“Fellini” në Kryeministri/ Pas Moskës e Romës, ekspozita lëvizëse mbërrin në Shqipëri. 120 punime që tregojnë ‘mbretin’ e kinemasë italiane

Sep 15, 2020 | 16:40
SHPËRNDAJE

ekspo-696x364Ekspozita lëvizëse “Njëqindvjetori. Fellini në botë” mbërrin në Tiranë pas një prezantimi në Moskë, Sao Paulo, Romë, Vilnius, duke e përfshirë kryeqytetin shqiptar në hartën e 10 kryeqyteteve ndërkombëtare të rrugëtimit të mjeshtrit nga muaji mars 2020- mars 2021.

Me rastin e njëqindvjetorit të lindjes së këtij mjeshtri të madh (Rimini, 20 janar 1920), Instituti Italian i Kulturës në Tiranë, në bashkëpunim me COD, i ofron publikut shqiptar ekspozitën e vizatimeve dhe objekteve feliniane “Njëqindvjetori. Fellini në botë”.

Federico Fellini gëzon një famë të madhe në botë; ai i përket atij rrethi të ngushtë italianësh që, për miliona europianë dhe amerikanë, në njëfarë mënyrë përfaqësojnë vetë Italinë. Itinerari i ekspozitës tregon jetën dhe veprën e një personazhi, i cili me ndihmesën e tij, përmes gjuhës së kinemasë, i dha Italisë një imazh ndërkombëtar të profilit më të lartë.

Spikat delli dhe frymëzimi i padiskutueshëm i regjisorit në imazhet që e portretizojnë të gatshëm për të dhënë udhëzime në sheshxhirim, në intervistat që zbulojnë pasionin e tij të jashtëzakonshëm për artin e shtatë, por edhe anën njerëzore të mjeshtrit, atë të Federico-s, në vizatimet e tij kushtuar miqve, atyre që punonin me të, si dhe në letrat e dashurisë drejtuar Giulietta Masina-s. Filmografia është sfondi i ekspozitës, e treguar përmes fotografive, dokumenteve, kostumeve, posterave dhe sendeve e objekteve me mbi 120 punime. Ekspozita lëvizëse “Njëqindvjetori. Fellini në botë” vjen pas një procesi sistematik grumbullimi dhe bashkon aq sa mundet çdo lloj materiali të prodhuar prej tij apo që ka të bëjë me të, përftuar nga arkiva publike, private dhe koleksione.

Një projekt ky, që ka si qëllim të nxjerrë në pah eklektizmin dhe shumanshmërinë e mjeshtrit, karakteristika këto që e kanë ngritur në nivelin e mitit. Realizimi i kësaj ekspozite nuk kufizohet me homazhin për një protagonist të madh të kulturës italiane, por bën pjesë në një vijueshmëri mendimi dhe veprimi që në këto vitet e fundit ka rivlerësuar konceptin e “Kujtesës”, duke e zgjeruar kuptimin e saj përmes një nuance me peshë të madhe etike. Kujtesa si mjet shembujsh me vlera, trashëgimi e ndërtuar mbi vlera të larta dhe tërësisht të praktikueshme, që duhen kthyer në thesare dhe mund të ripërpunohen në të tashmen për një përdorim dhe konsumim nga ana e shoqërisë bashkëkohore, me qëllim pasurimin dhe evoluimin e saj.

Ekspozita është kuruar nga Vincenzo Mollica, Alessandro Nicosia dhe Francesca Fabbri Fellini. Ekspozita u organizua falë mbështetjes së: MAECI – Drejtoria e Përgjithshme për Promovimin e Vendit; Mibact – Drejtoria e Përgjithshme për Artin e Kinemasë dhe atë Audiovizual; COR – Krijo Organizo Realizo; Trashëgimtarët dhe miqtë e Fellini-t. Ekspozita është e hapur për vizitorët nga sot deri më 11 tetor 2020, nga e hëna deri të premten, në oraret 09:30- 14:00; 17:30-20:30 dhe çdo të shtunë gjatë orës 17:30, deri në orën 20:30.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura