Fëmijët në emigracion, çifti që u gjet i vdekur në Elbasan jetonin vetëm​. Pse dyshohet vetëvrasje​

SHPËRNDAJE

ELBASAN/ MIRANDA SADIKU/ Një çift të moshuarish kanë humbur jetën si pasojë e asfiksisë në fshatin Gjergjan, pak kilometra larg qytetit të Elbasanit. Edhe pse ngjarja tragjike dyshohet se ka ndodhur të hënën, trupat e dy të moshuarve janë zbuluar vetëm mbrëmjen e së martës nga nipi i tyre. Vdekja dyshohet se ka ardhur për shkak të asfiksisë nga gazi.

POLICIA-ELBASAN

Trupat e bashkëshortëve, Shyqyri (Vasil) Liçi, 65 vjeç, dhe Sabire Liçi, 60 vjeçe, janë gjetur nga djali i vëllait të 65-vjeçarit një ditë më parë, i cili ka hyrë në banesë nga dritarja. Ai ka parë nga dritarja e kuzhinës së katit të parë të banesës të dilte tym dhe i zënë nga paniku nuk ka pritur të lajmërojë njeri, por ka kaluar portën e hekurit dhe ka hyrë nga dritarja, ku edhe ka parë dy të moshuarit të shtrirë në divane dhe pa shenja jete.

Pas kësaj, ai ka njoftuar Policinë, e cila menjëherë ka shkuar në vendin e ngjarjes. Brenda në banesë janë konstatuar djegia e disa orendive, ku për shkak të tymit dyshemeja e dhomave është thuajse e nxirë plotësisht. Trupat e dy të moshuarve u tërhoqën nga uniformat blu, të cilët i dërguan ata në morg, ku po kryhet edhe ekspertimi i mëtejshëm. Policia, në deklaratën për shtyp, pohon se ka qenë i moshuari, ai i cili dyshohet se ka ndezur gazin e sobës dhe më pas i ka vënë edhe flakën.

Bashkëshortja e tij nuk ka mundur të kuptojë asgjë, pasi prej disa kohësh ishte e sëmurë me sklerozë. Ndërkohë, 65-vjeçari, sipas banorëve, kohët e fundit konsumonte shumë alkool dhe këtë akt mund ta ketë kryer në gjendje të dehur. Ngjarja dyshohet të jetë regjistruar ditën e hënë, por ajo u zbulua nga nipi vetëm mbrëmjen e së martës, pasi dy të moshuarit nuk po përgjigjeshin në telefon. Mosdalja e flakëve të zjarrit në pjesën e jashtme ka bërë që fqinjët të mos kuptojnë asgjë.

Vetë këta të fundit shprehen të tronditur për ngjarjen dhe konfirmojnë faktin se gjatë ditës së martë nuk i kanë parë për asnjë moment jashtë, por nuk kanë dyshuar për ndonjë ngjarje të rëndë. Çifti i të moshuarve, sipas fqinjëve, jetonin vetëm prej disa kohësh, ndërsa gjatë dy viteve të fundit ata kishin ndërprerë edhe vizitat te djemtë në Greqi dhe Itali, për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore. Për këtë arsye, djemtë i kishin paguar edhe një grua që të kujdesej për ta dhe t’u pastronte shtëpinë herë pas here. Çifti Liçi nga fshati Gjergjan në Elbasan jetonte i vetëm në një ndërtesë dykatëshe.

Fqinjët: Derën e kishin të mbyllur nga brenda, e hapi Policia me forcë

Fqinjët shprehet të habitur për ngjarjen e ndodhur, pasi nuk kanë vërejtur asgjë të dyshimtë nga jashtë shtëpisë së çiftit Liçi. Ata tregojnë se prej kohësh jetonin të vetmuar, pasi tre djemtë i kanë në emigracion. Sipas tyre, kohët e fundit kishin ndaluar edhe vizitat te fëmijët për shkak të gjendjes shëndetësore. “Ne u habitëm kur e morëm vesh. Nuk dija asgjë, vetëm kur më tha burri që ka ardhur Policia dhe aty mësova se çfarë kishte ndodhur. Kaq, nuk di gjë më shumë”, tregon një prej fqinjëve. Ndërsa bashkëshorti i saj shton se çifti ishin njerëz shumë të mirë. “Nuk dyshojmë për asgjë. E shoqja e Shyqyriut ka qenë e sëmurë, ka rreth një vit e gjysmë. Ai vetë i shërbente. Madje, kohët e fundit mori edhe dikë që i shërbente në shtëpi”, shton fqinji. Ndërsa një tjetër fqinje tregon momentin kur Policia hyri në banesën e të moshuarve. “Ka qenë familje e mirë. Pinim kafe gjithnjë bashkë, kam respekt shumë për këtë familje. Nuk e dimë sesi ka ndodhur. Dje në orën 9 të darkës mësuam për ngjarjen. Derën e kishte të mbyllur, erdhi Policia që e hapi”, shprehet një prej fqinjëve.

Te lidhura

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.