi, që përfaqëson Spanjën në Festivalin e Xhazit
Gani Jakupi, që përfaqëson Spanjën në Festivalin e Xhazit

Një prej grupeve shqiptare është “Nuance- Eugjen Gargjola Quartet”, i cili përbëhet nga Jozefina Simoni, vokal, Gëzim Tivari, piano, Elton Harapi, bateri dhe lideri i grupit, Eugjen Gargjola në violinë, kitarë e perkusion. Një grup që sjell stile të ndryshme të muzikës xhaz, klasik, bossa-nova, flamengo latine etj. “Andi Kongo trio & Niels Onstenk” është një bashkëpunim mes Shqipërisë dhe Holandës. Andi Kongos në piano e vokal, Arbin Alimerit në bas, Nesim Maxhunit nga Kosova në bateri i shtohet Niels Onstenk në kitarë dhe vokal. Grupi do të sjellë krijime origjinale, siç është kompozimi në një stil bossa-nova e poezisë së shkruar 100 vjet më parë nga poeti amerikan Edna St.

Vincent Millay: “Vetëm kur cigarja të mbarojë”, por edhe variante të përpunuara të këngëve mjaft të njohura shqiptare si “Luleborë” apo “Margjelo”. Por grupi që bën bashkë më shumë emra muzikantësh shqiptarë është “JAlbaniaZZ SOSIETY Big Band”, nën drejtimin e Genti Rushit.

Më shumë se një grup ai është një komunitet i muzikantëve shqiptarë të xhazit, që prej 15 vjetësh ndjek një rrugë jo të lehtë në lëvrimin e kësaj muzike në Shqipëri. Duke u mbështetur më së shumti në motivet shqiptare, grupi ka shoqëruar artistë me famë ndërkombëtare tashmë, si Elina Duni, Eda Zari, Rona Nishliu etj.

GRUPET PJESËMARRËSE

Nuance Eugjen Gargjola Quartet – Shqipëri
Andi Kongo Trio & Niels Onstenk – Shqipëri-Holandë
JAlbaniaZZ Society (Big Band) – Shqipëri
Marc Perrenoud TRIO – Zvicër
MaviYol (Blue Path) Trio – Turqi
Gani Jakupi Band – Spanjë
TOMMASO TRONCON QUINTET – Itali
Irmie Vesselsky & David Hebenstreit – Austri
SHALOSH TRIO – Izrael

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura