Festa e Halloween nxjerr ne terren policinë, vendosen 85 gjoba për shkelësit e masave. Ja apeli i Ardi Veliut për prindërit: Mos lejoni fëmijët …

Oct 31, 2020 | 10:18
SHPËRNDAJE

Policia e Shtetit nuk ka ndalur gjobat ndaj shkelësve të masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Uniformat blu vendosën 85 gjoba me vlerën 3.000 lekë secila për të rinjtë që qarkullonin pa respektuar distancimin social dhe pa vendosur maskë. Si edhe 3 gjoba me vlerë 1.000.000 lekë secila, për tre administratorë të lokaleve që gjatë kontrolleve pas orës 20:00, shërbimet e Policisë i kanë konstatuar me muzikë dhe pa respektuar protokollet e sigurisë.

Për të inspektuar afër zbatimin e masave dhe punën e policëve në këtë drejtim, në terren doli edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

Gjatë inspektimit në “Ish-Bllok” dhe zona të tjera të Tiranës, Ardi Veliu u kërkoi drejtuesve të DVP Tiranë, masa më të shtuara në fundjavë, me qëllim  parandalimin e  përhapjes së COVID-19.

Ndërkohë urdhëroi të gjitha strukturat në të gjitha qarqet që të marrin masa për të mos lejuar organizime e festime me rastin e festës së Halloween, pasi janë burim potencial për të përhapur virusin COVID-19.

“Nisur nga shtimi i rasteve, Drejtor Veliu ka theksuar gjatë komunikimeve me punonjësit e Policisë në terren se duhet një impenjim më i madh i Policisë në fundjavë, duhet të ushtrohen kontrolle të herëpashershme në lokale dhe kontrolle të pandërprera në sheshe, bulevarde, parqe e në çdo ambient publik dhe duhet ndëshkuar me gjobë cilindo që nuk respekton masat dhe protokollet e sigurisë.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 dhe 2, si dhe forca e posaçme “Shqiponjat”, gjatë mbrëmjes së djeshme, kanë vendosur 85 masa me vlerën 3.000 lekë secila për të rinjtë që qarkullonin pa respektuar distancimin social dhe pa vendosur maskë.

Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 u vendosën 3 gjoba me vlerë 1.000.000 lekë secila, për tre administratorë të lokaleve që gjatë kontrolleve pas orës 20:00, shërbimet e Policisë i kanë konstatuar me muzikë dhe pa respektuar protokollet e sigurisë,”- njofton Policia e Shtetit.

Ndërkohë iu është bërë apel prindërve që të mos lejojnë fëmijët e tyre të grumbullohen në festime në lokale.

“Policia e Shtetit apelon për respektim të masave anticovid dhe u bën thirrje prindërve që të mos lejojnë fëmijët e tyre të grumbullohen në festime në lokale, në kundërshtim me këto masa.

Njëkohësisht, pronarët e lokaleve të respektojnë protokollet e sigurisë dhe të mos kundërshtojnë urdhrin e punonjësve të Policisë, pasi Policia e Shtetit është në shërbim të qytetarëve, për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e tyre, ndaj dhe është i rëndësishëm zbatimi i kësaj mase mbrojtëse sepse parandalon infektimin me COVID-19,”-  apeluan uniformat blu.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura