Fëmijët, më shumë nevojë për prindërim

Feb 19, 2015 | 12:06
SHPËRNDAJE

AGIM BAÇI

   Ç’të bëj me fëmijën tim?”.
    Besoj se kjo pyetje nuk ka lindur sot, por duhet pohuar se sot është më e fortë se kurrë. Nuk është një pyetje që e bën vetëm dikush në Shqipëri. Nuk është se e bën vetëm dikush që nuk ka shumë kohë për t’u marrë me fëmijën e tij. Nuk është se këtë pyetje e bën ai që ka pak pasuri apo një që ka pasuri pa fund. Kjo thjesht është sfida që tashmë del në pah si një çështje e përbotshme. “Fëmijët nuk duan psikolog. DUAN PRINDËR”, shprehet neuropsikologu grek, Nikos Sideris, duke sjellë një studim që hap shumë pyetje thelbësore në këtë fushë, por njëkohësisht duke sjellë si alternativë edhe destinacionin më të ëmbël: prindërit të merren sa më shumë me fëmijët!
Ngjarjet më të fundit të dhunës në disa shkolla në vend, videoja e regjistruar në ambientet e QSUT-së me tre adoleshentë, çështja e dhunës në familje, shtatzënitë e parakohshme, si dhe përfshirja në raste të drogimit, janë disa prej çështjeve që nuk i fshehim dot. Ata që janë përfshirë në të tilla histori janë pjesë e shoqërisë sonë. Mund të ketë të tjerë që janë gati të bëjnë të tilla veprime, por që “lapsi” nuk i ka kapur ende të jenë pjesë e historisë mes tyre, apo edhe më rëndë, e historisë së përbashkët përmes publikimeve të ndryshme, sidomos në rrjetet sociale. Dhe për të gjithë këto kemi nevojë urgjente për të debatuar. Sepse ata nuk janë thjesht një lajm, por një fenomen që kërkon vëmendje.
Por, sa prindër janë gati të diskutojnë sot me fëmijët e tyre? Duket se një pjesë e madhe bëhen pjesë e diskutimit vetëm pasi fëmija është bërë objekt i një historie në shkollë, lagje apo në rrjete sociale. Por atëherë je i detyruar të bësh kompromise, sepse është gati e pamundur të rindërtosh karakterin sipas dëshirave fillestare, që ka shumica absolute e prindërve, për të pasur fëmijë të mbarë dhe të suksesshëm.
Po përse duhet të jetë debat mbarëkombëtar çështja e një fëmije kur mund të merret prindi apo edhe e disa fëmijëve bashkë kur mund të merren prindërit e tyre?
“Çdo çalim në fëmijëri rrezikon të ketë pasojat e veta gjatë gjithë jetës”, shprehet Sideris. Për shkak të një veprimi të pamenduar shpesh njeriu nis rënien në një greminë, duke krijuar një hendek të parikuperueshëm mes atij që donte të ishte dhe atij që realizohet konkretisht në jetë. Për të kapërcyer këtë hendek ka nevojë për një ndihmë që të ringrejë vetveten. Por cili është më afër mundësisë për të ta dhënë këtë ndihmë? Pa dyshim që prindi. Më pas edhe shoqëria. Por besimi se mund të ringrihesh më së pari vjen nga prindërit. Por a dimë ne sot të diskutojmë hapur, duke pranuar gabimet e njëkohësisht duke shprehur besimin tonë se mund t’ia dalim? Kjo përbën sfidën tonë më të madhe, sepse jemi pjesë e njëri-tjetrit dhe shpesh gabimi i njërit kushton për shumë të tjerë dhe jo vetëm për të.
Pikërisht për të rikuperuar disa nga humbjet e përditshme vlen që më parë se t’u drejtohemi të rinjve, duhet t’u drejtohemi prindërve, që të jenë ata barrierë e parë për të mos lënë gremisjen e jetës së fëmijëve. Pa dyshim që nuk është e lehtë t’ia arrijmë për shkak të diferencave kulturore apo traditave të ndryshme. Gjithashtu, mbijetesa nga varfëria, hendeku i informacionit, përballjet e ndryshme sociale, e mbi të gjitha hovet e të rinjve të nxitur nga debatet dhe informacioni online, e bëjnë shumë të vështirë sot artin e prindërimit edhe për ata që besojnë se kanë një bagazh kulturor.
Por a duhet të dorëzohemi përpara këtyre pikëpyetjeve? “Një prind që tërhiqet, që kërkon t’ua delegojë të tjerëve edukimin, jep mesazhin e braktisjes dhe jo të zgjidhjes”, shprehet Sideris, duke ngulmuar në vendosmërinë që duhet të kemi sot përballë fëmijëve. Asnjë argumentim në emër të modernes, të informacionit, të zhvillimit, nuk e mund dot fuqinë që duhet të ketë prindi në dhënien e sigurisë së fëmijës, e pikësëpari në dhënien e dashurisë.
Dhe, kur shumë prindër nuk gjejnë dot sot rrugët që të diskutojnë me fëmijët e tyre, çfarë mund të ndodhë me ata që janë të privuar nga prania e prindit? Dhe ato janë përgjegjësi e shoqërisë, janë pjesë e jona dhe kanë nevojë për ngrohtësi. Por si mund t’ua japim këtë ngrohtësi për të tjerët nëse me fëmijët tanë nuk kemi komunikuar me dashuri?
Ne duhet të shqetësohemi për fqinjin, për shokun e klasës së fëmijës, sepse nesër do të jenë bashkëshortët e fëmijëve tanë dhe çdo pasiguri e tyre do të pasqyrohet në jetën e pasardhësve tanë. Ndaj, më shumë se çdo gjë tjetër, duhet të kthejmë vëmendjen drejt debatit për fëmijët. Duke nisur nga ajo që është më e rëndësishmja, edhe pse shumë e vështirë – të prindërojmë sa më me përkushtim. T’u japim dashuri dhe të këmbëngulim që jeta e fëmijëve të admirojë veprimet e mira dhe besimin për të bashkëpunuar me të tjerët. Më së pari me mësuesit, të cilët nuk do të arrijnë të bëjnë asgjë nëse prindërit nuk do të jenë bashkëpunuesit e parë të fëmijëve.
“Unë ndihem e dorëzuar nëse prindërit nuk bashkëpunojnë, ose më keq, që përkrahin fëmijët e tyre në gabim”, më thoshte një ditë mësuesja e tim biri në klasë të parë. Dhe nuk është e vetmja, sepse nuk janë të paktë ata që publikisht dhunojnë dinjitetin e mësuesit. Por a mundet më që një fëmijë të respektojë maksimalisht më pas mësuesit, nëse prindi ka qenë ai që ka inkurajuar i pari shpërfilljen ndaj tyre?
Psikologët pranojnë se fëmijët e paqeverisur mirë nga prindërit e tyre rrezikojnë të rriten me frikë dhe moskuptim, e për më tepër pa besimin se do të mund t’ia arrijnë t’ia dalin në jetë. Të tillë fëmijë janë një kontingjent i gatshëm i tundimeve ndaj së keqes, i humbjes së personalitetit e, për pasojë, e humbjes së besimit se mund të jenë të zotët e jetës së tyre.
“I kërkova vetë mësueses ta rrihte fëmijën tim, sepse nuk e kontrolloj dot”, u shpreh në një sinqeritet ekstrem prindi i fëmijës, që u regjistrua teksa rrihej nga mësuesja në një provincë të Shkodrës. Natyrisht një deklaratë ekstreme, sepse pa dyshim që askush nga ne nuk mund të pretendojë se e do atë fëmijë më shumë sesa prindi i vet. Por ajo që ndodhi më pas ishte një pikëpyetje që duhej ende të ishte pjesë e debatit kombëtar, sidomos me komunitetet e prindërve në të gjitha shkollat. Janë pikërisht prindërit që duhet të marrin frenat e këtij diskutimi, e më pas edhe mësuesit. Të gjithë kemi nevojë për më shumë diskutim, për më shumë kohë për t’u marrë me njëri-tjetrin, që t’u paraprijmë situatave të tilla. Në të kundërt, rrezikojmë që të çojmë drejt shtratit të pasigurisë e më pas edhe të humbjes së dinjitetit apo të përfshirjes në botën e krimit shumë fëmijë. Ndaj, duhet të pranojmë rëndësinë e këtij debati. E si fillim, për pyetje të tilla drejt psikologëve të dërgojmë prindërit e jo fëmijët.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura