Fenomeni që ndodh vetëm në Shqipëri, nafta në bursë 48 USD për fuçi, çmimet te ne rriten

Jul 28, 2015 | 22:10
SHPËRNDAJE

Tregu i karburanteve në vendin tonë mbetet ndoshta ndër tregjet më të çuditshme sa i përket reflektimit të çmimeve të bursës. Kjo në fakt vlen vetëm për kahun e uljes së tij, se për atë të rritjes reflektimi bëhet menjëherë. Së fundmi, çmimet në pikat e shitjes me pakicë të karburanteve kanë kaluar 185 lekë litri për naftën dhe benzinën. Një situatë e tillë mbetet akoma e pashpjegueshme, kur çmimet në bursë kanë nivelet minimale.

Karburantet
Karburantet

BURSA

Një fuçi naftë dje u shit me 48 dollarë, duke arritur ndoshta një ndër nivelet më të ulëta të shitjes për këtë vit. Pa dyshim që një situatë e tillë nuk mund të reflektohet menjëherë në treg, pasi blerjet e bëra nga importuesit janë në afate të ndryshme dhe ndoshta koha e blerjes së tyre të fundit është më e hershme, por sërish një ulje e tillë pak gjasa ka që të reflektohet në tregun vendës. Ulja e çmimit të naftës për fuçi erdhi pas lajmeve jo dhe aq të mira të Kinës që është një nga superekonomitë botërore dhe ku çdo parashikim pozitiv apo negativ jep efekt.

Kështu ishte edhe situata e këtyre ditëve, ku bursa e Kinës dhe disa parashikime për një rritje më të ulët të ekonomisë bënë që reflektimi te çmimi i naftës të ishte i menjëhershëm. Madje, edhe në Bursën e Londrës, së cilës i referohet Shqipëria për blerjet e saj, çmimi i naftës arriti në nivelin më të ulët të katër muajve të fundit, duke u shitur me 53.36 dollarë për fuçi. Ekspertët parashikojnë që një situatë e tillë me çmime të ulëta të vazhdojë disi më gjatë sesa çështje ditësh apo javësh, duke pritur një ndryshim të paktën nga fundi i vjeshtës, por kjo mbetet për t’u parë.

KRAHASIMI
Faqja kryesore që rendit çmimet e naftës në botë, “Global Petrol Prices”, ka bërë një renditje të fundit në datën 20 korrik ku Shqipëria nga vendi i 129-të për çmimin mestar më të lartë, ka kaluar në vendin e 133-të. Pra jemi vendi i 133-të më i shtrenjtë, edhe pse në finale ka edhe shumë vende të tjera pas nesh, pasi lista e marrë në studim përfshin 174 vende. Një litër karburant, sipas mesatares së përllogaritur nga kjo faqe, arrin 1.38 dollarë. Ajo që vihet re, të paktën në këtë rast, është që disa prej vendeve të rajonit si Sllovenia apo Kroacia, kanë çmime më të larta, ndryshe nga ç’ishte pak muaj më parë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura