Festivali i këngës polifonike si manifestim i artit popullor. Grupi i mirënjohur i Pilurit mori çmimin e parë

Aug 10, 2022 | 9:00
SHPËRNDAJE

FITIM ÇAUSHI

Për dy ditë me radhë u organizua nga shoqata “Labëria” në amfiteatrin e Lungomares në Vlorë Festivali i Parë i Këngës Polifonike.

296148692_353102816976054_3907544432328923561_n

Ishte një gjerdan me gurë të çmuar, ardhur prej shekuj, pjesë e palcës së këtij trualli. Mbi 300 artistë popullorë përcollën thesaret folklorikë të trashëguara të një populli artist. Festivali I i Këngës së Labërisë, erdhi si një befasi artistike me gjenezë shekullore, që u solli mijëra shikuesve momente të rralla e të papërsëritshme, që e pasurojnë dhe e fisnikërojnë jetën e tyre shpirtërore.

Njëherazi me emocionet e shumta në festival mbizotëroi gëzimi, ngrohtësia njerëzore, ndjenja këto që di ta rrezatojë vetëm Arti i Madh i Popullit. Skena dhe amfiteatri në atë gjallëri njerëzore, kishte marrë pamjen e një tempulli artistik me impresione magjepsëse.

Kanina mbi krye dukej se i shfaqte xhelozinë këtij sheshi të lulëzuar nga fustanellat e bardha, xhamadanët plot ngjyra dhe opingat e qëndisura me xhufka të kuqe. Ishte një dekor festiv. Në këtë mjedis të mrekullueshëm, njëqind metra larg detit, artistët popullorë sollën tingujt e epikës heroike, baladat, lirikën familjare të vjetër e të re, ninullat e djepit dhe vallet karakteristike të grave, sikurse ishin shqiponjat e Tërbaçit.

Organizatorët e festivalit, me merakun dhe pasionin e jashtëzakonshëm, ia arritën të ftonin në skenë 24 grupe polifonike, pa as më të voglën ndihmë nga shteti.

Gjithçka në këtë demonstrim madhështor është mbështetur vetëm mbi kontribute vullnetare, falë angazhimit e punës këmbëngulëse të një grupi nismëtar të dashuruar fort me artin dhe këngën e popullit që përçon amanetin e brezave të shkuar, për të mos e braktisur këtë art kaq origjinal që përfaqëson identitetin kombëtar.

296230910_353102826976053_7384137688911525134_n

Kriteri i komisionit organizativ, se secili grup folklorik do të paraqitej vetëm me këngëtarët e fshatit të tij, i mobilizoi grupet për t’u përfaqësuar me forcat e tyre, për të siguruar vazhdimësinë e këngës brenda fshatit.

Befasuese mbeti për ne pjesëmarrja enkas për këtë festival, e disa prej artistëve të ardhur nga emigracioni, ku ishin vendosur prej vitesh, sikurse korifenjtë e këngës polifonike: Ermioni Mërkuri, Leni Mërkuri, Qirjakulla Bala e shumë të tjerë.

Me shumë harmoni artistike u interpretua polifonia nga grupi i Velçës Vlorë. Marrësja e këngës Bejushe Demaj ishte një soliste brilante, me një intonacion impresionues që dhuronte kënaqësi estetike.

E shoqëruar nga një kthyes dhe hedhës profesionist, por edhe me një iso të intonuar mjeshtërisht, grupi polifonik krijoi një harmoni të përsosur. Si një grup artistik kompakt, brenda një shtrati tradicional, tingëlloi grupi polifonik i Sevasterit, melodia e shtruar interpretuar me shumë saktësi nga komponentët përbërës si marrësi, kthyesi, hedhësi dhe isoja e ngrohtë, sollën në skenë një emocion ledhatues.

Maja më e lartë e festivalit u vlerësua grupi polifonik i Pilurit, i të madhit Lefter Çipa, kujtimi i të cilit është i pashkëputur nga ky grup polifonik. Shkëlqeu në interpretimin e tij solistja e mirënjohur Ermioni Mërkuri.

Mirënjohjen më të madhe artistët popullorë e shprehën për organizatorin dhe donatorin e festivalit Vullnet Sina, i cili ndihej shumë i shqetësuar për mbarëvajtjen e Festivalit; vallë do ta përcillte festivali ngarkesën artistike dhe estetike që ka arti i popullit, edhe në këtë nismë atdhetare dhe artistike të tij dhe grupit organizator, pas gjithë asaj përçarje dhe neglizhence, që u krijua nga pseudoakademikë dhe pseudointelektualë?

Sponsorizimi i tij, krahas edhe anës organizative, i siguroi festivalit sukses të plotë dhe besim që edhe festivalet e ardhshme mund të organizohen me po këtë interesim dhe sukses. Kryetari i Shoqatës Labëria për Vlorën, njëherazi edhe përgjegjësi i komisionit organizativ, së bashku me Namik Jahajn, Albergt Habazaj dhe prof. dr. Bardhosh Gaçen, kryen një volum pune të mundimshme dhe ishte kjo që garantoi suksesin e festivalit.

Këta ishin pjesë e atyre intelektualëve të lidhur pa interes me artin e popullit dhe jetën kulturore të qytetit. Për ta parë me sy kritik, mund të ketë edhe vërejtje për repertorin apo realizimin artistik të disa grupeve folklorike, por duke menduar kushtet në të cilat jetojnë grupet folklorike, meritojnë vetëm vlerësime për bukurinë artistike të traditës që sollën në skenë.

S’ka dyshim se nga ata që e kanë konsideruar festivalin e “iso-polifonisë” si domenin e tyre, sepse nxirrnin të ardhura të majme nga projektet që paguante Ministria e Kulturës, Bashkia dhe sponsorizues të tjerë, do të ketë plot vërejtje dhe kritika, sepse organizatorët e Festivalit të I të Labërisë, u futën në sektorin e tyre, por me interesa të kundërta.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura