Fëmija i dhunuar, kopshtet dhe një apel Kryeministrit

Jun 22, 2016 | 13:00
SHPËRNDAJE

gjekmarkajAGRON GJEKMARKAJ

Dhuna shtazarake mbi një fëmijë trevjeçar, i sëmurë me autizëm, e shfaqur në një video të realizuar në një kopsht në Tiranë, ishte shokuese dhe cinike. Fëmija për gati dy orë rrihej e keqtrajtohej nga pronarja e kopshtit, ndërkohë që po bëheshin filmime për të reklamuar mirëqenien, sigurinë, dashurinë, pastërtinë, hapësirat dhe përkujdesjen njerëzore për të vegjlit.

Thelbi dhe forma, e vërteta dhe gënjeshtra, këto koncepte ndaheshin tragjikisht nga njëra-tjetra në ato pamje rrëqethëse, për t’u bashkuar në një: në atë që e quajmë realitet shqiptar të përditshëm. Zonja në fjalë (kam dyshime në përdorimin e termit) videon publicitare mbase do ta nxirrte në televizion, gazeta apo rrjete sociale për të na joshur që në shtator t’i besonim fëmijët tanë.

Diçka për fat nuk ka funksionuar dhe shoqëria u njoh me mynxyrën e radhës dhe një të vërtetë shqetësuese e turpëruese që vërtitet rreth nesh, një e vërtetë që përmbledh babëzinë për të fituar dhe dehumanizimin e njeriut.

Në harkun e një periudhe të shkurtër, nga Shkodra në Tiranë po ndodhin ngjarje të cilat ngrenë shumë pikëpyetje mbi natyrën agresive të shoqërisë dhe individit shqiptar. Jemi ndeshur me dhunën e burrave, pasojë e gërshetimit të historisë me mentalitetin tribal, fakt i patolerueshëm dhe i pajustifikueshëm, por kjo e grave mbi fëmijët, e nënave mbi fëmijët e nënave, është çmeritëse.

Të mendosh që këto, nga “dashuria për fëmijët e tyre” dhunojnë fëmijët e të tjerëve, është e tmerrshme, shenjë e degradimit shpirtëror dhe mendor. Çfarë nënkuptoj me “dashurinë për fëmijët e tyre”? Po është kjo “dashuri” që ka korruptuar politikanët dhe administratorët tanë, të cilët vjedhin për t’u siguruar një jetë të paqtë, dinjitoze e dekoroze fëmijëve të tyre.

Po kështu shumë biznesmenë, të cilët divorcin me skrupujt etikë e kanë bërë herët. U mjafton vetëm fitimi, paraja. Ai justifikon dhe përligj gjithçka, ndërsa produkti, shërbimi, garancia apo halli njerëzor i tjetrit për ta nuk ka rëndësi.

Fëmijët e tyre duhet të shkojnë në kopshte e shkolla të sigurta, në universitete prestigjioze jashtë Shqipërie, mundësisht përgjithmonë larg saj. Pasi të shkollohen me paratë “e fituara” këtu, prindërit pa mëdyshje u blejnë shtëpitë dhe takëmet atje në paqe të Zotit, se ndoshta në pleqëri i ndjekin nga pas. Për kaq u shërben Shqipëria etërve, për ta mjelë, shtrydhur dhe pastaj për ta flakur në emër të dashurisë për fëmijët e tyre, sepse ky vend është i mallkuar dhe nuk bëhet, rrëmujë e madhe, njerëz që kështu e duan, dajak dhe thundër.

Jashtë kësaj suaze nuk dalin as kopshtet, të cilat shtohen si kërpudhat. Gjithnjë e më tepër ato po konsiderohen dhe po funksionojnë mirëfilli vetëm si biznese. Ato ofrojnë “dashuri” dhe “kujdes” me pagesë të kripur për fëmijët. Do të ishte e pandershme që, bashkë me “të thatin, të digjet edhe i njomi”. E kam fjalët për ato kopshte dhe edukatore që bëjnë punë cilë- sore, por gjithsesi vend për të përmirësuar në këtë ambient ka te të gjithë.

Shpeshherë, mbase nga padija ose edhe nga mungesa e kurajës për të pranuar të vërtetën, akuzojmë bishat dhe kafshët. Kur raste si ai Shkodrës vjet, kur një edukatore dhunonte deri në ekstrem një fëmijë, dhe po kaq ky i djeshmi në Tiranë, në fakt, të shtojnë respektin për kafshët dhe ta zbehin atë për njeriun. Raste të tilla mund të provokojnë vetëgjyqësi.

Është e rëndë ta shikosh fëmijën tënd. Në fakt, po kaq e rëndë të shikosh edhe fëmijën e tjetrit, flas për qeniet humane dhe jo për bishat në ato kushte. Ta shikosh të përpëlitur mes dhunës fizike dhe presionit psikologjik duhet të jetë situatë, nga ato që njeriu nuk do të dëshironte të vihej kurrë në provë.

Personalisht i ftoj të gjithë prindërit ta hedhin mënjanë “besimin” që kanë krijuar mbi kopshtet ku dërgojnë fëmijët e tyre. Sjell më dobi kriza e besimit, sesa besimi i tradhtuar. Le të bëhen hetues, hulumtues, kërkues, mosbesues e gjykues, sepse kanë detyrimin hyjnor të mbrojnë krijesat e veta përballë babëzisë dhe dhunës. Le ta shfaqin dashurinë për fëmijët duke i mbrojtur pa e ndërprerë vëzhgimin, pa e shmangur mirënjohjen për ato e ata që u shërbejnë me devocion e njerëzi.

Puna, oraret, angazhimet bëhen pengesë, por kulti i pacenueshëm i atyre përballë dhunimit të fëmijës shndërrohet në peng për të gjithë jetën. Pse një kërkesë për Kryeministrin? Edi Rama ka një djalë të vogël që quhet Zaho, të cilit pa asnjë dilemë i dëshiroj jetë të gjatë e të lumtur.

Edi Rama direkt nuk ka faj për atë që ka ndodhur me fëmijën e dhunuar, por shteti shqiptar po, për vetë natyrën e tij 25-vjeçare. Shteti dhe ministrat e tij po, sepse ishte një kopsht i palicencuar. Politika po, sepse e kanë shndërruar shoqërinë në arenë gladiatorësh. Shoqëria po, sepse ka përmjerrur të ndershmin dhe ka ngritur në piedestal poshtërsinë dhe të poshtrin. Ajo ka toleruar abuzimin dhe vjedhjen ndaj saj, duke krijuar këto standarde që na bien mbi krye.

Nejse, histori e gjatë…! Le ta kërkojë vertikalisht Kryeministri përgjegjësinë kudo që të ndodhet. Ai është i zënë me politikën e madhe, Reformën në Drejtësi etj., etj. Dakord! Por Shqipëria po prishet në të gjitha pejzat e veta nga agresioni dhe depresioni, fitimi dhe tërbimi, dhuna dhe guna propagandistike, ndaj të marrë masa, së paku, për gjërat “e vogla”!

Rama krenohet për aksionin e mbledhjes së faturave të energjisë elektrike. Shumë mirë, le të vazhdojë! Le të themi se ka pasur sukses në këtë pikë, por fëmijët i kemi më të rëndësishëm. Një ligj radikal për rastet kur ushtrohet dhunë ndaj tyre do të ishte i mirëpritur, do ta merrte edhe konsensusin e opozitës menjëherë.

Por, shumë më tepër një veprim konkret për të kaluar në sitë të gjitha çerdhet dhe kopshtet e Shqipërisë, personelin e tyre, si ato shtetërore, ashtu edhe ato private, duke pasur si model krahasimi standardet e Bashkimit Europian.

Të shpëtojmë së paku fëmijët, meqenëse ne të tjerët po vdesim përditë shpirtërisht. Reformat presin edhe pak, fëmijët jo!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura