Ermira Babaliu: “Femrat e faqeve rozë në Shqipëri janë eskortë”

Feb 7, 2016 | 12:20
SHPËRNDAJE

Polemikat që u hapën ditët e fundit rreth favoreve seksuale kundrejt pagesës që njerëz me pushtet u kërkojnë personazheve të njohur të muzikës, “showbiz”-it etj., kanë përfshirë edhe këngëtaren e njohur Ermira Babaliu.

Ermira BabaliuAjo merr në analizë intervistën e koleges së saj të re, Xhesika Ndoj, e cila foli hapur për gazetën “Panorama” se si deputetë dhe ministra e ngacmonin seksualisht, duke i ofruar para si shkëmbim. Ermira Babaliu duket se e ka shpirtin po aq të brishtë sa edhe zërin, pasi u del në mbrojtje vajzave që “gjuhen” nga politikanët, ndërsa shpreh keqardhje për mënyrën se si këto personazhe po e menaxhojnë veten.

Duke iu referuar intervistës së Xhesika Ndojt, Ermira Babaliu thotë se “problemi nuk është vajza e shkretë.

Problem është fenomeni IMORALITET, i cili ka përfshirë shoqërinë në çdo cep. Imoralitet që ka dëmtuar rëndë vlerat, jo më vetëm të personit, por personalitetin në përgjithësi, në çdo fushë. Trishtim i madh!”.

Këngëtarja që bëri bujë që me daljen e parë në Festivalin e 25-të në RTSH, duket e çuditur gjithsesi se si ka mundësi që vajzat e shtypit “rozë” bëjnë jetë luksi, ndërkohë që nuk kanë punuar asnjë ditë.

Në këtë këndvështrim, ajo i bashkëngjit statusit të saj në “Facebook” një huazim nga gazetari Enkel Demi, duke e miratuar çfarë thotë ai: “Të gjithë e dinë në Shqipëri që shumë nga personazhet e njohur të faqeve rozë janë ‘escort’, ose si i thonë në shqip ‘shoqëruese të shtrenjta’. Vajza që nuk kanë punuar qoftë edhe një ditë, i sheh të hedhin në rrjete sociale foto në avionë privatë, plazhe ekskluzive, në qytete dhe hotele tejet të shtrenjta, mbuluar me stoli marramendëse”.

Por poshtë statusit, miqtë e saj kanë nisur të komentojnë dhe njëri prej tyre i ka shkruar me ironi se “ajo (Xhesika) del publikisht, se nuk i ka pëlqyer shifra, jo për gjë, dhe sigurisht lëviz edhe çmimi në treg. Rrofshin pushimet në Spanjë dhe motelet e Kërrabës”. Ermira Babaliu ka rënë pjesërisht dakord me mikun e saj komentues, ndërsa ka shtuar se uria për jetë luksi i tundon personazhet VIP-”trendy”.

“Pjesërisht dakord, pa dyshim që ka shumë vajza ndryshe, kanë zgjedhur të jetojnë bukur. Por një pjesë tjetër jo shumë e vogël, gjithashtu janë bërë pre e janë tunduar prej asaj çka iu afrohet, uria për jetë më të mirë, reklama tërheqëse e vipit trendy, fakti që e kthyen në normalitet këtë veprim e shumë të tjera të krahasueshme. Standardi i vlerave nuk ekziston, nuk aplikohet modeli etj.”, shkruan këngëtarja gjatë komentimeve me miqtë në statusin e saj të “Facebook”-ut.

XHESIKA NDOJ: DEPUTETËT DHE MINISTRAT QË KËRKOJNË SEKS KUNDREJT PARAVE

Pa asnjë kompleks, Xhesika Ndoj deklaroi para tri ditësh se një deputet i kishte ofruar para në këmbim të seksit. “Vetëm të më japë numrin e llogarisë, pa do ta mbaj si gocë sheiku”, ka thënë deputeti i Parlamentit shqiptar, siç pretendon Xhesika Ndoj. Duke folur për gazetën “Panorama”, këngëtarja tha se “nuk jam as e para dhe as e fundit që ngacmohem nga deputetët, ka edhe shumë vajza të tjera që janë në muzikë, spektakël, modeling etj., që mund ta dëshmojnë këtë. Disa politikanë që janë gjuetarë dhe në rrethet e vajzave, dihet se kush janë.

Nuk po i fus të gjithë në një thes, por disa prej politikanëve i ndërrojnë shpesh të dashurat dhe i mbajnë me lekë”. Sipas Xhesikës, kjo nuk ka qenë hera e parë që politikanët e kanë ngacmuar seksualisht.

“Nuk është rasti i parë, më kanë ngacmuar shumë politikanë dhe personazhe të tjerë publikë, apo biznesmenë. Përgjithësisht, burrat që kanë shumë para dhe pushtet. Politikanët që më kanë ngacmuar, kanë qenë nga të gjitha partitë. Ky që po flasim është nga Partia Socialiste dhe është nga zona e Veriut”, deklaroi këngëtarja, duke treguar edhe një detaj tjetër, e ka ngacmuar para një viti një ministër që u përket partive të vogla.

ELISABETA ILNICA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura