Feja dhe dhuna janë të papajtueshme

Jul 5, 2015 | 13:31
SHPËRNDAJE

BUJAR NISHANI

               Jemi mbledhur sonte të gjithë së bashku në këtë darkë iftari, në shenjë respekti të thellë për të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë, të cilët me devocionin dhe përkushtimin e tyre  ndaj Zotit po e përcjellin Muajin e Madhërishëm të Ramazanit në paqe, harmoni e përshpirtje, duke reflektuar dhe promovuar mesazhin që vjen prej tij. Ju uroj nga zemra agjërim të lehtë dhe të mbarë! Shteti shqiptar është mik i besimeve, garantues i lirisë së tyre dhe i baraslarguar aq sa e kërkon Kushtetuta e një shteti laik, demokratik dhe europian.

Personalisht jam i bindur se interpretoj vullnetin e brendshëm të popullit tonë për respekt të ndërsjellë e harmoni, duke hapur dyert e institucionit që përfaqësoj. Të gjitha bashkësitë fetare shqiptare në vend, të pranishme në këtë mjedis, si sonte, ashtu edhe në të ardhmen, sipas simbolikës dhe festave përkatëse, janë të ftuara e të mirë se ardhura.

Të dashur miq,
Në këtë darkë dua të shpreh gjithë mirënjohjen time për kontributin që Komuniteti Mysliman Shqiptar dhe drejtuesit e tij kanë dhënë për harmoninë ndërfetare, për mbështetjen e tyre pa kushte ndaj demokracisë dhe integrimit evropian, si dhe për demotivimin që i kanë bërë çdo forme të instrumentalizimit fetar në vend.

Ju, Komuniteti Mysliman Shqiptar, jeni dhe përfaqë- soni një kolonë të rëndësishme të shoqërisë sonë. Tradita e islamit shqiptar është e shkëlqyer. Ajo na bën krenarë për formën dhe përmbajtjen, të cilat kanë gjetur më së miri ndër shekuj kodin e admirueshëm të bashkëjetesës me krishterimin, fakt ky që e bëri Papa Françeskun të pohojë se fetë në Shqipëri janë në vëllazëri të plotë si model dialogu dhe bese, çka i bën shqiptarët të admiruar kudo në botë.

Kjo dialektikë e jona nuk është realizuar kurrë me ushtarë, asnjëherë me konventa, pa nevojë ndërmjetësish, por natyrshëm nën ritmin e jetës. Ajo është burimore, është vetëdije, është triumfi i indit kombëtar e i kohezionit që ai krijon. Ashtu siç kemi qëndruar si njësi unike, po ashtu do të mbetemi në jetë të jetëve. Po, ne jemi të gjithë shqiptarë, kemi gjuhë dhe tradita të njëjta, por i falemi Zotit në mënyra të ndryshme dhe e kemi bërë këtë duke pranuar njëritjetrin dhe duke mbetur gjithmonë vëllezër, gjithmonë shqiptarë, gjithmonë europianë.

Ja, sonte, siç e vini re, në këtë darkë iftari nuk ka vetëm besimtarë myslimanë, por edhe të krishterë, katolikë e ortodoksë, por edhe laikë, njerëz që besojnë te vlera e diversitetit, te liria e tjetrit si liri e tyre, te multifetarizmi si vlerë e përbashkët.

Të dashur miq,
Gjej rast nga kjo foltore, dhe besoj se jemi të gjithë në një mendje, kur themi se feja dhe dhuna janë të papajtueshme, se terrorizmi e mbyt lirinë fetare dhe nuk mund të jetë kurrë binom i saj. Por vigjilenca ndaj çdo tentative dhe përpjekjeje që dëshiron të manipulojë imazhin e shqiptarëve, është e domosdoshme.

Ne duhet të reagojmë me shpejtësi ndaj çdokujt, çdo zëri, individi apo shoqate që fut ndasi religjioze, ndaj çdokujt që predikon dhunë dhe absolutizëm, ndaj çdokujt që propagandon shtet me natyrë fundamentaliste dhe rekruton djem shqiptarë për vatrat e terrorit. Ata cenojnë gjithçka kemi arritur në shekuj. Ata cenojnë të ardhmen dhe demokracinë, vetë kombin dhe ëndrrën tonë europiane. Të nderuar klerikë të pranishëm, nëse më lejoni, ju them të mos hezitoni që të predikoni këtë të ardhme për besimtarët tuaj! Ne jemi bij të Europës; ajo është shtëpia jonë e përbashkët.

T’i lëmë të vetëm dhe pa mbështetje përçarësit; t’i ekspozojmë para shoqërisë dhe ligjit ata të cilët tentojnë që mbi librat e shenjtë të kësaj pasurie të paçmueshme të njerëzimit të sajojnë doktrina terrori, absolutizmi dhe përjashtimi. Me kurajë, me forcë dhe çdo moment t’i luftojmë si përfaqësues të së keqes dhe si armiq të fesë, për më tepër, si antishqiptarë.

Të dashur vëllezër,
Ky muaj i sakrificës dhe dëlirjes shpirtërore i afron më tepër njerëzit, duke na kujtuar se nuk është kurrë vonë për t’u vetëpërsosur dhe për t’u bërë më të mirë e më të drejtë, sepse kështu do të kemi një shoqëri më humane, një jetë më të lumtur, një botë akoma edhe më të sigurt. U uroj me mirënjohje paqe e mirësi të gjithë besimtarëve myslimanë! Agjërim të lehtë! Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët! Ju faleminderit!”

*Fjala e Presidentit të Republikës në iftarin që shtroi në Pallatin e Brigadave me rastin e Muajit të Shenjtë të Ramazanit

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura