“Festimi dogji vetullat dhe fytyrën pas atentatit” – Zbardhet dëshmia e Nuredin Dumanit për vrasjen e Elvis Dedajt: Po pinim kokainë, Qoli më tha që ka dhënë 200 mijë euro “qenve” për…

May 20, 2022 | 10:36
SHPËRNDAJE

Panorama.al ka siguruar pjesë nga dosja hetimore në ngarkim të Nuredin Dumanit, i cili u arrestua pak javë më parë në qytetin e Fierit, pasi mbeti i plagosur nga një atentat i dështuar në zonën e Elbasanit.

Në dëshminë e siguruar, Dumani ka rrëfyer detaje mbi vrasjen e Elvis Dedajt, ngjarje që tronditi Kavajën në vitin 2012. Dumani tregon se në vrasjen e Elvis Dedajt, ishin përfshirë shtetasit Henrik Hoxha dhe Festim Qoli, ky i fundit u shoqërua pas dy vitesh në polici si i dyshuar.

Sipas dëshmisë, Qoli ka paguar një shumë prej 200 mijë eurosh në Durrës për të mbyllur çështjen ndaj tij.

Dumani thotë se Qoli i ka treguar për dinamikën e vrasjes së Elvis Dedajt, ku sipas dëshmisë, ai është ekzekutuar nga Henkrik Hoxha.

““Në fund të vitit 2012 ose fillim 2013 (nuk jam i sigurt), në lagjjen 14 ku unë jetoja në qytetin e Durrësit, ishte një person i cili kishte emër dhe reputacion, quhej Festim Qoli. Ai kishte reputacion pasi ka shumë para dhe biznese. Festimi ka pasur një karburant në Shkozet afër Urës së Dajlanit që e ka shitur në vitin 2020. Ka gjithashtu një godinë tre katëshe në zonën e njohur si Nishtulla, në të cilin ka aktivitet Bar Kafe “Spiranca”, ushqimore me shumicë edhe një restorant dasmash. Takoheshim gjithmonë tek lokali i tij që ishte në lagjje. Shkurt e thërrisnim Festa. Si pikë takimi ishte Bar “Spiranca”. Aty u njoha me Festimin, kisha pasur një konflikt më parë me Festim Qolin dhe kushërinjtë e tij pasi i kisha rrahur kushërinjtë. …….Më pas u bëmë shokë së bashku. Një ditë ishim duke bërë palestër, tek palestra e Festimit brenda kompleksit të tij, po diskutonim për ngjarjen që ishte vrarë Ervis Deda, që akuzohej Festim Qoli i cili e kishte mbyllur çështjen duke më thënë se vetëm këtyre “qenve” këtu në Durrës ju kam dhënë 200.000 Euro.

Këtë e dija se ishte bërë publike. E kam dëgjuar edhe nga njerëz të tjerë që thonin se e ka bërë ai Festo, por unë nuk kisha folur me Feston. Më pas kur krijova relata më të ngushta me Festimin u njoha edhe me Henrik Hoxhën aty e mora vesh tamam që në vrasjen e Ervis Dedës ka qenë Festimi vetë dhe Henriku. Këtë ma pohuan të dy. Festim ka qenë shofer i automjetit që kanë përdorur për të ekzekutuar Ervisin ndërsa ekzekutori ka qenë Henriku me armë automatike.

Festimi ishte 6 muaj në kërkim më pas u kthye. E dinin të gjithë që ishte në kërkim pasi edhe shteti vinte e kërkonte te shtëpia, madje kur erdhi policia që ta merrte në shtëpi kam qenë në lagjje pasi ai shtëpinë e ka te kafja e lagjes dhe mesa mbaj mend e morën me një makinë ML jo me makinë policie. Një ditë kur unë, Festimi dhe Henriku po pinim të tre bashkë alkool dhe kokainë, gjatë diskutimeve duke u mburrur për ngjarjet që ne kishim bërë, ata më treguan sesi e kishin realizuar vrasjen e Elvis Dedaj. Ditën e ngjarjes ata kanë qenë duke pirë një një lokal anës rrugës së Kënetës në të cilën ka kioska që pjekin mish. Kanë qenë në pritje të informacionit se ku ndodhej Elvisi.

Vendin ku ndodhej Elvisi, Festo e ka mësuar nga….ka qenë duke ngrënë drekë së bashku me Elvisin në një restorant në rrugën dytësore pranë Shkëmbit të Kavajës…Festo më ka treguar se e ka pyetur vetë Elvisin me telefon se ku ndodhet? Kjo sipas Festos ka dalë edhe nga hetimet. Pasi Elvisi është ngritur nga tavolina ka shkuar në makinë për t’u larguar, në atë moment Festimi me Henrikun kanë qenë duke e pritur. Sapo Elvisi është futur në makinë ka shkuar Henriku dhe e ka qëlluar me armë. Pas ngjarjes janë larguar me makinën Mitsubishi L200, të cilën e kanë djegur në Kodër Arapaj. Nga djegia e makinës Festimi ka djegur vetullat dhe fytyrën” – thuhet në dëshminë e Dumanit.

Dy vite pas vrasjes së Elvis Dedajt, është shoqëruar në polici shtetasi Festim Qoli sëbashku me disa të tjerë të dyshuar si të përfshirë në ngjarje.

Në dosjen e siguruar nga Panorama.al, përfshihet dëshmia e Festim Qolit i cili rrëfeu në 2014-ën se si ishte njohur me Elvis Dedajn, duke nisur nga shoqëria në burg, e deri tek marrja e borxhit prej 70 mijë eurosh.

“Në lidhje me këtë procedim, janë marrë deklarimet e shtetasit Festim Qoli i cili shprehet se shtetasin Elvis Dedaj e kishte njohur në vitet 1995–1996 në Milano, Itali. Ky shtetas deklaron se para rrëmujave te vitit 1997, ishte kthyer në Shqipëri por i kishte ruajtur marrëdhëniet me shtetasin Elvis. Sipas shtetasit Festim Qoli, Elvisi është arrestuar nga policia italiane 1999–2000 ku ka bërë disa vite burg si dhe nga policia belge në vitet 2006 – 2007. Më pas, Elvisi është kthyer në Shqipëri, ku ka filluar të shoqërohej me shtetasin Festim Qoli.

Kështu shtetasi Festim Qoli deklaron se i ka marrë hua Elvisit një shumë prej 70.000 eurosh, ky duke qenë se nuk kishte mundësi t’ja shlyente, i kishte ofruar që t’i jepte në këmbim aksionet e karburantit, stacionuar në lagjen nr.14, Shkozet, Durrës. Shtetasi Festim deklaron se Elvisin e kishte shokë të ngushtë, por marrëdhëniet e tyre ishin ftohur, kur Elvisi i kishte treguar që dëshironte të martohej me një vajze, të cilën Festimi pretendon ta kishte pasur të dashur para se ta njihte Elvisi. Shtetasi Festim deklaron se shoqërohej me Elvisin çdo ditë, dhe një ditë para vrasjes, me datë 4.6.2012, kishin qenë bashkë duke pirë në një lokal në plazhit Durrës deri rreth orës 01:00.

Sipas Festimit, Elvisi, i ishte dukur i shqetësuar, por nuk i kishte treguar shkakun se përse ishte në atë gjendje. Shtetasi Festim deklaron se Elvisi jetonte në një apartament ngjitur me lokalin “Pampas”, Shkëmbi i Kavajës, Durrës. Shtetasi Festim Qoli ka deklaruar se pas kësaj vrasje kishte qëndruar për një kohë i fshehur pasi kishte dëgjuar se të afërm të Elvisit kishin vajtur me armë në pikën e karburantit duke e kërkuar Festimin për t’u hakmarrë në lidhje me vrasjen e Elvisit. Shtetasi Festim Qoli deklaron se nuk ishte ai autor i vrasjes së shtetasit Elvis Dedaj” – thuhet në dosje.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura