Festa në Cërrik, si model për një qeverisje me kokë nga diktatura

May 19, 2022 | 9:44
SHPËRNDAJE

NGA HYQMET ZANE

HYQMET ZANE

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, do të donte të ishte pjesëmarrës në Cërrik në të ashtuquajturën “Festa e Shelgut”, siç thuhej dikur ose “Festa e Batalionit Dumreja”. “U bë feste de more de, si lum partia për ju lele”, do të ishte refreni i një nderim për luftën antifashiste që është bërë në Cërrik, kur nuk ekzistonte fare qyteti. Për mua si mësues ishte një shfaqje për të vënë duart në kokë për një keqpërdorim të fëmijëve si në kohën e Enverit me shami të kuqe pionieri dhe tipike si festat në diktaturë dhe si gjithmonë në Korenë e Veriut. Si mundet të detyrohen fëmijët t’u vendosësh shami të tilla si simbole të komunizmit që janë të ndaluara me ligj?

Jetojnë me të keqen dhe e shesin si vlerë një të ashtuquajtur festë që vetëm festë nuk mund ta quash, por një demonstrim në kohë dhe në hapësirë që do t’i kishte zili vetëm diktatori Enver Hoxha dhe sot Bashkia Cërrik dhe kryebashkiaku i saj me deputetë dhe të ashtuquajtur veteranë inekzistentë. Ky festim alla Koreja Veriut na jep modelin që kërkon qeverisja ta kthejë vendin “Parti-Enver, jemi gati kurdoherë”!

Kam qenë banor i këtij qyteti për 26 vjet dhe fëmijërinë dhe rininë time e kalova aty dhe asnjëherë nuk e përjetuam një shfaqje kaq pompoze, tipike si në një vend komunist. Nuk është problemi i shfaqjes teatrale të disa nostalgjikëve që kanë qenë nomenklaturë ose persekutorë të regjimit komunist, por i degradimit të arsimit në këtë nivel, i kthimit të nxënësve në manekinë koreano-veriorë.

Unë, djali i një veterani të Luftës antifashiste internuar në kampet e nazizmit në Mat’hausen dhe Dakao, “Qytetar Nderi” i Cërrikut, nuk pata ftesë në merrja pjesë. Nuk e di përse, por duket se ua prishja festën e një manifestimi tipik komunist. Nuk di se cila mendje e mbrapshtë e ka dhënë idenë e një festimi të tillë, por duket sheshit se ajo ishte në kuadrin e fjalës së udhëheqësit Edi Rama që tha se “nëse Europa nuk na pranon në Bashkimin Europian, ne do të shikojmë opsione të tjera”. Kjo domethënë “o me Europën dhe Amerikën, ose me Rusinë dhe Korenë e Veriut”?!

Meqë është rasti të pyes nëse ka qenë e ftuar ambasadorja amerikane Yri Kim në këtë festë të madhe që kishte Cërriku dhe nëse jo – si e priti zonjë ambasadore këtë shfaqje antieuro-atlantike? Kjo festë erdhi dy ditë pas refuzimit të rezolutës për të dënuar krimet në Srebenicën që i bëri PS, deputetët dhe vetë Kryeministri me qeverisjen e tij. Kjo ishte përgjigjja adekuate që i dha Rilindja e zezë, edhe BE, edhe Amerikës, edhe ambasadores dhe gjithë botës demokratike se marrëzia e një njeriu që u lavdërua pa u mbaruar mirë numërimi për një palë zgjedhje të blera

POR LE TË VIJMË TE CËRRIKU

Unë e vlerësoj luftën antifashiste dhe dëshmorët e saj. Por kur pashë këtë manifestim, më lind pyetja se cilat janë luftërat dhe veteranët e luftës në Cërrik? Se Cërriku e nisi rrugëtimin e tij si qytet kur u vendos tulla e parë më 20 nëntor 1952 dhe më pas më 20 nëntor 1956 u bë inaugurimi i Uzinës së Naftës, siç njihet. Edhe pse 20 nëntori u promovua si festa e krijimit të qytetit, si rast i rrallë në botë që një qytet ka ditëlindjen e tij, dy kryebashkiakët e fundit nga Sahtërmeni, e kanë injoruar atë. Çështje mentaliteti dhe të mos sinkronizimit me jetën qytetare të Cërrikut që ka nxjerrë aq shumë intelektualë sa na nderojnë kudo ku janë me nivelet e përfaqësimit në punët ku edhe janë

E gjithë kjo paçavure më kujtoi atë betimin e pionierëve të Enverit kur thoshin “Parti – Enver, jemi gati kurdoherë”. Gati përse? Për të luftuar ndaj ndonjë armiku imagjinar apo për ta kthyer Shqipërinë me këndvështrime nga Lindja e Rusisë apo më tej akoma nga Koreja e Veriut? Cilët veteranë u nderuan, cilët janë dëshmorët e këtij batalioni? Përse një festë e tillë nuk zhvendoset në Belsh, në qendrën e Dumresë, nga edhe mban emrin Batalioni? Cili veteran foli dhe tregoi kujtime?

Ajo që më trishton është ndarja dhe përdorimi i festës si pronë e PS dhe e një krahu të deputetëve, a thua se lufta ishte e një pjese. Ndoshta ende ne luftojmë ndaj pushtuesve imagjinarë si dikur dhe veçanërisht ndaj armiqve të brendshëm dhe “tradhtarëve” si luftë klasash? Ajo lufta e klasave e ktheu Cërrikun në një vend internimi si ish-anëtare e Byrosë Politike, Liri Belishova, që nuk e lanë të takonte vajzën e saj në pragun e vdekjes apo ushtarakun e lartë Dilaver Poçi me kontribute në luftë e viktimizuan sa nuk i fliste njeri. Ajo luftë klasash vrau edhe komandantët dhe komisarët e brigadave sulmuese deri edhe më të shquarin e kësaj lufte, Mehmet Shehun, që Enver Hoxha pa diplomë dhe pa hedhur asnjë pushkë u bë komandant i përgjithshëm, kur luftën e drejtoi Shtabi i Përgjithshëm një pjesë të të cilëve u cilësuan armiq si edhe vetë komandanti i Brigadës I Sulmuese?!

Si nuk u morën këta fëmijë, nxënës shkollash, që të shkojnë në ndonjë muze që t’u tregohet atyre për krimet e komunizmit nga ata që mbanin shami të kuqe për të mashtruar popullin.

Këto nderime pompoze në qytetin e vogël të Cërrikut me varfëri ekstreme dhe pa mundësi punësimi, janë një turp dhe që kanë krahasim vetëm me Korenë e Veriut, sepse në Europën ku duam të shkojmë dhe në Amerikën e dashur nuk bëhen këto çmendurira. Këto nderime me shpenzime të mëdha janë një luks për një qytet si Cërriku, ku ka mbetur pallatet e vjetra të kohës së miqësisë me Rusinë që u suvatuan dhe rikonstruksioni i bashkisë dhe një beton me një orë që simbolizon idiotësinë e projektuesit

Kur është festuar 60-vjetori i krijimit të qytetit më 20 nëntor 2012, kam qenë organizator dhe ku ishin të pranishëm edhe Presidenti i Republikës Ilir Meta, edhe zv.kryeparlamentari Ardian Turku, edhe deputetë të majtë e të djathtë, intelektualë dhe personalitete të nderuar që i dhanë vlerë asaj ditë si një promocion për ditëlindjen e Cërrikut. Ndërsa në këtë festim tipik komunist diktatorial munguan personalitetet e vërtetë, munguan ata veteranë të luftës që u persekutuan nga ajo diktatura e shamive të kuqe, sepse nuk mund të bëhen palaço e të bashkohen në një sallë të veshur me shami të kuqe pionieri, ku mungoi vetëm Enver Hoxha.

Kryetari aktual i Bashkisë Cërrik, Andi Salla, dhe kryetari i Këshillit Bashkiak, Arben Ruçi, refuzuan dhe treguan nonsensin e tyre për të nderuar tre djem të këtij qyteti që më 25 shkurt 1990 tentuan të iknin nga fukarallëku i jetës për të kapur Europën për të cilën ëndërronim të gjithë, dy prej tyre u vranë mizorisht në Korab dhe njeri u plagos dhe u burgos i torturuar. Ishte koha që po thërriste ndryshimin e sistemit dhe ata kriminelët e kohës me shami pionieri pseudoveteranësh nuk patën mëshirë. Një grup intelektualësh të nderuar të këtij qyteti që kanë jetuar dhe punuar në këtë qytet, harruan një kërkesë dhe ia dërguar kësaj bashkie që ata djem të nderoheshin me titullin “Qytetarë Nderi” të Cërrikut. Ata bënë një akt guximtar që më pas u përfshi nga ambasadat dhe ikjet me anije dhe për këtë meritojnë vëmendjen e brezave se diktaturat dhe ata të veshurit me shami pionieri, i vranë, i tërhoqën zvarrë, i poshtëruan ata dhe familjet e tyre.

Sjellja prej drejtuesish të qytetit që dinë vetëm të sillen dhe të organizojnë aktivitete për ngjarje imagjinare bëri që të injorohej vepra e tyre heroike dhe asnjë përgjigje për kërkesën e mbi 20 intelektualëve të nderuar. Cili ishte motivi, cili dha urdhër që të mos nderoheshin? Janë pikërisht ata që bënë këtë festën e Batalionit Dumreja si të ishim në Korenë e Veriut dhe si pasues të 200 komunistëve lule të saj partie 1941, që u themelua nga serbët e Jugosllavisë dhe që tani Edi Rama po e pason me miqësinë me Aleksandër Vuçiç me porosi të antishqiptarit Soros. Kur Presidenti amerikan Donald Trump tha në OKB më 2019 se “E ardhmja nuk u përket globalistëve, e ardhmja u përket patriotëve”, kishte parasysh se bota para së gjithash duhet të priret drejt njerëzve që duan lirinë, demokracinë dhe drejtësinë dhe jo atyre që kthejnë kokën nga internacionalizmi tipik rus dhe koreanoverior. Lavdia e atyre që luftuan dhe atyre që dhanë jetën për atdheun është e përjetshme, por mbi gjakun e sakrificave nuk mund të ndërtojmë diktaturat tip Koreja e Veriut, por të ndërtojmë demokracinë tip europiane dhe amerikane.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura