“Fëmijët në Babicë po bëjnë mësim në kafe”/ Fotoja që ndezi “gjakrat” në Komisionin e Edukimit. Kushi: Montazh! Koçi me tone të ashpra Zhupës: Nuk tallemi këtu, more vesh!

Oct 13, 2021 | 12:56
SHPËRNDAJE

Mbledhja e Komisionit të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik, u shoqërua me debate të ashpra mes ministres së Arsimit Evis Kushi dhe drejtuesit të seancës Petro Koçi nga njëra anë, dhe deputetes së Partisë Demokratike, Ina Zhupa, nga ana tjetër. 

Ishte një foto e demostruar në komision nga ana e deputetes Zhupa, ku shiheshin fëmijët e fshatit Babicë të Vlorës teksa zhvillonin mësimin në një kafe, ajo që nxiti debatin mes deputetëve.

Ministrja e Arsimit mohoi ekzistencën e fotos, duke e cilësuar si një montazh, por gjithsesi ajo u shpreh se do të ngrejë një grup pune për kryerjen e verifikimeve.

Ndërprerja e fjalës së ministres nga deputetja Zhupa, bëri që të ndërhynte drejtuesi i seancës Petro Koçi, i cili i kërkoi deputetes Zhupa të respektonte rregulloren.

Pjesë nga biseda

Ina Zhupa: Unë po ju tregoj me foto, këta janë nxënësit në Babicë të Vlorës dhe po bëjnë mësim në kafen e fshatit dhe jo në shkollë. Kjo nuk është një situatë normale ku duhet të jetë arsimi. Ka shkolla në shumë zona të cila nuk funksionojnë.

Evis Kushi: Ajo fotoja e fshatit Babicë më thonë se është montazh, por do ta verifikoj. Edhe me zotin Boçi, më tregon një foto dhe unë duhet ta marrë të mirëqënë. Ju keni foto, ne kemi video që mësimi vijon normalisht në shkollë. Unë do ngre grupin e punës. Verifikim unë quaj të çoj grupin e punës, ky është verifikim.

Petro Koçi: Nuk do ta bëjmë muhabet lagjeje këtu, bëre pyetje do të përgjigjet ministrja. Me këto ndërhyrje pa rregull nuk do vazhdohet më. Mos na ngri këtu video me celular.

Respekto rregullin dhe respekto këtë komision! Nuk do tallemi këtu që t’i të flasësh tërë ditën dhe ne të tjerët të dëgjojmë ty. More vesh apo jo!

Babice
Fotoja e paraqitur në Komision nga Ina Zhupa

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura