Festat, “Luarasi” dhuron për shtëpinë e “Pëllumbave”

Dec 30, 2015 | 7:10
SHPËRNDAJE

Në prag të ndërrimit të viteve, universiteti “Luarasi” gjeti një mënyrë të veçantë për të festuar, duke mos lënë mënjanë humanizmin.

Për të parin vit, festa e fundvitit u shndërrua në një ballo bamirësie për t’iu ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë. Nuk u desh shumë të mendohej se ku do të shkonin donacionet e mbledhura nga studentë, pedagogë e drejtues të “Luarasit”.

Te shtëpia e Pëllumbave
Te shtëpia e Pëllumbave

Ata kishin pikasur 16 fëmijë rezidentë në qendrën e zhvillimit “Pëllumbat”, të cilët kanë nevojë për më shumë përkujdesje. Dje disa studentë shkuan në këtë qendër për t’i parë nga afër e për t’u dhuruar nga një pako simbolike nga kontributet e mbledhura. Veç dhuratave, të vegjlit e kësaj rezidence morën në një ditë shumë nga ajo çka u nevojitej, dashuri e përkujdesje.

Duke uruar për një vit të mbarë, rektorja e universitetit “Luarasi”, Nevila Xhindi, apeloi për më shumë kujdes për këtë kategori, e jo vetëm në një ditë simbolike. “Besoj që kjo ishte një nismë e mirë e studentëve dhe pedagogëve të ‘Luarasit’.

Uroj të mos kujtohemi vetëm për festat e fundvitit. Këta fëmijë kanë nevojë për ne jo vetëm në 365 ditët e vitit, por sa të kenë jetë. Kjo është dhurata që ‘Luarasi’ i bëri shtëpisë së ‘Pëllumbave’ për vitin 20016”.

Në emër të studentëve, kryetari i këshillit studentor, Agli Plaku, uroi që vepra të tilla të kthehen në traditë, në mënyrë që edhe këta fëmijë t’i ndiejnë festat njëlloj si bashkëmoshatarët e tyre. “Universiteti ‘Luarasi’ ndërmori një nismë në ballon e fundvitit ku ishin të ftuar pedagogë e studentë.

Shpresojmë që kjo të kthehet në traditë, në mënyrë që këta fëmijë që nuk kanë mundësi të festojnë si ne, të ndihen po aq të kënaqur”. “Pëllumbat” është një nga 11 qendrat e përkujdesit shoqëror në të gjithë vendin, në të cilin aktualisht janë rezidentë 16 fëmijë me aftësi të veçanta.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura