Festa e diplomimit te “Luarasi”, Ruçi: Jam këtu për të garantuar mbështetje për të rinjtë

SHPËRNDAJE

Si një ish-mësues, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramzoz Ruçi, u rikthye në mjediset universitare, me mall e nostalgji për auditorët. Kësaj here jo për të lektruar, por për të përshëndetur të rinjtë e sapodiplomuar të Kolegjit Universitar “Luarasi”.

gramoz-ruci-770x433

“Diplomimi është kurorëzimi i investimit më të rëndësishëm kulturor, profesional, rinor dhe shoqëror në jetën e gjithsecilit prej jush, të dashur studentë. Unë jam në profesion mësues dhe në këto çaste nuk i rezistoj dot nostalgjisë për bankën e shkollës, dërrasën e zezë, fytyrat e qeshura të nxënësve, duart e zbardhura nga shkumësi të kolegëve dhe shpresat e prindërve. Nuk ka mision më të bukur sesa formimi, nuk ka vend më të bukur sesa shkolla, nuk ka destinacion më domethënës dhe më të admiruar se universiteti”.

Pjesëmarrja e Ruçit në ceremoninë e diplomimit të “Luarasit” nuk ishte thjesht një përgjigje pozitive e një eventi të përvitshëm, por një garanci për mbështetje.

“Unë jam këtu për t’ju garantuar se Kuvendi i Shqipërisë do të jetë gjithmonë në mbështetje të rinisë, të universiteteve dhe të shkencës”.

Në kuadër të një shekulli parlamentarizëm shqiptar, që përkon me pjesën e dytë të këtij viti akademik, një student do të ketë mundësi të ndjekë studimet me bursë të plotë të akorduar nga universiteti. Me motivacionin “100-vjetor parlamentarizëm shqiptar”, bursën ia dha të riut vetë kryetari Gamoz Ruçi.

MESAZHET Për të rinjtë nga të tria disiplinat që formon “Luarasi”, kreu i Kuvendit dha mesazhe të veçanta. Duke mbajtur në duar botime të Reformës në Drejtësi, dhuratë për bibliotekën e universitetit, Ruçi iu drejtua së pari juristëve të rinj, duke iu thënë se kanë në dorë një mision të madh, dhënien e drejtësisë.

“Shqipëria po përjeton një reformë të thellë të sistemit të drejtësisë. Kush më mirë se ju, juristet dhe juristët e rinj, do të shërbejnë dhe duhet të shërbejnë në këto institucione? Mos hezitoni të guxoni, të konkurroni dhe të fitoni. Në treg asgjë nuk dhurohet. Reforma në Drejtësi dhe vetingu vërtet janë origjinale dhe një histori suksesi për Shqipërinë. Por ato nuk mund të quhen të suksesshme nëse nuk pasohen nga dhënia e drejtësisë”.

Profesionistëve të rinj të ekonomisë iu dha sfida po kaq të mëdha.

ethem-ruka-1-770x433

“Për ju ekonomiste dhe ekonomistë të rinj, dëshiroj që në veprimtarinë tuaj të mëtejshme, ju dhe pedagogët tuaj të përfshiheni më shumë në tekste, leksione e seminare, probleme të makroekonomisë dhe mikroekonomisë shqiptare. Si mund ta bëjmë ekonominë tonë më produktive e konkurruese në rajon? Si mund dhe duhet të përkthehet rritja ekonomike në mirëqenie dhe standarde jetese të denjë për të gjithë?”, nënvizoi kryeparlamentari Ruçi.

Duke iu drejtuar studentëve të fushës më të re në “Luaras”, Teknologjinë e Informacionit dhe Inovacionit, Ruçi apeloi të rinjtë të mos presin nga shteti apo të ngelen peng i privatëve, por të bëhen të zotët e vetes duke krijuar bizneset e tyre e madje, edhe të gjenerojnë punë për të tjerë.

“Ju ekspertë të rinj në Teknologjinë e Informacionit, dëshiroj t’ju them se ky shekull dhe kjo epokë janë tuajat. Informacioni po masivizohet dhe demokratizohet. Teknologjitë e reja po ndërthuren jo vetëm me industritë moderne, por edhe me mjaft sektorë tradicionalë. Ju, më tepër se kushdo që fiton sot një diplomë, duhet të fuqizoni sjelljen në treg dhe të kontribuoni për rritjen e fuqisë së tregut të diplomave tuaja. Mos krijoni varësi as prej shtetit, as prej punëdhënësve. Start-up-et kanë lindur për ju dhe ju jeni përgatitur për to. Ndiqni shembullin e të rinjve të talentuar në vendet e tjera, që krijojnë punë për veten e tyre dhe për të tjerët”.

MARRËVESHJA

maxresdefault

Para një viti, Kuvendi ka nënshkruar disa marrëveshje bashkëpunimi me universitete dhe qendra kërkimore të vendit, midis tyre edhe me “Luarasin”. Jo më larg se para disa ditësh janë bërë edhe bilancet e para, të cilat Kryetari i kuvendit i cilësoi tejet të frytshme.

“Konstatuam se të dyja palët kemi përfituar dhe po përfitojmë prej tyre: Kuvendi për të tërhequr mendimin e kualifikuar shkencor në ligjbërje e kontroll parlamentar dhe universitetet për të rritur aksesin në programet dhe projektet për fuqizimin e ekonomisë, mirëqenies dhe jetës shoqërore”, deklaroi Ruçi, teksa iu uroi të sapodiplomuarve një rrugëtim të bukur karriere.

Ceremoni madhështore, diplomohen 296 studentë të Universitetit “Luarasi”

Afro 300 të rinj, që përpara tri apo pesë vitesh u futën në auditorët e Kolegjit Universitar “Luarasi” si maturantë, mbrëmë u përcollën si profesionistë të drejtësisë dhe ekonomisë.

Ashtu siç e do tradita, me një ceremoni madhështore në ambientet e jashtme të universitetit më modern në vend, u zhvillua mbrëmja e diplomimit të studentëve që përfunduan ciklin e parë dhe të dytë të studimeve në fushën e drejtësisë dhe ekonomisë. Prindër e të afërm të emocionuar, me lule në duar prisnin me padurim finalizimin e disa viteve djersë e mund të të rinjve, që morën nga dje në duar fatet e tyre. Inkurajimi më i madh për studentët e sapodiplomuar erdhi nga rektori prof.dr. Ethem Ruka, teksa në fjalën përshëndetëse u shpreh i sigurt se dokumenti që ata morën do t’i çojë në destinacionin e duhur.

“Diploma që morët është e shenjtë. Ta gëzoni! Ju prindër, ju falënderoj përzemërsisht që bashkë me fëmijët tuaj zgjodhët “Luarasin”. Jam i bindur se sot vlerësoni më shumë zgjedhjen që keni bërë para tri ose pesë viteve kur erdhët. Faleminderit që na besuat fëmijët tuaj! Profesorët e ‘Luarasit’ dinë të kthejnë premtimet me përgjegjësi. Uroj që djemtë dhe vajzat tuaja të bëhen juristët dhe ekonomistët më të mirë të vendit. Në emër të gjithë personelit, dëshiroj të falënderoj presidentin e grupit, z.Irfan Hysenbelliu, që e ka rritur dhe po vazhdon ta rrisë me kaq dashuri këtë shkollë të lartë, e cila po konkurron me dinjitet në tregun e madh të arsimit të lartë”.

Me hedhjen e kapelave në vitin XVI të themelimit të tij, “Luarasi” mbyll historinë e tij si kolegj universitar, për të funksionuar tashmë si universitet.

PËRSE “LUARASI”?! Nuk është çudi që në kushtet e një konkurrence të lartë universitare, “Luarasi” ka ditur të ngrejë dhe të ruajë pozicionin elitar në treg. E madje, edhe në vitet e fundit, kur me gjithë rënien e maturantëve aplikues në IAL-të e vendit, besueshmëria te “Luarasi” nuk është lëkundur asnjë vit. Arsyet janë të qarta.

“‘Luarasi’ ka vetëm një alternativë: cilësinë! Universiteti bëhet më i mirë kur studentët shihen dhe trajtohen si miq, kur i motivojnë me dashuri për profesionin, kur i ndihmojnë kur ata gabojnë, ku vlerësojnë e korrigjojnë, kur respektojnë personalitetin e interesin e tyre. Mësuesia para së gjithash është mision, shpirt dhe dashuri dhe këtë mision ‘Luarasi’ e ka në zemër të filozofisë së vet. Kjo është arsyeja se pse ne kemi besueshmëri në opinionin publik. Është kjo arsyeja pse edhe këtë vit, me gjithë rënien e numrit të maturantëve aplikantë, me gjithë rritjen e pragut të notës mesatare si kriter pranimi në shkollat e larta, me gjithë konkurrencën e madhe, ‘Luarasi’ vetëm rritet”, vuri në dukje rektori, duke u bërë një apel maturantëve që ende nuk e kanë bërë zgjedhjen e tyre, se kanë mundësi të përfitojnë nga alternativa e shkollimit në “Luaras”.

Duke vlerësuar prezencën e veçantë të kryeparlamentarit shqiptar, Gramoz Ruçi, rektori prof. dr Ruka vlerësoi kapitullin e ri të marrëdhënieve të Kuvendit me universitetet. “Dy takime të organizuara në Kuvendin e Shqipërisë me rektorët e universiteteve publike e private, drejtpërdrejt me iniciativën e z.Ruçi, kanë qenë shumë frytdhënëse, janë finalizuar me marrëveshje që i kanë hapur rrugë një bashkëpunimi domethënës e afatgjatë. Ju garantoj që ‘Luarasi’ do të jetë aktiv në këtë bashkëpunim me Kuvendin e Shqipërisë”.

Studentja e punësuar në Kryeministri: Investimi te ‘Luarasi’, zgjedhja më e mirë

Punësimi i afro 80 për qind të studentëve në vitin e parë pas diplomimit është pika e fortë e Universitetit “Luarasi”. Të tillë i gjen plot, të shpërndarë në gjithë sektorët e jetës politike, ekonomike dhe shoqërore, qofshin ato në administratën shtetërore apo në sektorin privat.

Një prej tyre është Hasie Kotarja, e ftuar te “Luarasi” si një histori suksesi, të cilin ia dedikon universitetit. Teksa vazhdon vitin e dytë master në degën Administrim Biznes, studentja e shkëlqyer e “Luarasit” ia ka dalë të fitojë konkursin e punësimit pranë Departamentit të Administratës Publike. “Universiteti ‘Luarasi’, falë cilësisë së lartë që ofron, por edhe falë bashkëpunimeve të gjëra që ka me sektorin publik dhe privat, na mundëson ne studentëve të na hapen shumë dyer suksesi dhe t’i zgjerojmë njohuritë tona edhe përmes eksperiencave praktike të intershipeve apo punësimit.

Edukimi për mua ka fuqinë të të ndryshojë jetën dhe investimi në edukim është gjithmonë një investim i zgjuar, por bazuar tek eksperienca ime në Kolegjin Universitar ‘Luarasi’, mund të them që investimi për t’u edukuar në Universitetin ‘Luarasi’ është zgjedhja më e mirë, që një student mund të bëjë për të hedhur themelet e një të ardhmeje të suksesshme”. Ashtu si 16 vjet më parë, kur nisi rrugëtimin ky universitet, maturantët dhe studentët e konsiderojnë “Luarasin” si institucion të vlerave dhe mundësive.

Te lidhura


Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.