Ferrparajsa

Apr 12, 2015 | 13:00
SHPËRNDAJE

Edmond Tupja

EDMOND TUPJA

               Për titullin e këtij shkrimi i jam borxhli dhe detyrimisht mirënjohës poetit dhe mikut tim Xhevahir Spahiu. Unë ende nuk e di mirë se në ç’rrethana e krijoi ai këtë fjalë, por, gjendja që po kalon tranzicionalisht Shqipëria postkomuniste më duket…se e meriton pikërisht atë.

Me shumë gjasë, nga pikëpamja filozofike, jeta në vetvete është edhe ferr, edhe parajsë. Ka që vuajnë dhe lumturisë vetëm emrin i kanë dëgjuar. Në të kundërt, disa të tjerë janë të lumtur dhe varfëria për ata është diçka abstrakte. Filozofi francez Jean-Paul Sartre, në dramën e tij “Me dyer të mbyllura”, ka një frazë të famshme, që është kthyer gati në proverb: “Ferri janë të tjerët”. Një poet, po francez, të cilit mjerisht ia kam harruar emrin, pretendon të kundërtën: “Por parajsa janë edhe të tjerët” – këmbëngul ai.

Gjithsesi, le të qëndrojmë në Shqipëri. Në Shqipërinë e sotme, me telashet dhe ëndrrat tona si popull, si shoqëri, si shtet. Nuk mund të mohohet se jetojmë (prej sa vitesh, sa dekadash, sa shekujsh?) pikërisht në ferrparajsë. Në ferrparajsë kanë jetuar, jetojnë e do të jetojnë për një kohë të gjatë dhe popuj të tjerë. Por ç’do të thotë ferr? Ferr, të paktën sot, do të thotë varfëri. Nga vjen kjo varfëri? Për shqiptarin e sotëm, por edhe për shumë e shumë banorë të botës së globalizuar ose në globalizim e sipër, ajo vjen kryesisht nga një faktor i brendshëm si keqqeverisja dhe nga një faktor i jashtëm si kriza e përgjithshme botërore, si edhe nga kombinimi i këtyre dy faktorëve, të paktën sipas mendimit tim modest.

Secili prej lexuesve të vëmendshëm e të shqetësuar të kësaj rubrike mund t’u shtojë këtyre faktorëve edhe një mijë e një faktorë të tjerë shoqërorë apo edhe individualë, karakteristikë sidomos për vendet në zhvillim apo të sapodala nga një izolim diktatorial. Tipik për shoqërinë tonë, tani për tani, është fakti se jo pak shqiptarë, sidomos ata të tipit homo albanicus, kërkojnë me çdo kusht të pasurohen brenda ditës, madje brenda natës, me të gjitha mjetet e mënyrat e mundshme e të përfytyrueshme: dredhi, pandershmëri, pabesi (të mos harrojmë proverbin e frikshëm “shtatë hile një trimëri”), korrupsion, nepotizëm, favoritizëm, klientelizëm, trafik droge, prostitutash e ndikimesh, lojëra fati, baste e lotari etj., etj., me një fjalë, të gdhihemi milionerë (pse jo, miliarderë) pa lëvizur as gishtin e vogël të dorës së majtë.

Sigurisht, jo të gjithë shqiptarët mendojnë e veprojnë kështu. Ende të shumtë janë bashkatdhetarët e mi (të paktën kështu shpresoj të jetë) që duan të punojnë e ta fitojnë bukën e gojës ndershmërisht, por problemi është se ka disa syresh, ata të pandershmit e të korruptuarit, kudo qofshin në hierarkinë e pushtetit, vendor apo qendror, që i pengojnë, në një mënyrë apo në një tjetër, të realizojnë ëndrrat e tyre modeste për një jetë më të mirë, më të denjë. Prandaj sot, midis nesh, ka njerëz e familje që e shohin veten në ferr, në një ferr social, që nuk është aspak një nocion apo sajesë fetare, por një realitet i përditshëm, i prekshëm dhe i dhimbshëm për disa shtresa shoqërore, qytetarë e fshatarë të papunë, pensionistë e të sapodiplomuar të pashpresë, njerëz të braktisur, fëmijë apo pleq qofshin këta, njerëz hije të vetvetes që gjallojnë mjerueshëm në zgrip të vetëvrasjes. Duam, s’duam, ky ferr është i pranishëm midis nesh.

E vërejmë, e përjetojmë, por nuk mund të bëjmë thuajse asgjë kundër atij. Le të kthehemi tani te parajsa. Përballë atyre që nuk kanë shtëpi, që nuk kanë punë, që nuk shkojnë thuajse kurrë me pushime diku, qoftë edhe disa dhjetëra kilometra larg vendbanimit të tyre, ekzistojnë një grusht njerëzish që kanë vila e apartamente kudo, brenda e jashtë shtetit, që shkojnë me pushime deri në Dubai e përtej, që kanë para aq sa të shkojnë mbase edhe në Hënë, që blejnë jo vetëm të mira materiale pa fund, por edhe trupa e shpirtra njerëzish. Këta janë superpasanikët shqiptarë të të gjitha llojeve e nënllojeve, ndërkohë që rreth e qark tyre gëlojnë të varfrit që i përkasin vetëm një lloji: vegjëlisë, të mjerëve, siç do të shprehej Viktor Hygoi.

Si përfundim, mund e duhet thënë se fjala “ferrparajsë” i përshtatet situatës në të cilën po jetojnë, prej vitesh, shqiptarët. Për fatin e keq të një shumice, që përbëhet nga të përditshmit, të zakonshmit, të rëndomtit, anonimët. Për fatin e mirë të një pakice, që përbëhet nga supervipat. Pra, fatkeqmirësisht për këtë vend të quajtur Shqipëri. Fatkeqmirësisht… Ja tek e krijova edhe unë një fjalë, i frymëzuar nga poeti dhe miku im Xhevahir Spahiu.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura