Fëmijëria mes prostitutash dhe Rezistenca franceze

Oct 13, 2014 | 14:12
SHPËRNDAJE

U nda nga jeta gjysmëshekulli më parë, kur ishte 47 vjeçe, duke marrë me vete famën botërore dhe dështimet personale. Edith Piaf ishte një grua shtatvogël sa një harabel, por me një zë të madh. Siç do të thoshte ajo, fundi i shpejtë ishte shpagim për jetën e trazuar

Ajo njihej gjerësisht si këngëtare kabareti, porse u bë diva kombëtare e Francës, madje u shënjua edhe si një nga yjet më të mëdhenj ndërkombëtarë. E lindur më 19 dhjetor 1915 dhe e ndarë nga jeta më 10 tetor 1963, Edith Piaf është nga ato artiste për të cilat mund të rrëfesh shumë. Muzika e saj ishte shpesh autobiografike ndërsa e kënduara e saj reflektonte jetën e vet. Ajo këndonte muzikën e saj lirike (chanson) dhe balada, duke pasur në qendër veçanërisht dashurinë, humbjen dhe dorëzimin. Mes këngëve të saj mund të përmendim “La Vie en rose” (1946), “Non, je ne regrette rien” (1960), “Hymne à l’amour” (1949), “Milord” (1959), “La Foule” (1957), “l’Açordéoniste” (1955) dhe “Padam … Padam …” (1951). Pavarësisht disa biografive, shumë nga jeta e Piaf mbetet e zhytur në mister. Ajo u lind si Edith Giovanna Gassion në Belleville, në Paris. Legjenda thotë se ajo lindi në trotuarin e “Rue de Belleville 72”, por certifikata e saj e lindjes thotë “Hopital Tenon”. Ajo u quajt Edith, sipas infermieres britanike të Luftës I Botërore, Edith Cavell, e cila ishte ekzekutuar pasi ndihmoi ushtarët francezë të arratiseshin nga gjermanët. Piaf -zhargon për “harabeli i vogël”, ishte mbiemri që ajo mori 20 vjet më vonë.
Fama skenike e “harabelit”
Në 1935, Piaf u zbulua në zonën Pigalle të Parisit nga pronari i një klubi nate, Louis Leplée. Ishte ai që i dha nofkën “Piaf”, frymëzuar nga nervoziteti i saj i skajshëm i të kënduarit dhe gjatësia e Edith, vetëm 142 cm. Leplée e mësoi si të shfaqej në skenë dhe i tha të vishte fustan të zi, gjë që më vonë u bë dhe veshja me të cilën ajo do të identifikohej. Më 6 prill 1936, Leplée u vra. Një vëmendje negative e medias ra mbi karrierën e Piaf. Për të rehabilituar imazhin e vet, ajo punoi me Raymond Asso, me të cilin u përfshi në një lidhje romantike. Ai ndryshoi emrin e saj skenik në “Edith Piaf”. Në 1940, Edith interpretoi krah Jean Cocteau dhe filloi të krijojë shoqëri me njerëz të shquar, duke përfshirë Chevalier dhe poetin Jacques Borgeat. Ajo shkroi lirikat e shumë prej këngëve të veta. Në 1944, u njoh me Yves Montand në Paris, i cili u bë mentori dhe i dashuri i saj. Brenda një viti ai u bë një nga këngëtarët më të njohur në Francë. Edith i dha fund lidhjes së tyre, kur ai u bë i famshëm thuajse sa ajo. Pas luftës ajo u bë e njohur edhe ndërkombëtarisht, me ture në Europë, SHBA dhe Amerikën e Jugut. Ndihmoi shumë artistë të promovoheshin dhe shfaqnin talentin e tyre, si: Atahualpa Yupanqui (Héctor Roberto Chavero), muzikanti më i rëndësishëm i muzikës folklorike në Argjentinë, Charles Aznavour etj. Gjatë Luftës së Dytë Botërore ajo interpretonte për Forcat Gjermane në mbrëmjet që ata organizonin në Francën e pushtuar dhe shumë njerëz e konsideruan atë tradhtare, por në fakt ajo do të shprehej se në atë periudhë punonte për Rezistencën Franceze. Ajo ndihmoi disa njerëz t’i shpëtonin persekutimin nazist. Piaf shoqërohej me një pianist hebre gjatë kësaj kohe dhe shkroi me Monnot një këngë proteste.
Jeta personale dhe vdekja e hershme
Përveç së bijës që pati me të dashurin e saj Louis Dupont, Piaf nuk deshi kurrë më të kishte fëmijë. Dashuria e jetës së Piaf, boksieri i martuar Marcel Cerdan, vdiq në një aksident ajror në tetor 1949, ndërsa fluturonte nga Parisi në New York të takonte atë. Në 1951, Piaf u dëmtua rëndë në një aksident me makinë bashkë me Charles Aznavour, duke thyer krahun dhe dy brinjë dhe që atëherë pati vështirësi të mëdha të merrte veten nga varësia prej morfinës dhe alkoolit. Dy aksidente të tjerë me makinë e përkeqësuan situatën. Këngëtari Jacques Pills u përkujdes për rehabilitimin e saj. Piaf u martua me Pills, bashkëshortin e saj të parë, më 1952 (shoqëruesja e saj e nderit ishte Marlene Dietrich) dhe u divorcua prej tij më 1957. Në 1962, ajo u martua me Theo Sarapo (Theophanis Lamboukas), një berber grek, i kthyer në këngëtar dhe aktor, i cili ishte 20 vjet më i ri. Ata kënduan së bashku në disa nga angazhimet e fundit muzikore të Piaf. Ajo vdiq në moshën 47-vjeçare nga kanceri i mëlçisë në vilën e saj në rivierën franceze, më 10 tetor 1963, një ditë përpara se kineasti, miku i saj Jean Cocteau të vdiste. Fjalët e saj të fundit ishin: “Për çdo budallallëk të mallkuar që bën në këtë jetë, do të paguash”. Thuhet se Sarapo e çoi trupin e saj në Paris fshehtazi, që fansat të mendonin se kishte vdekur në Paris. Ajo u varros në Varrezat “Père Lachaise” në Paris, në krah me të bijën, Marcelle. Të varrosur në të njëjtin varr janë edhe i ati i saj, Louis-Alphonse Gassion dhe Theo (Lamboukas) Sarapo. Emri që i përshkruan në gurin e varrit është “Familja Gassion-Piaf”, ndërsa emri i Edith-it është gdhendur anash. Edhe pse asaj i ishte mohuar një funeral masiv nga kryepeshkopi katolik roman i Parisit, për shkak të stilit të saj të jetës, ajo u përcoll nga mijëra njerëz që mbushën rrugët e Parisit. Në Paris, një muze prej dy dhomash i është dedikuar asaj, i quajtur Muzeu “Edith Piaf”.            

E rritur mes prostituash
Babai i saj ishte akrobat rruge nga Normandia, me të shkuar në teatër. Ndërsa e ëma, Annetta Giovanna Maillard (1895-1945), me origjinë franceze nga i ati dhe italiane nga e ëma, punonte si këngëtare kafeneje nën emrin Line Marsa. E ëma e Edith-it e braktisi që në lindje dhe ajo jetoi për pak kohë me gjyshen nga e ëma, Emma (Aïcha). Përpara se i ati të rreshtohej në Ushtrinë franceze më 1916 për të Luftuar në Luftën I Botërore, ai e çoi të bijën tek e ëma e tij, e cila zotëronte një bordello në Normandi. Atje, ishin prostitutat që u kujdesën për Piaf. Nga mosha tre deri shtatë vjeçe, Piaf thuhet se ishte e verbër për shkak të keratitis. Në 1929, në moshën 14 vjeçe, ajo iu bashkua shfaqjeve akrobatike në rrugë të të atit, ku për herë të parë këndoi në publik. Në shkurt 1933, kur Edith ishte 17 vjeçe, ajo lindi vajzën e saj, Marcelle, të njohur si Cécelle. Ajo u grind me të atin e vajzës, me të cilin nuk u martua kurrë dhe Edith e la atë, duke u larguar dhe marrë me vete Marcelle. Vajza e vogël lihej shumë shpesh vetëm në dhomë ndërsa Edith dhe gjysmëmotra e saj, Momone, me të cilën dhe jetonte, këndonin në rrugë apo klube. Në një nga këto mbrëmje, ish-i dashuri i saj erdhi dhe i mori vajzën, duke thënë se nëse Edith e dëshironte fëmijën, duhej të vinte në shtëpi. Si e ëma, Edith vendosi mos të shkonte në shtëpi, edhe pse pagoi financiarisht për kujdesin e së bijës. Marcelle vdiq megjithatë nga meningjiti kur ishte dy vjeçe. Thashethemet thonë se Edith fjeti me një burrë për të paguar funeralin e së bijës.    

                 
Përgatiti: B.Goce

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura